Do të doja të shëtisja me ty në lagjet periferike, një ditë të diel pranvere, nën qiellin gri, shoqëruar nga ndonjë gjethe e vjetër e vitit të shkuar zvarritur nëpër rrugë nga era.
Në rrethina burojnë mendime melankolike të çuditshme dhe ne endemi me orë të tëra bashkë me poezinë, e cila lidh zemrat e atyre që duhen fort. Lindin shpresa që nuk dimë t’ i shprehim, ndihmuar nga horizontet pafund pas shtëpive dhe trenave arratisur prej reve të Veriut. Do mbahemi për dore dhe me hapa të lehtë do ecim duke thënë marrëzira të bukura, derisa të ndizen llambat dhe nga shtëpitë e gdhendura të dalin historitë e qytetit, aventurat, romancat. E atë çast prekemi, pa lëshuar dorën njëri – tjetrit se shpirtrat flasin pa fjalë.
Por ti, tani më kujtohet, kurrë nuk më the marrëzira të bukura, kështu që s’ mund ta duash këtë të diel që të tregoj, as shpirti yt s’ mund t’i flasë timit në heshtje, nuk e di orarin e saktë të magjepsjes së qytetit, as shpresat që zbresin prej Veriu. Ti pëlqen dritat, çmendurinë, burrat që të shohin, rrugët në të cilat thonë mund të hasësh fatin.Ti je ndryshe nga unë e nëse do të vije shëtitje këtë të diel, ti do të ankoheshe nga lodhja. Vetëm kaq e asgjë tjetër….
Shqipërimi nga Rielna Paja
