BBC ka kërkuar zyrtarisht falje ndaj Princeshës së Uellsit, Catherine, pasi gjatë mbulimit të Ditës së Armëpushimit iu referua gabimisht me emrin e saj të vajzërisë, “Kate Middleton”. Gabimi, i bërë drejtpërdrejt nga prezantuesja Rajini Vaidyanathan, shkaktoi reagime të shumta nga shikuesit, duke detyruar transmetuesin britanik të dalë me një deklaratë.
Në sqarimin e publikuar, BBC pranoi lapsusin:
“Gjatë mbulimit tonë të përkujtimeve gabimisht iu referuam Catherine, Princeshës së Uellsit, si Kate Middleton. Këto ishin gabime gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë dhe kërkojmë ndjesë.”
Transmetuesi shtoi se në pjesën tjetër të programit u përdor korrektësisht titulli i saj mbretëror.
Ky incident vjen në një periudhë të ndjeshme për BBC-në, e cila pak ditë më parë kërkoi falje edhe ndaj Presidentit amerikan, Donald Trump, për një gabim montazhi në dokumentarin “Trump: Një shans i dytë?”. Trump ka paralajmëruar padi që mund të kapë vlerën 1 deri në 5 miliardë dollarë, duke akuzuar BBC-në për manipulim të fjalëve të tij.
Skandali çoi në dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të BBC-së, Tim Davie, si dhe shefes së lajmeve, Deborah Turness, duke e futur transmetuesin në një nga krizat më të mëdha të viteve të fundit.
Ndërkohë, Princesha e Uellsit bëri paraqitjen e saj të parë publike në Shërbimin Përkujtimor në Arboretumin Memorial Kombëtar më 11 nëntor, ku udhëhoqi heshtjen dy-minutëshe dhe vendosi një kurorë në emër të familjes mbretërore.
