Nokshiqi – Normandia e harruar e shqiptarëve që sfidoi Perandoritë

Në këtë ditë të vitit 1879 u zhvillua Beteja e përgjakshme e Nokshiqit, në të cilën shqiptarët e Plavës dhe të Gucisë, të prirë nga legjendari Ali Pashë Gusia, mbrojtën heroikisht trojet shqiptare (Plavën, Gucinë dhe më gjerë), duke e mposhtur ushtrinë pushtuese serbo-malazeze të udhëhequr nga Mark Milani.

Shkruan: Gëzim Mekuli

Noka e themeloi Nokshiqin. Fshati Nokshiq, Normandia e harruar e shqiptarëve, e mori emrin pikërisht nga Noka. Ky burrë, pra Noka, ishte i pari i nokshiqanëve. Noka kishte edhe katër vëllezër: Drela, i cili u vendos në Drelaj të Rugovës; Stana, i cili u vendos në Stankaj të Rugovës; Nila, i cili u vendos në Shtupeq të Vogël; dhe Pepa, i cili u vendos në Pepaj-Pepiq të Rugovës. Këta pesë vëllezër kishin një baba, e ai ishte Nika, e Nika kishte babë Dedën…

Në periudhën antike ky fshat ka qenë i banuar nga banorë ilirë të fisit Labeat. Banorët vendas, që nga antika, kanë qenë ilirë. Marrëveshja e Shën Stefanit, e mbajtur më 3 mars 1878, e cila ishte një marrëveshje mes Turqisë dhe Rusisë, rezultoi me ndarjen e interesave të përbashkëta ndërmjet këtyre dy fuqive të mëdha.

Kjo marrëveshje i shkëpuste tokat shqiptare të Plavës dhe të Gucisë dhe ia jepte ato Malit të Zi. Nokshiqanët, si gjithnjë trima, mendjendritur dhe të pamposhtur, vendosën të mos e lëshojnë vendin e tyre pa rezistencë të armatosur. Kështu, së bashku me vëllezërit e tyre shqiptarë nga të gjitha trojet, të udhëhequr nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, u bashkuan në fshatin-kala Nokshiq dhe vendosën t’i dalin ballë për ballë Mark Milanit dhe ushtrisë së tij të armatosur mirë.

Më 4 dhjetor 1879, forcat shqiptare, të udhëhequra nga prijësit shqiptarë si Ali Pashë Gusia dhe Jakup Ferri, që i prinin forcave të Lidhjes Shqiptare, dhe rugovasit, të prirë nga Qelë Shabani dhe Kadri Bajri, u mblodhën në Nokshiq. Këtyre luftëtarëve patriotë u prinin, si gjithnjë, luanët banorë vendas, të cilët e nisën luftën për mbrojtjen e tokave shqiptare.

Të parët nokshiqanë që nisën luftën mbrojtëse ishin Nurë Kurti dhe Kurt Asllani. Për trimëri të pashoqe, në fushën e luftës kundër forcave serbo-malazeze, u dalluan Ali (Smajl) Mekuli, i cili jetoi plot 115 vjet dhe vdiq në Nokshiq në vitin 1951; Adem (Smajl) Mekuli; trimi Bali Bajram Nokshiqi (20-vjeçar); Puro Mekuli (96-vjeçar); dhe shumë të tjerë nga autoktonët e fshatit Nokshiq, si vëllëzëria Buçajt, Mekulët, Mehajt dhe Selimajt.

Lexo po ashtu:  Perandori që mori me vete një ushtri të tërë në varr.

Nokshiqanët nuk ishin të vetëm. Pas disa ditësh u nisën për në Guci 2000 shqiptarë nga Gjakova të armatosur, dhe sipas vendimeve që u morën në Gjakovë, me fillimin e luftës edhe dy mijë vullnetarë të tjerë do të niseshin nga Gjakova për mbrojtjen e tokave shqiptare.

