Sot shënohet 122-vjetori i ndarjes nga jeta të Sami Frashëri, një prej figurave më të shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mendimtar, patriot, shkrimtar, gjuhëtar dhe iluminist, i cili la gjurmë të pashlyeshme në historinë, kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar.
Nëse vlerësoni gazetarinë tonë të pavarur, na mbështetni me një "kafe" simbolike për të mbajtur Mekuli Press të lirë nga çdo ndikim!
☕ Mbështete sot MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptareI lindur më 1 qershor 1850 në Frashër, Sami Frashëri u arsimua fillimisht në vendlindje dhe më pas në Janinë, ku kreu studimet në shkollën e njohur “Zosimea”. Ai zotëroi disa gjuhë të huaja dhe ndërtoi një kulturë të gjerë që do ta shndërronte në një nga dijetarët më të rëndësishëm të kohës së tij.
Në vitin 1872 u vendos në Stamboll, ku zhvilloi një veprimtari të dendur patriotike në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Ai ishte ndër themeluesit e organizatave të para kombëtare shqiptare dhe kryetar i “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip”, duke luajtur një rol kyç në përhapjen e arsimit dhe të gjuhës shqipe, shkruan KultPlus.

Sami Frashëri drejtoi revistat “Drita” dhe “Dituria”, ndërsa hartoi tekste të rëndësishme për shkollat shqipe, si “Abetare e gjuhës shqipe”, “Shkronjtore e gjuhës shqipe” dhe “Shkronjë”. Ai mbetet veçanërisht i njohur për veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, botuar më 1899, e cila konsiderohet manifesti politik dhe kombëtar i Rilindjes Shqiptare.
Përveç kontributit në çështjen shqiptare, Frashëri u dallua edhe si dijetar me reputacion në Perandorinë Osmane. Ai është autor i fjalorit të njohur turk “Kamus-i Türki”, një prej veprave më të rëndësishme leksikografike të kohës, si dhe i një enciklopedie me vlera të mëdha historike, kulturore dhe shkencore.
Si shkrimtar, ai shkroi drama, romane dhe përkthime, ndërsa romani “Besa”, i frymëzuar nga jeta shqiptare, mbetet një nga veprat e tij më të njohura letrare.
Për shkak të veprimtarisë së tij patriotike dhe ideve përparimtare, Sami Frashëri u përndoq nga autoritetet osmane, u izolua dhe në vitet e fundit të jetës iu ndalua edhe lëvizja jashtë shtëpisë.
Ai ndërroi jetë më 18 qershor 1904 në Stamboll, në moshën 54-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme intelektuale dhe kombëtare që vazhdon të frymëzojë breza të tërë shqiptarësh.
