Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se shtetet anëtare janë dakorduar që t’i vendosin masa me efekt të menjëhershëm ndaj Kosovës, por ka thënë se ato nuk janë sanksione.

Masat, sipas Stanos, janë ato të raportuara një ditë më parë si sanksione në media. Siç ka thënë ai, masat janë të kthyeshme varësisht nga hapat që ndërmerr kryeministri Albin Kurti për shtensionim të situatës.

“Më lejoni të qartësojë një gjë. Nuk ka sanksione. BE-ja vendos sanksione si masë kufizuese të bazuar në kornizë të qartë ligjore të definuar nga shtetet anëtare, pas një procesi të gjatë të diskutimeve në Këshill. S’ka sanksione ndaj Kosovës, kjo është njëra gjë. Gjëja e dytë, për shkak të eskalimit të fundit që kemi qenë dëshmitarë që nga fillimi i këtij muaji, 27 shtetet anëtare të BE-së unanimisht kanë thënë se presin shumë qartë, kërkesë e qartë nga BE-ja ndaj Kosovës dhe Serbisë, të deskalojnë tensionet e fundit veçanërisht në veri të Kosovës”, ka thënë Stano.

Siç ka thënë Stano, masat do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.
Masa tjetër pritet të përfshijë punën e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, e të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

Tashmë është suspenduar takimi i një nën-komisioni, atij për tregti, industri, doganë dhe taksa i cili është dashur të mbahej me 8 qershor, por që nuk është zhvilluar. Takimi i radhës, i cili pritet të suspendohet, është ai i datave 21 dhe 22 qershor, i nën-komisionit për drejtësi, liri dhe siguri.

Do të ketë edhe pasoja financiare për Kosovën. Është planifikuar një pezullim domethënës i financimit nga ana BE-së i disa projekteve për të cilat ka dhënë propozime Kosova në kuadër të Fondit investues për Ballkanin Perëndimor.

BE, si masë ndaj Kosovës, ka paraparë që të ulë edhe nivelin e pranisë publike në zhvillimet dhe ngjarjet e përbashkëta ku marrin pjesë anëtarët e Qeverisë së Kosovës. Kjo masë pritet të përfshijë edhe takimet në kuadër të bashkëpunimit financiar.

Stano ka thënë se BE-ja e ka bërë të qartë se nëse nuk ka shtensionim të situatës, do të ketë pasoja.

“Duhet të ecim nga menaxhimi i krizave në një proces të qëndrueshëm. Qetësia duhet të kthehet në veri”, ka thënë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *