Esat Mekuli, poezia si Manifest për lirinë e mendjes

Tempora Mutantur”, botuar më 1935.

Në vitin 1935, kur kombi shqiptar ishte ende i mbërthyer nga pushtimi, skamja, morrat, mjerimi, nga prangat e traditës, autoritetit absolut dhe paragjykimeve të rrënjosura, një djalë i ri, një poet i ri nga Nokshiqi, Esat Mekuli, edhe pse asokohe vetëm 18 vjeç, guxoi të flasë ndryshe. Poezia e tij, e mbushur me revoltë dhe thirrje për çlirim shpirtëror e kombëtar, përfaqëson një moment kthese në letërsinë shqipe. Kjo poezi nuk është thjesht poezi; është një akt rebelimi intelektual; është Kryengritje!

Me një gjuhë të ngjeshur e të fuqishme, Mekuli sfidon verbimin mistik, nënshtrimin ndaj dogmave dhe autoritetit, duke u bërë zë i një brezi që kërkon dritë, mendim kritik dhe liri të vërtetë.

Poezia “Tempora Mutantur” ndërtohet mbi një strukturë ritmike të përsëritur: fraza “Shqelmova të kaluemen” kthehet në një refren që simbolizon shkëputjen nga e moçmja, nga e vjetra, nga besimet e imponuara dhe nga mashtrimet serbe të institucionalizuara. Ky ritëm retorik krijon një tension të brendshëm, të ndezë zjarrë, duke i dhënë vargjeve forcën e një fjalimi para një turme; para popullit shqiptar.

Figura letrare të tilla si “gurrën e së Vërtetës”“Diellin jetëdhënës” dhe “ta përmbysim rrenën prej fronit” e ngrejnë poezinë nga niveli estetik në një plan universal të simbolikës. Mekuli jo vetëm denoncon errësirën, por edhe shpall një vizion të ndriçimit dhe të rilindjes nga pushtimi shpirtëror që vie nga kralevina serbe. E shkruar në vitin 1935, kjo poezi përbënte një sfidë të hapur ndaj normave dhe autoriteteve serbe/jugosllave të kohës. Mesazhi i saj kishte dimension të dyfishtë: çlirim nga nënshtrimi fetar e politik, por edhe emancipim kulturor e intelektual. Kjo e bën poezinë jo vetëm një dokument letrar, por edhe një manifest social.

Lexo po ashtu:  Rama ngre zërin në Prishtinë: E drejta është me Kosovën dhe pikë, gjeneralët serbë si fantazma nga lufta e humbur

Të dashur lexues,
Në kohën e Mekulit, “rrena” ishte shpesh e mishëruar në autoritetin absolut të fesë, monarkisë Serbe-Kroate-Slovene dhe traditave patriarkale. Sot, “rrena” shfaqet në forma të tjera: propagandë mediatike, lajme të rreme, manipulime politike e ekonomike. Por porosia mbetet po aq aktuale: të mos pranojmë verbërisht vendimet, të sfidojmë çdo autoritet që përdor mashtrimin për të na sunduar e përçarë, të kërkojmë të vërtetën dhe të luftojmë për të vërtetën.

Fraza “ta përmbysim rrenën prej fronit” mund të lexohet sot si një thirrje kundër çdo forme të pushtetit abuziv, qoftë ai ideologjik, mediatik, financiar, ambasadokracisë apo teknologjik. Mekuli e shkroi këtë për brezin e tij, por e la si amanet për brezat që do të vinin pas tij.

Largpamësia e poetIt

Esat Mekuli ishte jashtëzakonisht largpamës. Në një kohë kur pak guxonin të sfidonin hapur strukturat e ngurta shoqërore, ai e bëri këtë me një poezi të guximshme, të përbotshme dhe të përjetshme. Ai e kuptoi se çlirimi i njeriut nuk fillon sall nga ndryshimi i sistemit politik, por nga çlirimi i mendjes.

