Në fillim binte shi mbi një kinema gjysmë të rrënuar. Kino Lumbardhi kishte sallën, karriget dhe kujtesën e kinemasë, por jo më jetën e saj. Prizreni nuk kishte infrastrukturë festivali, ndërsa ata që më 2002 hapën dyert nuk ishin kineastë. Kishte rreth njëzet filma dhe asnjë siguri se do të kishte edicion të dytë. Ishte shtator. Në hapje rrebesh shiu.
Dejona Mihali
Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.
☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.Po ta ngrinim atë çast si kuadër, DokuFest-i do të ishte vetëm kaq: shi, njerëz, karrige, ekran.
Por filmi nuk është një kuadër. Godard-i e kaloi kinemanë duke dyshuar në pafajësinë e imazhit. Çfarë ka para tij, çfarë pas? Çfarë është prerë? Çfarë mbetet jashtë? Kuptimi lind edhe ndërmjet dy pamjeve.

Le ta provojmë kështu historinë e DokuFest-it:
Kosovë, 1999: njerëzit përpara kamerës.
Prizren, 2002: njerëzit përpara ekranit.
3 vjet midis dhe ndryshimi i tërë i pozitës.
Shqiptarët kishin qenë ndër pamjet më të shikuara të Evropës. Refugjatë në kolona, UÇK, Kukësi, shtëpi të djegura, masakra, varreza masive, dhunime, bombardime, çlirim, kthim. Bota na kishte parë. Por të jesh i dukshëm nuk do të thotë ta zotërosh mënyrën si shihesh.
Në Kino Lumbardh ndodhi një përmbysje e heshtur. Njerëzit që kishin qenë brenda kuadrit të kamerës së botës u ulën përballë ekranit dhe filluan ta shihnin botën.
Nga të shikuar, u bëmë shikues.
Kjo është ajo që Rancière e quan ndarje të së ndjeshmes. Rendi që përcakton kush shihet, kush sheh, kush flet dhe cili zë dëgjohet. DokuFest-i solli filma. Por mbi të gjitha ndryshoi pozitën prej nga shihnim.
Bota nuk vinte më vetëm me kamera për të parë Kosovën. Tani vinte në ekran që Kosova ta shihte atë.
Dhe çfarë bote.
Punëtori që del nga fabrika e Lumière-ve dhe punëtori kroat që, një shekull më vonë, lufton për fabrikën e vet. Hitchcock-u dhe historia e vetë kinemasë. Gruaja në Iran. Fëmija në Palestinë. Lufta në Ukrainë. Kujtesa e Jugosllavisë. Revolucionet dhe diktaturat e Kilit e Argjentinës. Kuba, Haiti, Brazili, Meksika; Kina, Kamboxhia, Indonezia; Algjeria, Maroku, Senegali, Kongoja.
Jo një atlas shtetesh. Një hartë jetësh.
Në ekran flitet persisht, arabisht, hebraisht, ukrainisht, boshnjakisht, kroatisht, turqisht, frëngjisht, spanjisht, portugalisht, gjermanisht, anglisht, japonisht dhe shqip, përplot shqip.
Shqipja rri poshtë ekranit dhe i pret të gjitha.
Një gjuhë që kishte luftuar për shkollën, librin, universitetin dhe hapësirën e vet publike, tani bëhet gjuhë përmes së cilës spektatori në Prizren lexon botën. Filmi flet në një gjuhë, titri në një tjetër, por përkthimi i vërtetë ndodh te spektatori.
Një film palestinez nuk mbetet vetëm Palestinë kur e sheh dikush që e njeh humbjen e shtëpisë, humbjen e vendit. Një fabrikë kroate nuk mbetet vetëm Kroaci kur e sheh një shoqëri që njeh socializmin, privatizimin dhe tranzicionin.
Spektatori është përkthyes i botës.
Ky është spektatori i emancipuar i Rancière-it. Publikut nuk i dorëzohet kuptimi për ta konsumuar. I besohet aftësia për ta prodhuar.
Dokumentari e bën këtë marrëdhënie edhe më të vështirë, sepse e vërteta e tij nuk është e pafajshme. Njeriu ka qenë aty, fjala është thënë, shtëpia ka ekzistuar; por dikush ka zgjedhur kuadrin, distancën, çastin dhe prerjen. Montazhi, te Godard-i, nuk është ngjitje pamjesh. Është mendim.
