1908-1912 – Cilat ishin shkaqet më kryesore të humbjes së territoreve shqiptare?
Në çdo shekull e në çdo betejë, ky popull i vogël ka qëndruar përballë fuqive të mëdha dhe fqinjëve ambiciozë, të cilët lakmonin tokat e tij. Shqiptarët, edhe kur kanë qenë të rraskapitur nga luftërat, nuk pranuan kurrë të nënshtruar. Por, megjithë sakrificat, fati nuk ka qenë gjithmonë në anën tonë.
Një nga periudhat më të trazuara e dinamike të rezistencës shqiptare pas epopesë së Skënderbeut ishte fillimi i shekullit XX. Aty ku historia do të sillte një realitet të dhimbshëm: Shqipëria humbi shumë territore përballë agresioneve të organizuara të fqinjëve: Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Dhe megjithatë, në fund lindi një shtet i pavarur, por i cunguar, shumë më i vogël nga trojet e tij natyrore.
Por cilat ishin arsyet e këtij reduktimi tragjik të trojeve shqiptare?
1. Lufta e pandërprerë
Për katër vite me radhë (1904–1912) shqiptarët luftuan për liri e pavarësi. Kryengritjet e pareshtura shteruan forcat, ekonomia u rrënua, ndërsa mungesa e armëve e municioneve e bënte betejën të pabarabartë përballë Perandorisë Osmane. Edhe ato pak armatime që shqiptarët arrinin t’i siguronin, shpesh iu merreshin nga vetë ushtria turke.
2. Mungesa e shtetit
Shqipëria ende nuk kishte një organizëm shtetëror, një ushtri kombëtare, apo institucione që të drejtonin me plane e strategji të unifikuara. Përkundrazi, pushteti osman përndiqte e vriste patriotët shqiptarë kudo që ndodheshin.
3. Agresioni i fqinjëve
Serbia, Greqia dhe Mali i Zi kishin kohë që ushqenin plane për copëtimin e Shqipërisë. Ato përgatiteshin me ushtri të mëdha, me armatime moderne dhe me strategji që synonin jo vetëm pushtimin e tokave, por edhe pastrimin etnik: djegien e fshatrave, masakra mbi popullsinë shqiptare dhe kolonizimin e trojeve me banorë sllavë.
4. Shfrytëzimi i dobësive
Qeveritë fqinje përdorën agjentura të organizuara për të përçarë shqiptarët. Me para, premtime për poste apo kërcënime, blenë krerë lokalë të dobët, duke i kthyer në vegla të politikave të tyre. Më shumë se kaq, ata shfrytëzuan edhe virtytet shqiptare si besa e fjala e dhënë, për t’i mashtruar dhe më pas për t’i tradhtuar pa hezitim.
5. Ndikimi ndërkombëtar
Shumë nëpunës të huaj, shpesh simpatizantë të serbëve apo grekëve, ndikuan në qarqet diplomatike, në shtyp e në raportet zyrtare të kohës, duke e paraqitur çështjen shqiptare me ngjyra të shtrembëruara.
6. Qëndrimi i Fuqive të Mëdha
Rusia, Franca dhe Anglia nuk e panë Shqipërinë me sytë e drejtësisë, por përmes interesave të tyre gjeopolitike. Kështu, çështja shqiptare u bë viktimë e lojës së madhe diplomatike europiane.
7. Mungesa e arsimit dhe e shtypit kombëtar
Një tjetër dobësi e madhe e shqiptarëve ishte mungesa e institucioneve arsimore dhe e gazetave të përhapura që do të informonin popullin mbi çështjen kombëtare dhe synimet e vërteta të lëvizjes.
Ndërsa Serbia, Cetinja dhe Greqia derdhnin shuma të mëdha parash për propagandë në qarqet europiane, duke e paraqitur rezistencën shqiptare si një përpjekje për të shpëtuar Perandorinë Osmane. Shqiptarët nuk kishin mekanizma të mjaftueshëm për t’i kundërshtuar këto shpifje. Kështu, kancelarët e korruptuar i shihnin lëvizjet shqiptare me mosbesim ose i interpretonte gabim, duke i bërë padrejtësi kauzës shqiptare.
Shtrohet pyetja: a ka ngjasjmëri politike në mes vitit 2025 me vitin 1912? #MekuliPress.com
