Ka gjëra që nuk mund të shiten, blihen apo përdoren si maskë politike. Njëra prej tyre janë simbolet kombëtare. Ato nuk janë thjeshtë një flamur, një stemë, një emblemë apo një kapelë; ato janë kujtesë, sakrificë, nder; është gjaku i atyre që dhanë jetën për këtë vend.

Sot, për fat të keq, shohim gjithnjë e më shpesh njerëz që vishen me simbolet e UÇK-së për fotografi, ndërkohë që pas tyre qëndron dyshimi, korrupsioni, mashtrimi apo edhe shërbimi ndaj Serbisë.
Ky është keqpërdorim.

Simboli është fuqi dhe kjo fuqi mund të (keq)përdoret

Ferdinand de Saussure, një nga themeluesit e shkencës moderne të shenjave, shpjegon se çdo shenjë ka dy pjesë: shenjuësin, pra formën e jashtme që shihet (si emblemë, flamur apo logo), dhe të shenjuarin, pra kuptimin që i bashkëngjitet në ndërgjegjen kolektive (si liria, rezistenca, pavarësia apo sakrifica).

Duhet nënvizuar se lidhja mes tyre nuk është natyrore, por e ndërtuar shoqërisht, pra e ndryshueshme. Kjo do të thotë se kuptimi i një simboli nuk është i përhershëm; ai mund të ndryshohet në varësi se kush e përdor, ku dhe për çfarë qëllimi e përdorë. Kjo e bën simbolin një mjet të fuqishëm komunikimi, por edhe manipulimi.

Lexo po ashtu:  Dijetarët dhe rezistenca shqiptare në Çamëri

Kështu ndodh kur një simbol që dikur përfaqësonte lirinë, kryengritjen dhe sakrificën e shqiptarëve, përdoret sot nga individë që nuk kanë asnjë lidhje me ato vlera ose ishin dikur por sot kanë lidhje me antivlera.

Kur një njeri i dyshuar për spiunazh me Serbinë, një politikan që ka nënshkruar copëtimin e Kosovës, ka falur tokë të saj, ka sponsorizuar Gjykatën Speciale kundër UÇK-së, ka vjedhur e plaçkitur, e sot shfaqet me simbolin e UÇK-së në kokë, duke pozuar para heronjve që dhanë jetën për Pavarësi, këtu ndodh një akt i zhvendosjes semiotike.

Këta njerëz të shkretë nuk e lartësojnë simbolin; përkundrazi, e ndotin, e shndërrojnë në maskë dhe vegël manipulimi, për t’u dukur si “njëri prej tanëve”, ndërkohë që u shërbejnë shejtanëve.

Një strategji e njohur e manipulimit politik

Kjo taktikë është e njohur në diskursin politik botëror: përdorimi i një simboli të dashur për të krijuar perceptim pozitiv dhe për të maskuar veprime që nuk përputhen me idealet e tij — në këtë rast, me idealet e UÇK-së dhe flamurit kuqezi.

Lexo po ashtu:  Kryeministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut nuk është ide politike, por vepër historike.

Historia njeh shumë raste të tilla:
Në Gjermani, simbolet naziste u përdorën nga grupime ekstremiste pas Luftës së Dytë Botërore për të rikrijuar një “identitet kombëtar” të rremë.
Në SHBA, flamuri amerikan u përdor nga grupe supremaciste për të fshehur retorika urrejtjeje nën petkun e patriotizmit.
Në Rusi, simbolet sovjetike u ringjallën për të ushqyer nostalgjinë dhe për të legjitimuar autoritarizmin.

Manipulimi me simbole nuk është, pra, gjë e re. Është një teknikë e vjetër dhe shumë e rrezikshme.

Simboli është kapital moral

Pierre Bourdieu e quante simbolin “kapital simbolik”: një burim fuqie që përdoret për të fituar ndikim, besueshmëri ose kontroll.

Kjo përbën një rrezik real për kujtesën historike dhe identitetin kombëtar. Si çdo pasuri, edhe kjo mund të vidhet, të përdhoset dhe të përdoret për qëllime antikombëtare. Kur një simbol kombëtar përdoret nga njerëz që nuk i përfaqësojnë vlerat e tij, ai humb kuptimin, forcën dhe shenjtërinë.

Të nderuar lexues,
Flamuri kuqezi dhe simbolet e UÇK-së, të luftës sonë çlirimtare, nuk janë zhele apo “garderobë patriotike” për ditë të vështira. Ato janë shenja që bartin dhimbje, sakrificë dhe nder.

Lexo po ashtu:  Si u themelua Roma: Pak të vërteta dhe shumë legjenda

Simbolet kombëtare nuk janë pronë e individëve apo partive politike; ato janë pasuri morale e përbashkët. Kur përdoren si maskë për qëllime personale apo armiqësore, ndodh një dhunim i kujtesës historike.

Të mbrosh simbolin do të thotë të mos lejojmë që ai të përfaqësohet nga ata që nuk ia dolën në politikë a fushëbetejë, por kërkojnë të na dalin “patriotë” nëpër fotografi.

Mbrojtja e simboleve është detyrë e përbashkët: e qytetarëve, mediave dhe shoqërisë civile. Sepse simboli është amanet, jo stoli.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com