Hylli i Dritës u themelua në vitin 1913 nga atë Gjergj Fishta bashkë me françeskanët e tjerë. Në gjithë ekzistencën e vet, Hylli i Dritës njohu peripeci të pafunda, botimi i tij u ndalua disa herë për arsye të ndryshme, kryesisht politike, por vlerat që tejçoheshin prej tij në shoqëri nuk harroheshin asnjëherë.

Krijimtaria e forcave shkencore, që u lidhën me këtë qendër studimesh, e nxiti Fishtën të mendonte për të nisur punën për të krijuar një organ shkencor. Ai e realizoi këtë ide pak vjet pas Kongresit të Manastirit dhe një vit pas Shpalljes së Pavarësisë. Fishta, revistën Hylli i Dritës” arriti ta bëjë shpejt, jo vetëm publikuese të krijimeve të bashkëpunëtorëve të saj, por edhe një polemizuese të fuqishme për mbrojtjen e idealit kombëtar.

Ai, për ta mbajtur në këmbë këtë revistë, pati shumë shqetësime, u sulmua shpesh nga forca të ndryshme, të brendshme dhe të jashtme, që nuk mund të duronin tendencën e saj për t’i paraqitur gjërat ashtu siç ishin.

Amaneti i themeluesit të tij, në çastet e vdekjes ishte: “Hylli të jetojë!”

Nën zë lexoheshin poezitë e atë Vinçenc Prennushit kur errësira komuniste nuk e linte Hyllin e Dritës të ndrinte i lirë. Pranë vatrave lexoheshin “Prrallat Kombtare” të cilat, para se të botoheshin së bashku në një libër, qenë shkruar te Hylli. Ithtarët e Fishtës me mburrje lexonin letrën e tij drejtuar Hilë Mosit, kur ky i fundit e kishte kundërshtuar në disa pika. Por cili ishte kontributi i drejtpërdrejtë që Hylli i dha Shqipërisë?

Hylli i Dritës ishte i ndarë në disa nënkategori, ku dy më kryesoret, njëlloj si motoja e françeskanëve, ishin Fe dhe Atdhe. Përpos kësaj, aty botoheshin studime historike, gjuhësore e letrare, rëndësi shumë të madhe patën botimet folklorike, ku përfshihen “Kanuni i Lekë Dukagjinit” mbledhur prej atë Shtjefën Gjeçovit dhe “Prralla Kombtare” mbledhur nga atë Donat Kurti.

Lexo po ashtu:  Libër mbi masakrat në Kosovë

Periudhat e botimit të Hyllit janë disa. E para i përket viteve 1913-1914, kur Hylli filloi të njihej mbarëkombëtarisht, gjatë këtij viti u diskutua aftësia e shqiptarëve për t’u vetëqeverisur.

Këto shkrime, të cilat cenonin autoritetin e Fuqive të Mëdha, për të cilat atë Gjergj Fishta në “Lahuta e Malcis” shkruan “O Evropë, ti kurvë e motit/Që i re mohit besës t’Zotit”, i shtynë ato që me anë të një politike intrigante ta mbyllnin atë, si e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga fuqia e penës së atë Gjergjit, pasi ky i fundit shkroi “Nji komedi e pandershme e shekullit XX” duke shigjetuar Fuqitë e Mëdha.

Periudha e dytë i takon viteve 1921-1924, në të cilën u trajtuan aspekte kulturore, politike, arsimore e kombëtare. Kjo periudhë cilësohej nga Hylli si periudha më demokratike e historisë së shtetit të ri shqiptar, por gjithçka mbaroi në dhjetorin e vitit 1924, kur pasi u përmbys regjimi i Ahmet Zogut nga lëvizja e Fan Nolit, Zogu u kthye sërish në pushtet. Kështu françeskanët e ndërprenë botimin e Hyllit, duke pritur një moment më të favorshëm.

Periudha e tretë i takon viteve 1930-1944, e cila mund të cilësohet si periudha më e ndritur e Hyllit të Dritës. Gjatë kësaj periudhe, Hylli u vlerësua me çmime kombëtare e ndërkombëtare, ndërkohë që temat e lëvruara sa vinin e zgjeroheshin.

Lexo po ashtu:  Fan Noli për shqiptarët sipas qyteteve - "A të duhen luftëtarë? a do botës t'i vesh zjarr? Do armiku arratinë të marrë? Merr nja dhjetë Kosovarë!"

Autorët e studimeve nuk ishin vetëm shqiptarë, por edhe të huaj, ku veçohen Norbert Jokli, Georg Stadtmüller e të tjerë. Ndër botuesit shqiptarë u dallua atë Anton Harapi, i cili shkroi në vitin 1944 një analizë tepër të mprehtë mbi çështjen shqiptare.

Por gjithë kjo histori e lavdishme kulture e shkence u ndërpre me ardhjen e komunizmit. Në vitin 1944 u ndalua çdo aktivitet privat dhe u sekuestrua çdo shtypshkronjë në rang kombëtar. Kështu edhe botimi i Hyllit të Dritës reshti përkohësisht duke shënuar “Të premten më të zezë”, pas së cilës “E Diela më e bardhë e pashkës” do të vinte në vitin 1993, kur me insistimin e atë Zef Pllumit do të niste rishtazi botimi i Hyllit të Dritës.

Hera e fundit kur botimi u ndërpre ishte viti 1997, kur, për arsye politike, Shqipëria kaloi në anarki.

Në vitin 2013, me rastin e 100-vjetorit të botimit të “Hylli i Dritës”, drejtori i asaj kohe, Ardian Ndreca, thoshte se “Hylli bën përpjekje që të ecë me kohën, t’u përgjigjet sfidave me gjuhën e shkencës, duke prekur fushat si gjuhësia, albanologjia, historia e të tjera.”

Kështu “Hylli i Dritës” ka dhënë, po jep dhe ka për të dhënë edhe në të ardhmen kontributin e patjetërsueshëm në krijimin e një identiteti shqiptar në çdo fushë.

Lexo po ashtu:  Historia e veshjes unike të grave shqiptare/ “Një mijë e një fije”, xhubleta në Javën e Modës në Milano!

Sot “Hylli” kërkohet nga studentët për të përgatitur tema studimi dhe nga punonjësit shkencorë për të studiuar probleme të veçanta të profilit të tyre. Amaneti i Fishtës: “Hylli të jetojë” u bë realitet.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com