MekuliPress pyet me shqetësim: Po ne shqiptarët, çfarë bëjmë?

Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.

☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.

🇨🇦 Kanadaja i kthen shpinën Amerikës: Bojkoti kanadez ndaj SHBA-së po bëhet masiv

Kanadezët po përgjigjen me një armë që godet drejtpërdrejt ekonominë amerikane: kuletën.

Marrëdhëniet mes Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara kanë arritur një nga pikat më të ftohta në historinë moderne. Pas përshkallëzimit të luftës tregtare, kërcënimeve për tarifa dhe përpjekjeve të Donald Trumpit për ta paraqitur Kanadanë si një vend që duhet të bëhet pjesë e SHBA-së, në Kanada po rritet një lëvizje e fuqishme: «Elbows Up!» – “Ngrini bërrylat!”

Shprehja, e marrë nga kultura e hokejit, nënkupton: mos u tërhiq, mbroje veten dhe kundërpërgjigju.

Dhe kjo kundërpërgjigje nuk po mbetet vetëm në fjalë.

“Nëse është prodhuar në SHBA, nuk e blej”

Gjithnjë e më shumë kanadezë po shmangin produktet amerikane, nga ushqimet dhe pijet deri te teknologjia, shërbimet e transmetimit dhe udhëtimet në SHBA.

Disa kanë hequr dorë nga produktet e kompanive amerikane të teknologjisë. Të tjerë kanë ndryshuar shërbimet që përdorin në internet. Ka edhe konsumatorë që po zgjedhin të blejnë produkte kanadeze edhe kur ato u kushtojnë më shumë.

Një mekanik nga Ontario, për shembull, thotë se ka hequr dorë nga birra amerikane dhe tashmë paguan rreth 1.000 dollarë kanadezë më shumë në vit për birrën vendase. Për të, kjo nuk është më vetëm çështje çmimi.

Lexo po ashtu:  Tregtia gjermane vazhdon rritjen / Kalon pritshmëritë, rrit shpresat për rimëkëmbje të fortë ekonomike

Është çështje parimi.

Nga raftet e dyqaneve te telefonat

Bojkoti ka prekur edhe kompanitë më të mëdha amerikane.

Disa kanadezë kanë shitur pajisjet e tyre Apple, kanë ndryshuar aplikacionet amerikane dhe kanë kërkuar alternativa evropiane ose kanadeze. Edhe shërbimet e transmetimit dhe kompanitë amerikane të argëtimit janë futur në listat e bojkotit.

Në provinca të ndryshme, produktet amerikane të alkoolit janë hequr nga raftet. Ndërkohë, kërkesa për produkte “Made in Canada” është bërë pjesë e një lloj patriotizmi ekonomik.

Edhe një liqen u bë pjesë e luftës

Përplasja nuk është vetëm ekonomike.

Vendimi i Donald Trumpit për ta quajtur Lake Ontario me emrin “Lake America” ka shkaktuar zemërim të madh në Kanada. Shtetet e Bashkuara e kanë futur emrin e ri në sistemin e tyre gjeografik, ndërsa Kanadaja nuk e pranon ndryshimin. Google Maps tashmë e shfaq emrin ndryshe sipas vendit ku ndodhet përdoruesi.

Për kanadezët, kjo nuk është thjesht një çështje emërtimi. Është perceptuar si një tjetër shenjë e presionit politik amerikan.

Prandaj në Kanada dëgjohet gjithnjë e më shumë:

“Lake Ontario – tani dhe përgjithmonë.”

Një luftë tregtare me pasoja për të dyja palët

SHBA-ja ka vendosur tarifa të larta ndaj importeve kanadeze, ndërsa Kanadaja është përgjigjur me tarifa hakmarrëse ndaj qindra produkteve amerikane. Në fund të gushtit, Ottawa njoftoi tarifa të reja ndaj produkteve amerikane me vlerë rreth 20 miliardë dollarë kanadezë, duke përfshirë produkte industriale, ushqimore dhe mallra të konsumit.

Lexo po ashtu:  Erdogan: Politika greke bazohet në gënjeshtra, nuk kam çfarë të flas me Greqinë

Por ekonomitë e dy vendeve janë aq të lidhura sa që një luftë e gjatë tregtare nuk mund të mos ketë kosto edhe për kanadezët.

Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi.

Kanadezët janë të gatshëm të paguajnë më shumë, të zgjedhin produkte më të shtrenjta dhe të ndryshojnë zakonet e tyre të konsumit për të treguar se varësia ekonomike nuk duhet të kthehet në varësi politike.

“Elbows Up!” – më shumë se një slogan

Ajo që po ndodh në Kanada është interesante pikërisht sepse bojkoti nuk po udhëhiqet vetëm nga qeveria.

Ai po zhvillohet nga poshtë-lart: nga konsumatorët, familjet, bizneset dhe qytetarët e zakonshëm.

Sondazhet e mëparshme treguan se një shumicë e konsiderueshme kanadezësh ishin të gatshëm të zgjidhnin produkte vendase në vend të atyre amerikane, edhe kur kjo nënkuptonte kosto më të larta.

Dhe kjo është ndoshta pjesa më e rëndësishme e historisë:

Kanadaja nuk po i përgjigjet vetëm tarifës me tarifë. Po përpiqet të ndërtojë një ekonomi më pak të varur nga fqinji i saj jugor.

Nëse kjo lëvizje vazhdon, “Elbows Up!” mund të mbetet gjatë në kujtesën politike kanadeze – jo si një thirrje për luftë, por si një simbol i një vendi që i thotë një fuqie shumë më të madhe:
“Mund të jemi fqinjë. Mund të jemi miq. Por nuk jemi pronë e askujt.”

Lexo po ashtu:  Pas takimit me Bislimin në Bruksel, Petkoviq: Jemi pajtuar për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur

MekuliPress pyet me shqetësim: Po ne shqiptarët, çfarë bëjmë?

Kanadezët po bojkotojnë produktet amerikane në emër të dinjitetit dhe interesit të tyre kombëtar.

Po shqiptarët e Kosovës? Si po i bojkotojmë produktet e Serbisë – shtetit që na vrau, na dhunoi, na dëboi e na dogji shtëpitë dhe që edhe sot vazhdon të mos e njohë shtetin e Kosovës dhe ushtron dhunë ndaj tij?

Po shqiptarët e Shqipërisë? Si po sillemi me produktet greke, përballë një shteti që ka pjesë të historisë së tij të dhunës ndaj shqiptarëve dhe ku ende ekzistojnë pretendime e mosmarrëveshje territoriale me Shqipërinë?

A nuk është koha që edhe ne shqiptarët të mësojmë nga shoqëritë demokratike?

Bojkoti nuk është urrejtje ndaj një populli. Bojkoti është një mjet qytetar dhe ekonomik për të shprehur qëndrim. Nëse të tjerët dinë ta përdorin kuletën si instrument të politikës qytetare, pse ne shqiptarët vazhdojmë të sillemi sikur konsumatori nuk ka asnjë përgjegjësi?

Pse nuk marrim mësime nga bota e qytetëruar?
Pse dinjitetin kombëtar e kërkojmë vetëm në fjalime, flamuj e Facebook, ndërsa kur vijmë te leku dhe interesat personale, harrojmë gjithçka?

Ka ardhur koha që edhe ne të mësojmë: vota nuk është i vetmi mjet i qytetarit. Edhe kuleta ka zë.

MekuliPress mendon se: Kur politika hyn në dyqan, edhe konsumatori bëhet ushtar në mbrojtje të atdheut.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com