Dremit liqeri, poezi nga Lasgush Poradeci

Mi zall të pyllit vjeshtarak,
Dremit liqeri pa kufi,
Ay ndaj fundesh u përflak
Posi me zjarr e me flori.

Posi me flakë-u ndes e kroj,
E vetëtiti plot magji,
E yll´ i ditës perëndoj
Në qetësi dhe dashuri.

Tashi po shuhet nënë mal
Qytet´ i ngrysur në të zi.
Po ndizen yjtë dal-nga-dal
Plot bukuri! plot fshehtësi!

Në këtë ças perëndimor,
Ndaj po më dehen sytë-e mi,
Kuptoj si shpirtin vjershëtor
M’a frymëzon një mall i ri.

Lexo po ashtu:  Akademia Mbarëkombëtare e Shkencave dhe e Arteve që duhet ta kemi
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com