Palestina nuk është Kosova. Ukraina nuk është Bosnja. Kili nuk është Jugosllavia. Irani nuk është Irlanda. Kinemaja nuk i barazon.
I afron aq sa ndryshimi ndërmjet tyre të fillojë të mendojë.
Për Kosovën e vitit 2002 gjithçka kishte një peshë tjetër. Fotografia, videoja, dëshmia, emri, varri dhe sendi i mbetur sapo kishin qenë pjesë e betejës kundër zhdukjes dhe harresës.
Benjamin-i kërkonte që historia të lexohej edhe në fragmentet dhe jetët mbi të cilat rrëfimi i madh kalon. Dokumentari ndalet pikërisht aty ku kronika largohet, te fytyra pasi masa ka ikur, te dhoma pasi njeriu mungon, te sendi pasi ngjarja ka përfunduar.
Historia nga poshtë fiton imazh. Por DokuFest-i nuk lindi vetëm në Kosovën e pasluftës. Lindi në Prizren. Dhe kjo ndryshon gjithçka.
Prizreni kishte kaluar shekuj duke bërë atë që DokuFest-i do të bënte më vonë me filmin, duke vendosur kohë, gjuhë dhe botë pranë njëra-tjetrës pa i bërë të njëjta.
Nën qytetin e sotëm janë gjurmët e të vjetrit, sipër tij Kalaja. Mes tyre zbret jeta drejt Lumëbardhit. Ura lidh brigjet, çarshia rrugët, banesa privaten me publiken. Minarja, kisha, hamami, shatërvani, zejtari, tregtari, udhëtari, secila kohë ka lënë një shenjë dhe ka marrë diçka me vete.
Prizreni nuk është ndërtuar në një kohë. Është depozituar.
Më 1878 qyteti u bë vendi ku shqiptarët u mblodhën për ta menduar politikisht veten. Pastaj erdhën shtetet, luftërat, Jugosllavia, modernizimi, shkolla, fabrika, kultura publike. Më 1952 u hap Lumbardhi, më 1959 kinemaja verore. Edhe ekrani u bë pjesë e qytetit. Pastaj erdhi lufta. Pastaj heshtja e kinemasë.
Dhe më 2002, shiu dhe dyert që u hapën përsëri.
Këtu mendimi i Emin Rizës mbi ansamblin historik bëhet çelës për ta lexuar DokuFest-in. Qyteti nuk është inventar monumentesh. Është marrëdhënie. Kalaja me siluetën, ura me lumin, rruga me çarshinë, banesa me oborrin, monumenti me ndërtimin e zakonshëm, të gjitha me njeriun.
Një qytet historik mund të humbasë edhe pa iu rrëzuar asnjë mur. Mjafton t’ia largosh jetën.
DokuFest-i bëri të kundërtën. Filmi doli nga Lumbardhi, preku lumin, hyri në Marash, kaloi rrugëve, hapi shtëpitë dhe u ngjit në Kala.
Prizreni zbuloi se trashëgimia e tij nuk kishte vetëm emra, data e stile. Kishte edhe folje.
Lumi mund të projektojë. Kalaja mund të shikojë. Shtëpia mund të mirëpresë. Rruga mund të lidhë dy filma.
Qyteti mund të bëhet kinema.
Kjo është hapësira që prodhohet te Lefebvre-i dhe e drejta mbi qytetin te David Harvey. Jo vetëm të drejtën për të hyrë në qytet, por fuqinë për ta ndryshuar duke ndryshuar mënyrën si jetojmë në të.
DokuFest-i nuk ndërtoi një Prizren tjetër.
Ia zbuloi këtij Prizreni disa mundësi të vetvetes.
Edhe ajo që themeluesit e quajnë filozofi punk gjendet pikërisht këtu. Jo në pozën e rebelimit, por në mospranimin e autoritetit të mungesës. Nuk kishte strehim, u hapën shtëpitë. Marashi u bë kamp. Nuk kishte kinema, u gjetën ekranet. Nuk kishte hapësirë, u shpik përdorimi.
Aty ku mungonte infrastruktura, marrëdhënia njerëzore u bë infrastrukturë.
Dhe ekrani në Kala e mbledh të gjithë këtë në një imazh.
Një mur që mban shekuj. Një aparat i modernitetit. Një film i ardhur nga ana tjetër e botës. Një spektator që mban kujtesën e vet.
