Elitat, Epstein dhe pornografia sociale: kush mban përgjegjësi atje në maje?

Norvegjia po kalon një moment të pakëndshëm, por të nevojshëm. Jo sepse një princeshë është përmendur në dokumente që lidhen me Jeffrey Epstein. Jo sepse djali i saj po përballet me gjykatën për akuza të rënda përdhunimi. Por sepse këto raste po e detyrojnë shoqërinë norvegjeze të bëjë një pyetje që zakonisht shmanget: a vlejnë të njëjtat standarde morale për të gjithë ne?

Princesha e Kurorës norvegjeze, Mette-Marit, nuk është një qytetare e zakonshme. Ajo është Zojë e rëndë, simbol i shtetit. Pikërisht për këtë arsye, mediat norvegjeze nuk po mjaftohen me arsyetimin e saj “nuk e dija”, “Gjykova dobët”. Sepse Jeffrey Epstein nuk ishte një emër i panjohur. Prej vitesh ai ishte i njohur si figurë problematike, i dënuar, i përfolur. Thjeshtë i rrezikshëm.

Kurë një figurë mbretërore zgjedhë të hyjë në rrethin e tij shoqëror, problemi nuk është sall ligjor; është edhe etik.

Dhe etika nuk matet vetëm me qëllime, por me gjykim.

Lexo po ashtu:  “Zakoniku” i Dushanit – Gurthemel i mashtrimeve të historiografisë serbe

Kjo çështje merr peshë edhe më të madhe sot, kur djali i Mette-Marit ndodhet përballë drejtësisë për akuza që përfshijnë dhunë seksuale dhe përdorim të narkotikëve. Gjykata do të vendosë për fajësinë, por kombi norvegjez ka të drejtë të pyesë: a e rritë elitizmi ndjesinë e pandëshkueshmërisë? A mësohen disa njerëz “elitarë” që kufijtë janë elastikë, sepse sistemi gjithmonë do t’i kuptojë?

Kjo nuk është vetëm një histori familjare; është histori pushteti.
E Norvegjia po e trajton këtë debat me seriozitet. Politikanë kanë folur hapur për “gjykim të dobët” të Mette-Marit. Edhe Media po kërkon transparencë, por ama askush nuk po bërtet e as nuk po çjerret; dhe askush prej mediave norvegjeze nuk po heshtë. Dhe ky është dallimi mes një shoqërie që përpiqet të ruajë standarde dhe një tjetre që i heshtë dhe i relativizon të zezat.

Për publikun shqiptar, kjo histori duhet të tingëllojë e njohur, apo jo?
Edhe në Tiranë e Prishtinë politika dhe media flet për moral, familje dhe vlera, ndërsa mbron elitat nga përgjegjësia. Edhe në shoqërinë shqiptare gabimet e të fuqishmëve quhen “lapsuse”, ndërsa gabimet e shqiptarit të zakonshëm quhen “krime”. Ndryshon sistemi; monarki atje, republikë këtu, por logjika është, thuaja, e njëjtë: morali zbatohet poshtë, jo lart.

Lexo po ashtu:  Si u dërguan telegramet e rrejshme Londrës në emër të shqiptarëve - Nikolla Pashiq (1912) urdhëron oficerët serbë të shkruajnë telegrame të rreme Londrës në emër të përfaqësuesve të shqiptarëve.

Ndërkohë, çfarë bën media shqiptare?
Në vend që të ushtrojë presion etik mbi pushtetin, ajo zgjedh rrugën më të lehtë: pornografinë sociale. Bigbrother, Reality show, ekspozim ekstrem i jetës private, dhuna e paketuar si argëtim. Një përzierje e rrezikshme mes zbavitjes dhe shpërlarjes së trurit.

Në këtë mënyrë publiku shqiptar mësohet të shohë gjithçka, të ndjejë pak dhe të pyesë edhe më pak.

Kjo nuk është rastësi; është mekanizëm, është plan. Sepse sa më shumë normalizohet dekadenca në ekran, aq më pak vëmendje ka për dekadencën reale të elitave pushtetare.

Prandaj rasti i princeshës norvegjeze, Mette-Marit, nuk është thjeshtë sall skandal nordik; është një lloj pasqyre. Na tregon çfarë ndodh kur elitat politike, ekonomike dhe akademike mbrohen nga simbolika, kur media shpërqendron, manipulon dhe kur morali kthehet në sllogan, jo në standard.

E pyetja që mbetet nuk është vetëm për Norvegjinë. Është për të gjithë ne shqiptarët: a duam shtet ku pushteti arsyetohet dhe qytetari i shkretë gjykohet? Apo një shoqëri ku përgjegjësia morale fillon që nga maja?

Lexo po ashtu:  Pse kërkesa e paktit për mos-sulmim është gjetje brilante?

Sepse nëse morali nuk vlen për ata që kanë më shumë pushtet e lek, atëherë ai nuk është moral; është thjeshtë propagandë.

Konsekuent deri në fund: Nëse elitat jetojnë pa përgjegjësi, mediat shpërndajnë pornografi sociale dhe politika na shet moral për konsum publik, kush dreqin po na sundon realisht: ligji apo hipokrizia?#MekuliPress

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com