Sipas kronikanëve, të gjithë burrat e Nokshiqit vendosën të japin jetën dhe të mos lejojnë forcat pushtuese sllave të depërtojnë në tokat shqiptare. Një figurë e veçantë e kësaj lufte ishte heroina Kajë Galja, motra e Zhuj Selmanit, e cila u bë simbol i trimërisë shqiptare pasi preu katër ushtarë serbë me sëpatë në kullën e Nokshiqit, që në melosin shqiptar citohet si: “motra e Zhujsë, qafë kapriçe, katër shkje i preu sakicë”. Ajo tregoi se lufta për mbijetesë dhe liri nuk ishte vetëm e burrave, por e të gjithë shqiptarëve pa dallim.

Kajë Galja dihet se në fushëbetejë i doli në ndihmë Rrustem Ukajt nga fshati Haxhaj (Rugovë), i cili gjatë luftimeve me armikun u plagos. Ky kishte marrë plagë nga thikat në luftimet trup më trup dhe, gjatë kthimit në shtëpi, pra rrugës para se të hynte në fshatin Haxhaj, vdiq nga plagët që mori për mbrojtjen e tokave shqiptare nga sllavët.

Duhet theksuar se Beteja e Nokshiqit (dhjetor 1879 – janar 1880) ka një rëndësi të madhe dhe është një ndër betejat më të mirëorganizuara nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Kjo luftë e përgjakshme, por heroike, i shkatërroi forcat e Mark Milanit dhe, për të parën herë, këtu u thyen forcat serbo-malazeze. Kjo fitore pati jehonë të madhe në të gjitha vendet europiane. Në histori kjo rezistencë për të mbrojtur Shqipërinë nga copëtimi sllav njihet si “Lufta e Nokshiqit”, të cilën e fituan forcat shqiptare.

Pas kësaj beteje forcat shqiptare i treguan qartë botës se Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk synonte pushtimin e territoreve që nuk ishin shqiptare. Rreth kësaj beteje të përgjakshme, për organizimin dhe përpilimin e strategjisë së luftës mbrojtëse, u shpreh edhe komandanti i Shtabit të ushtrisë malazeze Bozho Petroviç, i cili deklaroi më pas se shqiptarët në këtë betejë po i drejtonte një “mjeshtër i madh ushtarak”.

Lexo po ashtu:  Britania ende pa qëndrim ndaj Huawei

Populli i kësaj treve asnjëherë nuk i miratoi, nuk i pranoi e as që do t’i pranojë vendimet e dhunshme që copëtuan trojet shqiptare. Padyshim, faqe e ndritur në historinë e luftërave të të parëve tanë për mbrojtjen e trojeve të tyre, është pra “Lufta e Nokshiqit” dhe fitorja e arritur kundër forcave malazeze, diplomacisë së Fuqive të Mëdha të kohës, synimeve ekspansioniste ruso-sllave dhe dredhive osmane për të shpëtuar veten në dëm të interesave jetësore të Kombit Shqiptar.

Për fat të keq, duhet nënvizuar se kjo epope madhore, që u kurorëzua me fitoren e shkëlqyer të forcave ushtarake shqiptare, të komanduara e të drejtuara nga Lidhja e Prizrenit, pothuajse nuk është studiuar e trajtuar fare. Rrethanat në të cilat u zhvillua Lufta e Nokshiqit, kriza lindore, lufta ruso-turke dhe nënshkrimi i traktatit famëkeq të Shën Stefanit, e bënin situatën shumë të rëndë dhe akoma më të ndërlikuar për kombin shqiptar.

Populli shqiptar në atë periudhë të vështirë ndodhej para dy zgjedhjeve:
A) Të pranonte vendimin e Shën Stefanit, që coptonte trojet shqiptare midis Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi, pra të pranonte ripushtimin, ose
B) Të organizohej për të përballuar situatën e ndërlikuar të brendshme dhe ndërkombëtare, pra të vazhdonte luftën çlirimtare kundër pushtuesve të vjetër dhe të rinj.

