Kohëzgjatja e leximit: 3 minuta

Çfarë kompleksi, çfarë paranoje, çfarë frike ndaj simboleve kombëtare shqiptare?!

Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.

☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.

Gëzim Mekuli, magjistër i shkencave të mediave dhe retorikës, universiteti në Oslo dhe Mainz

Në kohë lufte, simbolet e popujve të tjerë janë përdorur nga shqiptarët si shenja shprese, solidariteti dhe mbështetjeje ndërkombëtare. Prandaj, është e padrejtë (dhe budallallëk) që sot simbolet tona kombëtare të trajtohen si provokim, varësisht se ku valëviten dhe kujt i shërbejnë politikisht. Çfarë kompleksi!

Çfarë paranoje ndaj simboleve kombëtare shqiptare?!

Në Kosovë disave u pengon flamuri kombëtar shqiptar, ndërsa në Tiranë, disave, i pengon përdorimi i flamuri të UÇK-së në protesta në katër anët e Shqipërisë; Këtu në Prishtinë flasin për provokim me një flamur “të huaj”, e atje në Tiranë për ndërhyrje në punët e Shqipërisë. Biles ka disa gjind nga Kosova, që e shohin edhe dorën e BIA-s serbe aty ku valëviten simbolet shqiptare; në Tiranë e Prishtinë! Çfarë paranoje!

Lexo po ashtu:  Viti 1949/ Kur Mekuli i shkruante gruas: Ti nuk je krijesë e përbuzun, e mbrapsht. Jo, as rob, as djall nuk je!

Por, a e kemi harruar, të nderuar “gazetarë” e “intelektualë” se gjatë luftës çlirimtare në Kosovës, shqiptarët valëvitnin, pos flamurit kombëtar, edhe flamuj amerikanë e britanikë, si shenjë shprese, fuqie, motivimi dhe mirënjohjeje për mbështetjen ndërkombëtare? A keni harruar se prej vitit 1999 e deri në ditë të sotit, flamujt amerikanë, gjermanë, anglezë dhe shqiptarë u valëvitën së bashku edhe në demonstratat gjithandej nëpër dynja, në mbështetje të Pavarësisë së Kosovës. Çfarë largëpamësie e pjekurie politike!

Kam një pyetje për ju, të nderuar “intelektualë” e “gazetarë”;

Pra, flamujt e popujve të tjerë mund të bëhen simbole solidariteti, frymëzimi e motivimi. Pse, atëherë, flamuri shqiptar në Kosovë apo ai i UÇK-së në Shqipëri duhet të trajtohet si provokim e si vepër e BIA-s serbe dhe agjenturave greke?

Flamuri i UÇK-së, kur valëvitet në mesin e protestuesve të guximshëm shqiptarë në Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Sarandë e Gjirokastër, shprehë kujtesë historike, qëndresë, forcë, pathyeshmëri, dhe clirim; Natyrisht, asnjë simbol nuk duhet të shndërrohet në vegël të interesave partiake, grupore e klanore, por as nuk duhet demonizuar vetëm pse dikujt nuk i pëlqen apo ka frikë nga hija e vet. Çfarë pasigurie identitare!

Lexo po ashtu:  Kur reagonte Eqrem Çabej: Gjuha element i naltë kulture, jo objekt mode!

Kush i frikësohet flamurit kombëtar në Kosovë dhe flamurit të UÇK-së në Shqipëri, le ta thotë çka dreqi e shqetëson: simboli apo domethënia e tij historike? A kemi të bëjmë me komplekse identitare, standarde të dyfishta apo me instrumentalizim politik të simboleve tona kombëtare?

Konsekuent deri në pikë të fundit; Kombi shqiptar nuk ndahet me flamuj, as historia nuk fshihet me paragjykime e me teke; Shqipëria dhe Kosova nuk janë dy fate të huaja për njëra-tjetrën; kanë dalë në këtë dynja nga mitra e një nane; dhe ndjejnë dhimbjen (dhe gëzimin) për njëri-tjetrin. Çfarë kënaqësie! Çfarë ndjenje! Çfarë mrekullie!

NB! Në vend se të bërtisni “mos e përdorni flamurin e UÇK-së në Tiranë”, më normale dhe më e vyeshme do ishte të thoni: “Mos përdorni dhunë në Tiranë e në Prishtin”. Çfarë dekadence! Çfarë botëkuptimi dekameronian!

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com