Një arkiv i vitit 1945 mund të projektohet mbi një Kala shumë më të vjetër, një revolucion i 1968-s të shihet nga dikush që kujton 1981-shin apo 1999-shin. Ukraina e sotme të kalojë përmes kujtesës së një lufte të djeshme.
Te imazhi-kohë i Deleuze-it, koha nuk ecën më si kalendar. Bëhet shtresë. Pikërisht si Prizreni.
Dhe pastaj paradoksi i Benjamin-it pra filmi mund të riprodhohet pafund. Sonte në Prizren, nesër në Amsterdam. Por nata nuk riprodhohet.
Nuk kopjohet zhurma e Lumëbardhit, ngjitja në Kala, guri që ruan ende nxehtësinë e ditës, qyteti poshtë, heshtja e qindra njerëzve kur ndizet ekrani. Filmi ka kopje. Takimi jo.
Kjo është aura që festivali ia kthen imazhit, aura e bashkëpranisë.
Por çdo fitore bart hijen e vet. Festivali që lindi pa institucion mund të rehatohet në institucion. Punk-u mund të bëhet markë. Qyteti i jetuar skenografi. Revolucioni estetikë. Dhimbja e tjetrit një imazh i bukur që e duartrokasim dhe e harrojmë. Prandaj DokuFest-i nuk ka nevojë të ruajë varfërinë e fillimit. Duhet të ruajë shqetësimin. Aftësinë për të mos e ditur paraprakisht çfarë duhet të mendojë spektatori.
Edhe me sytë nga ekrani i madh e lakmoj ngahera një skenë.
Është natë në Kala. Poshtë, Prizreni. Lumëbardhi pret errësirën. Ekrani ende nuk është ndezur.
Në një rresht të pamundur janë ulur disa njerëz që koha nuk mund t’i kishte sjellë kurrë bashkë.
Godard-i nuk sheh ekranin. Sheh rrezen e projektorit: Mos i beso shumë imazhit. Vëre pranë një tjetri. Nëse nuk grinden, ende nuk ke filluar të mendosh.
Rancière-i sheh publikun: Mos ua shpjego. Spektatori nuk është vendi ku përfundon filmi. Është vendi ku ai fillon përsëri.
Benjamin-i ka kthyer kokën nga dritat e qytetit:
Shiko mirë atë që historia la në skaj. Ndonjëherë një fragment shpëton më shumë të vërtetë se një monument.
Deleuze-i sheh ekranin përpara Kalasë:
Mos pyet ku mbaron e shkuara. Sonte ajo po projektohet mbi të tashmen.
Lefebvre-i dëgjon lumin: Qyteti nuk është vetëm ajo që është ndërtuar. Është ajo që njerëzit bëjnë ndërmjet mureve.
Harvey ia kthen: Dhe kur të gjithë ta dëshirojnë këtë qytet, pyet kush do të ketë ende të drejtë ta ndryshojë.
Emin Riza nuk sheh as projektorin, as ekranin. Sheh Prizrenin. Kalanë. Çatitë. Minaret. Kishat. Urën. Lumin. Rrugët. Hesht.
Pastaj: Mos ma ruani qytetin si fotografi.
Edhe pak heshtje.
Lëreni të jetojë, por bëni kujdes që çdo kohë të lërë gjurmën e vet pa ia fshirë gjurmën kohës tjetër.
Atëherë ndizet projektori.Godard-i pushon së foluri. Rancière-i bëhet spektator. Benjamin-i kërkon fragmentin. Deleuze-i sheh kohën. Lefebvre-i qytetin. Harvey njerëzit që do ta kenë nesër. Emin Riza ende Prizrenin.
Dhe për disa sekonda teoria hesht. Mbetet vetëm drita që kalon mbi kokat e njerëzve dhe bie mbi ekran.
Ndoshta DokuFest-i është pikërisht ajo rreze.
U nis një natë me shi nga një Lumbardh gjysmë i rrënuar, kaloi mbi Lumëbardh, u ngjit në Kala dhe prej 25 vjetësh sjell fytyra, gjuhë, luftëra, revolucione, dashuri e jetë nga e gjithë bota në një qytet që prej shekujsh di të mbajë shumë kohë brenda vetes.
Dhe sa herë ndizet ekrani ndodh përsëri ai montazh i parë.
Prizreni që trashëguam.
Bota që ende po mësojmë ta shohim.
Dhe Prizreni që ende nuk e kemi parë.
Dokufest ose mrekullia jonë autentike. M’u në mes të shpirtit, në Prizren.
Gëzuar 25 vjetorin!