Populli shqiptar, megjithëse në rrethana të vështira, zgjodhi rrugën e dytë, rrugën e vazhdimit të luftës për mbrojtjen e trojeve historike shqiptare.

Ku janë nokshiqanët sot?
Tani, pas dëbimit të shqiptarëve nga Jugosllavia e Titos, në Nokshiq, përpos kullave gjysmë të rrënuara dhe tokës shqiptare, nuk frymon më asgjë shqiptare. Por, atje, në atë vend-kala, mund të gjeni ende varret e të parëve tanë…

Plava dhe Gucia u shkatërruan: shumica e shqiptarëve, nga dhuna malazeze, u larguan dhe u tretën në SHBA; ata pak që mbetën aty u përsekutuan, u asimiluan dhe u “boshnjakëzuan”. Më shumë se 90% e shqiptarëve të rinj në Plavë e Guci sot nuk dinë e nuk flasin shqip, ose nuk e praktikojnë fare gjuhën shqipe. Këtu nuk ka shkolla, edukim e as arsimim të duhur në gjuhën shqipe…

Lexo po ashtu:  At Gjergj Fishta në Kongresin e Manastirit: – Po a mendoni ndopak se çka do t’u thomi shqyptarëve kur të na pvesin se çka keni ba ju dijetarët atje në Manastir?

Historia e lavdishme e kësaj cope të Shqipërisë historike po venitet; Nokshiqi, dikur vend-kala i lavdishëm në histori, në heshtje po rënkon e thërret. Plava dhe Gucia po shohin drejt Tiranës e Prishtinës dhe po presin: për mbështetje, për ndihmë e për kurajë.

I dhimbshëm mbetet edhe fakti se copëtimi i trojeve shqiptare nuk ka ardhur vetëm nga armiqtë, por edhe nga vetë shqiptarët. Ramush Haradinaj, një lider që dikur shihej si luftëtar i madh i UÇK-së, u bë një nga figurat që firmosi faljen e këtyre trevave të lavdishme Malit të Zi. Me këtë akt, ai nuk copëtoi vetëm tokat e lyer me gjakun e trimave të Nokshiqit, por edhe gjakun e dëshmorëve të UÇK-së që luftuan për të mos lejuar një copëtim të tillë të Kosovës dhe viseve shqiptare.

Të dashur lexues, pse nuk duhet harruar “Beteja e Nokshiqit”?
– Një mësim historik për brezat e ardhshëm – Historia e këtij qëndrese është dëshmi e asaj që shqiptarët janë të gatshëm të bëjnë për lirinë dhe dinjitetin e tyre.
– Identiteti kombëtar – Plava dhe Gucia mbeten simbol i shqiptarizmit, dhe nuk duhet lejuar që këto troje të harrohen apo të asimilohen.
– Ndërgjegjësimi i diasporës – Shqiptarët e Plavës dhe Gucisë, tashmë të shpërndarë në SHBA dhe vende të tjera, duhet të mbajnë të gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare.
– Përgjegjësia e politikës shqiptare – Shqipëria dhe Kosova nuk duhet të jenë spektatorë pasivë të shuarjes së këtyre trojeve nga harta kombëtare shqiptare.

Beteja e Nokshiqit nuk është vetëm një kapitull i lavdishëm i historisë, por edhe një thirrje për të mos harruar dhe për të mos lejuar që toka shqiptare të tjetërsohet. Shqiptarët duhet të mbajnë mend se asnjë kolltuk politik, asnjë karrierë personale, nuk vlen më shumë se një pëllëmbë tokë e gjakosur nga breza të tërë.

Lavdi të rënëve për mbrojtjen e trevave të Nokshiqit, Plavës, Gucisë e deri në Ulqin! Mallkim për copëtuesit e tokës shqiptare!

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com