Fragment nga libri “Fjalimet që përgjakën Ballkanin – Analizë retorike e fjalimeve të Millosheviqit” i Gëzim Mekulit

Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.

☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.

MekuliPress sjell për lexuesit një fragment nga libri “Fjalimet që përgjakën Ballkanin – Analizë retorike e fjalimeve të Millosheviqit”, me autor Gëzim Mekuli.

Ky libër analizon, përmes metodave të analizës retorike dhe komunikimit politik, mënyrën se si gjuha, propaganda dhe manipulimi i emocioneve u shndërruan në instrumente të mobilizimit nacionalist dhe të nxitjes së konflikteve në ish-Jugosllavi. Duke krahasuar elemente të retorikës së Sllobodan Millosheviqit me modele të njohura të propagandës totalitare naziste, autori argumenton se luftërat nuk paraprihen vetëm nga armët, por edhe nga fjalët.

Fragmenti i mëposhtëm është pjesë e kapitullit përmbyllës të librit dhe trajton ngjashmëritë retorike ndërmjet diskursit të Millosheviqit dhe propagandës së Adolf Hitlerit, duke e vendosur theksin te krijimi i armiqve, manipulimi i frikës kolektive dhe ndërtimi i miteve nacionaliste.

(Fragment nga libri “Fjalimet që përgjakën Ballkanin – Analizë retorike e fjalimeve të Millosheviqit”, autor: Gëzim Mekuli. Të gjitha të drejtat e rezervuara.)

*Një popull nuk e krijon vetveten!

Millosheviqi nuk është më në këtë botë, por fatkeqësisht retorika nacionaliste e tij jeton dhe është gjerësisht e dukshme në gjuhën e politikanëve serbë. Fjalimet e Millosheviqit, zgjedhja e shprehjeve gjuhësore nga ana e tij, krijuan një popull me kërkesa e nevoja për më shumë “Lebensraum” në Jugosllavi; ky popull i sajuar arriti të besonte në idenë e Serbisë së Madhe. Ai qe i gatshëm të kalonte mbi kufoma për të arritur këtë gjë.

Lexo po ashtu:  Policia: Të gjitha vendimet e institucioneve kompetente i zbatojmë

9.5. Për fund

Le ta kujtojmë këtu, edhe njëherë, retorikën e fuqishme të Adolf Hitlerit. Udhëheqësi gjerman që në vitin 1939, ashtu sikurse bëri edhe Millosheviqi në vitin 1989, u drejtohej masave dhe luante, ndër të tjera, me zemërimin e votuesve dhe frikën e tyre lidhur me pasigurinë ekonomike e politike të kohës (patos). Edhe pasiguria gjermane erdhi nga kriza ekonomike që kishte goditur Gjermaninë disa vite më parë, e cila solli me vete varfëri dhe papunësi, mu ashtu sikurse ndodhi edhe me Jugosllavinë në vitet e fundit të ekzistencës së saj.

Strategjia e fushatës zgjedhore të Adolf Hitlerit, ashtu sikurse edhe ajo e liderit serb, mbështetej në një formë propagande masive, mesazheve të dyfishta dhe përshkrimit të situatës së vendit, e quajtur edhe përshkrimi i frikës dhe mjerimit, ku, në të dyja rastet, u “gjet” fajtori.

Një shembull i mesazheve të tilla të dyfishta mund të jetë fokusi i tyre tek paqja, por në të njëjtën kohë edhe imponimi për të ndjekur qëllime ekspansioniste. Kështu, Hitleri donte t’i riktheheshin Gjermanisë tokat e “humbura” nga Traktati i Versajës, ashtu sikurse edhe Millosheviqi i vuri vetes detyrë e mision kombëtar që ta ripushtonte Kosovën e “humbur”. Prirja e Hitlerit për të shmangur vendimet e Traktatit të Versajës dhe dëshira e Millosheviqit për ta ndryshuar Kushtetutën, dëshmon për një qëndrim izolues të tyre.

