Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar lidhur me bllokimin e formimit të Komisionit për Buxhet, duke thënë se opozita po pengon qëllimisht funksionimin institucional dhe zbatimin e ligjit për buxhetin e RTK-së.
Murati theksoi se ligji është i qartë dhe se buxheti i Radiotelevizionit të Kosovës mund të procedohet sapo të merret vendimi nga Komisioni për Buxhet. Sipas tij, opozita po përdor justifikime të pavërteta për të arsyetuar bllokimin.
“Qe çka thotë ligji për buxhetin e RTK-së! Krejt çka duhet, është një vendim i Komisionit për Buxhet, të cilin opozita po refuzon ta themelojë,” shkroi Murati.
Ai kundërshtoi pretendimin e opozitës se komisioni nuk mund të formohet pa u ditur paraprakisht se kush është pushteti e kush opozita.
“Dhe jo, nuk është e vërtetë që Komisioni për Buxhet nuk mund të formohet pa u ditur se kush është qeveria e kush është opozita. Ajo vlen për Komisionin për AKI dhe Komisionin për Mbikqyrje të Financave Publike. Prandaj ky arsyetim i opozitës nuk vlen,” theksoi ai.
Në përfundim, Murati akuzoi partitë opozitare për sabotim të qëllimshëm të proceseve shtetërore:
“Thjesht, opozita ka vendosur ta sabotojë shtetin.”
Deklaratat e Muratit vijnë në një kohë kur formimi i komisioneve parlamentare ka mbetur i bllokuar, duke ndikuar në funksionimin normal të Kuvendit dhe miratimin e vendimeve të rëndësishme, përfshirë ato buxhetore.
