Betoni kundër historisë: A po përsëritet krimi kulturor në Pejë? A po e shkatërrojmë vetë qytetin antik të Pejës?
MekuliPress
Në rrezik zhdukja e qytetit antik “Siparantum*, trashëgimi mijëravjeçare përballë betonit dhe interesave private të xhepit.
Një alarm serioz po ngrihet në Pejë, aty ku historia e lashtë po rrezikon të zhduket, tani jo nga Serbia, por nga neglizhenca e Komunës dhe etja për fitim.
Në hapësirën e ish-Fabrikës së Baterive, një lokalitet i njohur për arkeologët që nga vitet e ’70-ta, ndodhen gjurmë të qytetit antik iliro-romak Siparanti (Siparantum); një qendër urbane me status Municipiumi, pra një nga qytetet më të rëndësishme të antikitetit në këtë pjesë të Ballkanit, krahas Ulpianës dhe Scupit Ilir.
Këto gjurmë dolën në dritë gjatë ndërtimit të fabrikës në kohën e ish-Jugosllavisë. Nga regjimi i atëhershëm u kryen disa hulumtime të shpejta, por puna u ndal menjëherë.
Arsyeja pse u ndalën hulumtimet? Zbulimet nuk përputheshin me intereset politike dhe ideologjike të Serbisë. Trashëgimia iliro-romake nuk ishte prioritet për Serbinë, ndaj historia ilire u mbulua me beton dhe harresën jugosllave.
Sot, rreziku është edhe më i madh
Burime të afërta për Mekuli Press në Pejë bëjnë të ditur se pas privatizimit të ish-Fabrikës së Baterive, pronarët e rinj po planifikojnë ndryshimin e destinimit të kësaj hapësire prej disa hektarësh. Në lojë janë projekte për Qendër Tregtare dhe ndërtesa shumëkatëshe banesore; pikërisht mbi zonën ku ndodhen gjurmët ilire të Siparantumit.
Nëse këto plane të egra realizohen pa hulumtime dhe mbrojtje institucionale, rreziku i zhdukjes përfundimtare të këtij lokaliteti arkeologjik është real dhe i menjëhershëm.
MekuliPress si medium që mbronë interesin publik ka disa pyetje që kërkojnë përgjigje urgjente:
- A është shpallur kjo zonë trashëgimi e mbrojtur kulturore?
- A janë kryer hulumtime të plota arkeologjike para miratimit të projekteve ndërtimore?
- A është në dijeni Ministria e Kulturës për këto zhvillime?
Kush do të mbajë përgjegjësi nëse një qytet antik fshihet nga toka për hir të xhepit personal? Pse heshtë Komuna e Pejës, pse heshtë shteti?
Qytetarë dhe njohës të trashëgimisë kulturore shprehin shqetësim pse institucionet komunale në Pejë nuk po reagojnë, ndërsa shpresat për ndërhyrje lokale thuajse janë shuar, për shkak të ndikimit të grupeve të interesit dhe investitorëve të fuqishëm.
Në këtë situatë, vëmendja është kthyer kah Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Kulturës që kanë detyrim ligjor, kushtetues dhe moral për të ndaluar çdo veprim që rrezikon trashëgiminë kulturore të Republikës së Kosovës.
“Siparantumi” nuk është vetëm një lokalitet arkeologjik. Është dëshmi e vazhdimësisë sonë historike, provë e qytetërimit në këto troje shumë përpara pushtimeve të mëvonshme.
Zhdukja e tij do të ishte një humbje e pakthyeshme; jo vetëm për Pejën, por për gjithë Kosovën dhe kulturën shqiptare në përgjithësi.
Dhe atëherë, ndoshta do të jetë tepër vonë për të mos përsëritur fjalët e rënda, por fatkeqe të Faik Konicës: “Ruaje, o Zot, Shqipërinë nga shqiptarët.”
Koha për reagim është tani; para se gërmadhat e qytetit antik “Siparantumi” të zhduken përgjithmonë. /MekuliPress/

MekuliPress në vendin e ngjarjes