Lexo po ashtu:  Masakruesi i familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, i cili vrau 16 civilë shqiptarë, anëtari i njësitit famkeq ‘’Shkorpjonët’’, Sasha Cvjetani, u pat dënuar me vetëm 20 vite

Për më tepër, përshkrimi i mjerimit të Serbisë nga Millosheviqi ishte një kopje e mirë e fjalimeve të Hitlerit. Në fjalimet e udhëheqësit nazist dëgjohet se si Gjermania kishte dy lloje armiqsh që ishin fajtorë për mjerimin dhe varfërinë e gjermanëve: armiq të jashtëm dhe të brendshëm. Hebrenjtë u portretuan si armiq të brendshëm të gjermanëve, ndërsa armiq të jashtëm u shpallën Fuqitë e huaja që, ndër të tjera, qëndronin pas Traktatit të Versajës. Këto elemente retorike i gjejmë edhe tek Millosheviqi. Edhe për serbët u gjetën dy lloje armiqsh që ishin fajtorë për mjerimin dhe varfërinë e tyre: armiq të jashtëm dhe të brendshëm. Kushtetuta, juguniteti, opozita serbe, shqiptarët dhe të tjerët e padëshiruar ishin armiqtë e brendshëm të Serbisë, ndërsa armiq të jashtëm ishin NATO dhe fuqitë e huaja.

Edhe Millosheviqi, sikurse Hitleri, e përdori këtë strategji retorike në mënyrë aktive gjatë fjalimeve të tij publike. Ai, posi Hitleri, përmes fjalimeve të tij publike bënte thirrje nacionaliste.

Dëshira dhe misioni i tij për ta nxjerrë Gjermaninë nga varfëria, poshtërimi e mjerimi dhe, për ta bërë atë përsëri krenare, të madhe dhe të fuqishme, ishte qendrore në retorikën e Adolf Hitlerit. Vetëm 60 vjet më pas, në Ballkan, u shfaq një njeri që ëndërronte dhe dëshironte ta bënte Serbinë krenare, të madhe dhe të fuqishme…

Lexo po ashtu:  “The Guardian”: Aventurë emocionuese skijimi në peizazhet e Bjeshkëve të Nemuna

23 nëntor 2021. Mediat në Beograd njoftojnë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është shprehur se: “Kosova është vend i shenjtë serb dhe se Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur”. FUND

Thirrje publike për Ministria e Arsimit dhe Sportit

Duke marrë parasysh rëndësinë e edukimit mediatik, mendimit kritik dhe studimit të propagandës politike, MekuliPress i bën thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës që ta shqyrtojë mundësinë e përfshirjes së librit “Fjalimet që përgjakën Ballkanin – Analizë retorike e fjalimeve të Millosheviqit” të autorit Gëzim Mekuli në literaturën universitare për studentët e gazetarisë, medias, gjuhës, komunikimit, shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në një epokë kur propaganda, dezinformimi dhe manipulimi i opinionit publik përhapen me shpejtësi përmes mediave tradicionale dhe rrjeteve sociale, studentët shqiptarë kanë nevojë jo vetëm të mësojnë si prodhohet komunikimi, por edhe si zbërthehen mekanizmat e propagandës dhe të gjuhës së urrejtjes.

Ky libër ofron një analizë të argumentuar të retorikës që parapriu luftërat në Ballkan dhe ndihmon studentët të kuptojnë se si fjalët mund të shndërrohen në instrumente të mobilizimit politik, të dehumanizimit dhe, në fund, të dhunës.

Shoqëritë demokratike nuk ndërtohen vetëm duke mësuar historinë; ato forcohen duke mësuar të njohin propagandën para se ajo të prodhojë pasoja tragjike. Për këtë arsye, ky libër meriton të jetë pjesë e pensumit universitar në Kosovë. #MekuliPress.com

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com