Udhëheqësit e Bashkimit Evropian po synojnë të ecin përpara me vendosjen e një moshe minimale për përdorimin e platformave të mediave sociale si TikTok dhe Instagram, në përpjekje për të forcuar mbrojtjen e të miturve në hapësirën digjitale.
Kjo nismë u theksua në përfundimet e një samiti të zhvilluar në Bruksel, ku u vlerësua se një kufi minimal moshe për akses në rrjetet sociale është i domosdoshëm për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve online.
Sipas dokumentit zyrtar, zbatimi i këtyre masave duhet të respektojë privatësinë dhe kompetencat kombëtare të shteteve anëtare. Njëkohësisht, u kërkua nga Komisioni Evropian që të zbatojë me rigorozitet Akti i Shërbimeve Digjitale dhe udhëzimet për mbrojtjen e të miturve.
Megjithatë, vendosja praktike e kufijve të tillë do të kërkojë bashkëpunimin e vetë platformave digjitale. Ndërkohë, shtetet individuale nuk do të kenë të drejtë të vendosin masa të veçanta, si kontrolle të detyrueshme moshe, pa një vendim në nivel të BE-së.
Në të njëjtën kohë, vendimet për kufizimet konkrete të moshës mund të mbeten pjesërisht në kompetencë të shteteve anëtare.
Në kuadër të mbrojtjes së përdoruesve, vendet e BE-së riafirmuan gjithashtu se sistemet e inteligjencës artificiale që mundësojnë krijimin e imazheve intime pa pëlqim apo materialeve të abuzimit seksual me fëmijë duhet të ndalohen.
Debati për sigurinë në rrjetet sociale u intensifikua edhe pas kritikave ndaj platformës X, në pronësi të Elon Musk, ku përdoruesit arritën të manipulojnë chatbot-in me inteligjencë artificiale për të krijuar përmbajtje të papërshtatshme.
Këto zhvillime tregojnë se Bashkimi Evropian po rrit presionin ndaj platformave digjitale për të garantuar një mjedis më të sigurt për përdoruesit, veçanërisht për të rinjtë.
