Ali Sh. Mehmeti, 06,02,2026
Sot u mbajt protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. Sigurisht që qytetarët kanë të drejtë të shprehin mospajtimin e tyre edhe me protesta, sepse cilido çmim sot, do t’ju dukej i shtrenjtë në erën e shtrenjtimeve të përgjithshme. Nga njëra anë për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, shpenzimet e të cilës bien mbi kurrizin e qytetarëve të Evropës dhe jo vetëm, kurse nga ana tjetër për shkak të abuzimeve tregtare.
Duhet ditur dhe kuptuar disa gjëra themelore.
Prodhimi i en.el. nga termocentralet Kosova A + Kosova B janë më të ulëta sesa nevojat e konsumatorëve, edhe sikur të gjitha njësitë gjeneruese të punonin me kapacitet të plotë, që nuk është rasti, për shkak të vjetërsisë së tyre. Blloqet e Kosovës A janë ndërtuar viteve 60-ta dhe Kosovës B viteve 80-ta. Energjia e munguar duhet blerë nga bursat ku çmimin e përcakton tjetërkush.
Kam dëgjuar disa dyshime nga disa persona, se shpenzimet e en.el. në Kosovë nuk janë sa deklarohen, duke aluduar në ekzistencën e “mafias energjetike”? Harrojnë se para lufte, më shumë banore kanë jetuar në më pak sipërfaqe banimi, në krahasim me sot, kur më pak banore jetojnë në sipërfaqe më të mëdha banimi. Shikoni rreth vetës sa ndërtesa/banesa janë ndërtuar në qytetin tuaj dhe imagjinoni sa energjia nevojitet për ti ngrohur ato dimrit dhe flladitur verës?!
Pse janë dy blloqe tarifore?
Sikur të gjithë konsumatorët e en.el. do shpenzonin nga 800 kWh në muaj, prodhimi vendor do të mjaftonte, siç mjaftojnë 800 kWh për një familje 4 anëtarësh që nuk ngrohet me en.el. Por konsumatorët nga biznesi dhe familjet e pasura që ngrohin pa nevojë disa qindra metra katror shpenzojnë shumë më tepër. A do ishte normale dhe e drejtë, që për këtë energji të shpenzuar mbi 800 kWh të bizneseve dhe pasanikëve, që duhet të importohen me çmim më të lartë sesa en.el. e prodhuar në Kosovë, të paguhet edhe nga familjet me të ardhura modeste?! Sigurisht që jo!
Duhet njohur strukturën e faturës për të parë se në ç’mënyrë mund të kurseni. Jam çuditë nga mosnjohja e disa të njohshme të mi që nuk e dinin këtë.
Janë 4 çmime të en.el. në Kosovë.
Tarifa deri në 800 kWh në muaj:
A1/B1 – 9,05 €cent/kWh – tarifa e lartë – gjatë ditës
A2/B1 – 3,88 €cent/kWh – tarifa e ulët – gjatë natës
Tarifa mbi 800 kWh në muaj:
A1/B2 – 15,43 €cent/kWh – tarifa e lartë – gjatë ditës
A2/B2 – 7,28 €cent/kWh – tarifa e ulët – gjatë natës
Rrobalarësja, enëlarësja, bojleri dhe stufat termoakomuluese, si shpenzues më të mëdhenj, mund të përdoren natën dhe shpenzimet të ulen dukshëm.
Energjia elektrike në Kosovë është më e lira në Ballkan. Përveç për atë “eksperten” nga Ferizaji, që kundërshton këtë fakt dhe pohon se në veri është më e lirë?! Sigurisht sepse “veriun” nuk e konsideron Kosovë dhe ndoshta mendon se në veri të Kosovës ende nuk paguhet en.el., siç ishte gjatë njëzet e ca viteve paraprake!
Koha e ndërhyrjes së domosdoshme në rehabilitimin e termocentraleve tona ka kaluar moti! Prandaj nuk është çudi që shpesh bien nga sistemi.
Shtrohet pyetja si të zbutet ky problem?
Zgjidhje përfundimtare, në afat të shkurtër, nuk ka!
Qeveria në planet e veta ka zgjedh dy drejtime: Investimi në kapacitet të bazuara në diel dhe erë dhe në rehabilitimin e termocentraleve Kosova A3,4,5 dhe B1,2.
Sipas deklaratës së Ministres Rizvanolli, objektivi është të shtohet kapaciteti për 35 MW në blloqet B1 dhe B2, të zgjatet jeta edhe për 20 vjet, të zgjatet koha efektive e operimit dhe të bëhet 85% (nuk e di sa ishte gjatë vitit të fundit) dhe të instalohen filtrat që do e përmirësojnë kualitetin e ajrit.
Pra, nëse Kosovës gjatë vitit 2026, në prodhim i shtohen edhe 70 MW dhe nëse punon rreth 7446 orë (85%) gjatë vitit, energjia e prodhuar do jetë 521’220 MWh, që me çmim mesatar në bursa që ishte gjatë vitit 2025 rreth 80 €/MWh, bëjnë kursim të importit për 41’697’600 €. Pa llogaritur këtu blloqet e Kosovës A, për të cilët nuk kam njohuri.
Koha e nevojshme për këtë ndërhyrje në Kosovën B1,2 është rreth 8-9 muaj. Pra, sigurisht që gjatë këtij viti dhe gjatë kësaj kohe do të ketë nevojë për ndalimin e punës, në mënyrë alternative të blloqeve B1 dhe B2 dhe sigurisht që do të ketë import të shtuar!
