Platoni, një nga mendimtarët më të mëdhenj të historisë, lindi rreth vitit 427 para erës sonë dhe vdiq në vitin 347 p.e.s. Ai ishte biri i Aristonit dhe Periktionisës, dhe kishte dy vëllezër — Glaukonin dhe Adeimantin. Emri i tij i vërtetë ishte Aristokles, por më vonë do të njihej në histori si Platoni, një nofkë që i erdhi nga “gjoksi dhe balli i gjerë” — shenjë e një pranie që të impononte respekt.
Qysh në rini, Platoni u ndikua nga mësimet e Kratilusit, pasues i Heraklitit, si dhe nga filozofët e tjerë para-Sokratikë si Pitagora dhe Parmenidi. Këto ide i dhanë themelet e para për kërkimet e tij metafizike dhe epistemologjike. Por takimi me Sokratin, në moshën 20-vjeçare, do të shënonte kthesën vendimtare të jetës së tij. Ai qëndroi pranë mësuesit të madh deri në fund — deri në ekzekutimin e Sokratit në vitin 399 p.e.s. — një ngjarje që do të ndikonte thellësisht në filozofinë e tij.
Pas vdekjes së Sokratit, Platoni gjeti përkohësisht strehim në Megara, te miku i tij Euklidi. Më pas u rikthye në Athinë dhe për një dekadë iu përkushtua shkrimit të veprave filozofike, të cilat mbartin qartë frymën e Sokratit.
Në Athinë, Platoni themeloi Akademinë, një qendër studimi që do të bëhej simbol i mendimit filozofik perëndimor. Ai dha mësim me intensitet e pasion dhe shkroi mbi çështje madhore si politika, etika, metafizika dhe epistemologjia. Ndër format më të njohura të shkrimeve të tij janë dialogjet filozofike, të cilat kanë mbijetuar pothuajse të gjitha deri në ditët tona, duke e bërë veprën e tij një trashëgimi të gjallë për mendimin njerëzor.
Një nga veprat më të njohura është “Elozhi i dashurisë” (Simpoziumi) — një kryevepër ku filozofia takon poezinë dhe dashuria shndërrohet në një udhëtim drejt së vërtetës. Në gjuhën shqipe kjo vepër u përkthye mjeshtërisht nga Lazër Radi, duke sjellë në duart e lexuesit shqiptar një nga tekstet më të thella të mendimit perëndimor.
Trashëgimia e Platonit është shumë më tepër sesa një kapitull në historinë e filozofisë — ajo është themelet mbi të cilat ndërtohet vetë mënyra se si mendojmë për botën, për drejtësinë, dashurinë dhe të vërtetën.
Ai la pas vetes shumë vepra ndër të cilat është “Elozhi i dashurisë ose simpoziumi“, e cila në gjuhën shqipe erdhi e përkthyer nga Lazër Radi.
Një pjesë nga kjo vepër MekuliPress e ka shkëputur dhe e sjell në vazhdim:
“Tani po të le të qetë, o Agaton. Do t’ju tregoj diçka që më tha për dashurinë një grua nga Mantinea, Diotima, mjaft e përgatitur në kësi çështjesh, por edhe në shumë lëndë të tjera. Më anën e flijimeve që bënin athinasit, ajo arriti ta vonojë epideminë e mortajës për gati dhjetë vjet.
Qe ajo, që i plotësoi dijet e mia mbi lëndën e dashurisë dhe, nisur nga përfundimet që nxorrëm unë dhe Agatoni, do të përpiqem të përsëris, ashtu si mundem, me fjalët e mia bisedën që bëra me të. Pikërisht, ashtu siç the dhe ti, Agaton, edhe ajo më kërkoi të përcaktohet se ç’është Dashuria dhe cila është natyra e saj.
Besoj, se gjëja më e përshtatshme ishte të ndiqja dhe unë, po atë metodë që përdori ajo e huaj, kur diskutoi me mua. Edhe unë, i thashë pak a shumë po ato gjëra që më tha pak më parë Agatoni; se Dashuria është një perëndeshë e madhe, se është dashuri për gjërat e bukura, ndërsa ajo nisi të m’i hedhë poshtë me ato argumente që përdora unë, pra që
Dashuria nuk është e bukur (po përdor fjalët e mia) dhe as e mirë. “Unë iu ktheva: “Ç’thua kështu, o Diotimë? Sipas teje dashuria qenka e shëmtuar dhe keqbërëse? “
“Çfarë? Ti po fillon edhe të blasfemosh?”-më tha ajo- “Ti mendon se diçka që s’është e bukur, doemos duhet të jetë e shëmtuar?”
“Sigurisht.”
“Ti mendon se dikush që nuk është i ditur duhet të jetë doemos injorant?
A nuk e sheh se ka gjithmonë një rrugë e mesme ndërmjet dijes dhe injorancës?”
“E cila është kjo rrugë?”
“Të kesh një opinion të saktë, edhe nëse s’ke mundësi të shpjegohesh; dhe ta merr mendja se kjo nuk është dituri (si mund të jetë e tillë kur nuk di të japësh shpjegime), por ama nuk është as injorancë (si mund të jetë e tillë kur ajo përmban një të vërtetë). Me një fjalë edhe opinioni i drejtë është diçka e përafërt, është njëfarë rruge e mesme ndërmjet diturisë dhe injorancës. “
“Kjo që thua është e vërtetë,” – i thashë.
“Prandaj mos këmbëngul të thuash se ajo që nuk është e mirë, duhet të jetë e keqe. Po kjo mund ta thuhet edhe në raport me dashurinë, sepse e shoh se edhe ti je dakord që, ajo nuk është e mirë dhe e bukur, nuk duhet që të jetë as keqbërëse dhe as e shëmtuar, por, diçka midis këtyre dy ekstremeve.”
“Megjithatë”, -theksova unë-“ të gjithë janë të mendimit se ajo është një perëndeshë e fuqishme.”
“Të gjithë? Kush? Ata që nuk dinë, apo edhe ata që dinë?”
“Të gjithë.”
“Si mund të thuhet një gjë të tillë, o Sokrat? Na qenka një perëndeshë e madhe!-tha ajo duke qeshur-“Kur ka të tjerë që thonë se nuk është fare perëndi?”
“Po cilët janë ata që thonë?”
“Njëri prej tyre me sa duhet je ti, kurse tjetra jam unë.”
“Si mund ta thuash një gjë të tillë?”
“Në mënyrën më të thjeshtë. Të lutem m’u përgjigj: a nuk ke pohuar ti se gjithë perënditë janë të lumtur dhe të bukur? A mund të kesh guxim të më thuash nëse ndonji prej tyre nuk është as i bukur dhe as i lumtur?”
“O perëndi, jo, unë nuk mund të them këtë gjë.”-iu përgjigja.
“Sipas teje, të lumturit, a nuk janë ata që kanë edhe mirësi edhe bukuri?”
“Sigurisht.”
“A nuk e pranuam se dashuria i dëshiron gjërat e mira dhe të bukura, pikërisht sepse ato i mungojnë?”
“Po, patjetër.”
“Po si mund të jetë perëndi ai që nuk ka as bukuri e as mirësi?”
“Oh, jo, absolutisht jo.”
“A e sheh pra, “-përfundoi ajo-“edhe ti e pranove se dashuria nuk është një perëndi?”
*Shkëputur nga libri i Platonit: “Elozhi i dashurisë ose simpoziumi“
Përktheu: Dr. Lazër Radi