Vargjet e tij të vitit 1935 tingëllojnë edhe sot si një porosi e gjallë: pa mendim të lirë, pa mendimin kritik, nuk ka liri të vërtetë. Kjo e bën Mekulin jo vetëm poet, por edhe vizionar e udhërrëfyes shpirtëror për brezat shqiptare që vijnë. /Gëzim Mekuli/

Poezi nga Esat Mekuli

Tempora Mutantur

Lexo po ashtu:  "Janina kryeqyteti i Shqipërisë", - Gazeta e San Franciscos (USA), 17 prill 1897

Shqelmova të kaluemen — verbimin mistik të gjyshave të mij
dhe shkima gjithë dritat shëjte për të cilat menduen se janë t’amshueme:
shkatërrova shtigjet kah mësheftsija — për mue Zoti asht rrenë
që e kanë trillue të fortit — dikushi të jetë mbi dikë;
tjetër botë nuk ka — njeriu ka lindë me jetue i lirë prej paragjykimesh,

dhe jeton vetëm njiherë…

Shqelmova të kaluemen — prrallat me të cilat
ma mbushte mendjen im at,
im at, që beson në fuqinë e „Madhnisë së tij” dhe mendon se tanë „e vërteta asht në Të”…
Sepse — u ngina me errësinë, me trillime që na brejnë jetën, na shkatërrojnë si krymbi fuqinë tonë
dhe na bajnë „gjylpana të rëndomta për qepjen e azdisë së larme”…

O, na jetojmë në mashtrim dhe mashtrohemi përditë:
etnit tanë na mësojnë me iu përulë Zotit në qiell dhe Mbretit në tokë,
e na i pranojmë fjalët e tyne, pse mendojmë se ata flasin të vërtetën,
dhe thellë i përkulim qafat — për nderë të baba-Zotit dhe baba-Mbretit,
me gjunj para tyne, të gatshëm edhe jetën me dhanë…
(… pa dijtë se kjo asht rrenë e kurnisun, se asht shërbim i „nevojës”,
se kjo asht mashtrim mashtrimesh — gjithmonë me mbetë n’prangat e traditës
dhe me i përkulë krenat, me u gjunjue përvujtëshem në pluhun
dhe prore me vuejtë, dhe prore me u kacafytë në mjerim…)

— O, mjaft me rrena! Duem me pi tashma në gurrën e së Vërtetës
langje jetëdhansë: idetë që lindin bashkë me kohën që gufon para nesh — shkumbon, vlon e grish si kangë e fuqishme e rinisë —
rinisë sonë të përgjakshme së cilës flatrat ia thyejnë dhe e zhdukin ku munden…
Por — kush mund ta tresi rinien? Jetën e milionave?
Kush mundet me ndalë? Kush mundet me e zhdukë?
Kush me ndalë Kohën në rrjedhjen e nderimit të saj? Kush Diellin me e shue —
Diellin jetëdhënës, që ngrihet flakrueshëm mbi sukat e kuqremta?

Lexo po ashtu:  Enigma “Barbarosa” / Stalini po përgatitej të sulmonte Gjermaninë, Hitleri u tregua më i shkathët dhe sulmoi i pari

— Shokë, fitorja asht e jona, se na jemi jeta që po rritet, gufon nga gjaku, nga nevoja për fitore;
fuqia që do të shpërthejë si vullkani — me bumbullimë që botën ka me tundë —
tue rrënue gjithçka asht kalbë, me rrenë e mashtrime të kurnisuna,
n’humnërën e pafundët, në lamtumirën e mbrame!

… Dhe atëherë mbi ne do t’ia fillojnë kangës agimet e fitores sonë:
zanet do të shpërthejnë anë e mbanë botnave që klithin për Ditën e re që po zbardh, për Diellin shkëlqyes që në Liri
do të rrezojë me flakë të re që të mbijnë farna të reja edhe ma të plleshme…
Sepse, ju t’ardhshmit, do të rriteni të lirë, si zogu në rrëmb;
ju, fatlumë, që do të jetoni me bukuritë e nanës Natyrë,
ku do të kërkoni kuptimin e fantazisë së pafrenueshme dhe zemrave gazmore —
ju, të bardhët, që në gurrën e jetës do të ndieni gjithë gëzimet e saja…

Prandej — ta përmbysim rrenën prej fronit ku sundon
dhe me shkatërrimin e saj të marrim gjakun e lirive tona të pengueme!

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com