Gëzim Mekuli
/Njohës i shkencave të mediave dhe retorikës/
Deklarata e Kryeministrit Kurti nuk duhet parë vetëm si një shpërfaqje e komoditetit elektoral, por si një diagnozë e saktë politike e realitetit të sotëm në Kosovë. Kur Kurti thotë se Lëvizja Vetëvendosje «nuk ka nevojë për një tjetër fitore, por opozita ka nevojë për një tjetër humbje», ai po i referohet një procesi të domosdoshëm të pastrimit dhe reformimit të skenës politike. Fitorja historike prej 51.1% nuk ishte vetëm një numër; ajo ishte një kontratë sociale e re mes popullit shqiptar dhe një udhëheqjeje të pakorruptuar. Fitorja e Kurtit është e cimentuar sepse ajo buron nga legjitimiteti i pastër qytetar dhe nga parimet e palëkundura të shtetndërtimit demokratik, sovranitetit dhe mbrojtjes së integritetit territorial.
Nëse vlerësoni gazetarinë tonë të pavarur, na mbështetni me një "kafe" simbolike për të mbajtur Mekuli Press të lirë nga çdo ndikim!
☕ Mbështete sot MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptareNga ana tjetër, aleanca opozitare ka mbetur rob i mentalitetit të vjetër të kapjes së shtetit, nepotizmit dhe aleancave të dyshimta që e lanë Kosovën të varfëruar për dy dekada. Opozita është e pafuqishme sepse asaj i mungon një alternativë morale dhe programore. Humbja e garantuar e radhës për këtë bllok bllokues nuk është ndëshkim, por një nevojë terapeutike për demokracinë e Kosovës; një porosi e prerë se koha e keqpërdorimit të pasurisë publike ka perënduar përfundimisht. Kurti nuk po bënë asgjë tjetër, pos se po artikulon vullnetin e popullit, i cili refuzon rikthimin prapa.
Ndikimi i mërgatës në zgjedhjet e 7 qershorit është dhe do të mbetet monumental, por ky ndikim nuk duhet reduktuar në terma të thjeshtë matematikorë apo varësi elektorale të një partie. Mërgata shqiptare nuk voton për interesa klanore apo favore personale; ajo nuk mund të shantazhohet me vende pune apo tenderë, siç bënte dikur kasta e moçme politike. Mërgata voton me vetëdije të pastër kombëtare dhe patriotike. Ajo voton për Shtetin, për Kosovën, për shqiptarinë, për tërësinë territoriale, kundër korrupsionit, nepotizmit, dhe kundër grushtimeve, përgjakjeve e dhunës publike.

Pse kjo votë shkon masovikisht për Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen? Fakti është i thjeshtë: Mërgata jeton në shtete me demokraci të konsoliduara perëndimore (si Norvegjia, Suedia, Gjermania, Zvicra, Franca) dhe e di fort mirë se si duket një shtet ligjor ku funksionon drejtësia dhe ku respektohet qytetari. Kur mërgata sheh te Albin Kurti një lider që nuk korruptohet, që mbron me dinjitet veriun e Kosovës, që shtrin sovranitetin aty ku opozita e media bënin kompromise të dëmshme me Serbinë dhe kur e shohin se Kurti lufton krimin e organizuar, ata shohin reflektimin e vlerave evropiane në Kosovë. Rrjedhimisht, mbështetja e tyre për VV-në është një aleancë natyrale mes qytetarisë së ndritur dhe qeverisjes progresive; mërgimtarët nuk votojnë për parti e as për person, mërgata voton për një grimë Norvegji në Kosovë, për një pjesë Gjermani në Kosovë, për një thërime Suedi, Francë e Austri në Kosovë. Më kuptoni, të nderuar?
Regjistrimi rekord i mërgatës është një përgjigje e prerë dhe një dëshmi e dështimit të plotë të një propagande të egër, të pandërprerë dhe të orkestruar që zhvillohet brenda Kosovës. Si një intelektual shqiptar që jeton jashtë, por që e vizitoj rregullisht vendlindjen time, nuk mund të mos tmerrohesh nga niveli i ulët i makinerisë propaganduese që funksionon 24/7 kundër Kryeministrit Kurti.
Gjatë qëndrimit tim të fundit në Kosovë, për shkak të punëve të mia personale, më duhej të udhëtoja çdo ditë me veturë në relacionin Pejë – Prishtinë – Gjakovë. Gjatë këtyre udhëtimeve, kam mbetur i tronditur nga ajo që dëgjoja gjatë rrugës në radio, konkretisht në Radio Dukagjini. Ishte një propagandë aq e ulët, aq primitive sa që kalonte çdo kufi të imagjinatës dhe etikës profesionale gazetareske. Më besoni çfarëdo teme që trajtohej në këtë radio, devijohej qëllimisht për të sulmuar Albin Kurtin; edhe në emisionet e kuzhinës ku flitej për pite, fli, kaçamak, kastraveca apo speca, gjendej disi një hapësirë për të sulmuar Kurtin; edhe në temat e sportit propagandohej kundër Lëvizjes Vetëvendosje; bile-bile edhe te parashikimi i motit përvidheshin thashetheme dhe gënjeshtra të ulëta politike kundër Albin Kurtit.
Arriti në një pikë sa që ndjeva turp përpara djalit tim, Nokës, i cili ishte ulur pranë meje në veturë dhe dëgjonte këto manipulime e rrena publike. Habitej Noka me atë që dëgjonte, e mërzitesha unë me këtë dekadencë publike. Këto nuk janë media të pavarura; këto janë instrumente të korruptuara të partive që e kishin zhvatur dhe varfëruar Kosovën që nga paslufta, të cilat sot mbijetojnë përmes financimeve të dyfishta dhe tejet të dyshimta.
E në lidhje me këtë, unë mendoj se populli shqiptar në Kosovë është një popull i madh, me një pjekuri dhe vlera të jashtëzakonshme; E them këtë me plot përgjegjësi sepse sikur edhe një shtet si Norvegjia të përballej me këtë lloj propagande kaq agresive, të përminutshme dhe të pandërprerë, populli norvegjez do të çorientojohej dhe do të trullosej plotësisht. Pyetja që këtu shtrohet natyrshëm është: Po si nuk u lodhën këta «gazetarë»? Sa shumë para qëndrojnë pas këtyre mediave dhe analistëve të paguar që të mund të mbajnë ndezur një makineri të tillë prej lloqi e të çmendin një komb të tërë?
Fakti që ky popull nuk thyhet, tregon se shqiptarët janë mendërisht të fortë dhe me një intuitë të mprehtë politike. Ata nuk lejojnë më të mashtrohen apo të manipulohen; as nga mediat e kapura shqipe, e as nga mediat serbe. Madje, sot vështirë se mund të dallosh kufirin mes përmbajtjes së këtyre mediave të korruptuara të Prishtinës dhe Tiranës dhe atyre të Beogradit; që të trija palët kanë të njëjtin shënjestër: Albin Kurtin. Por, shqiptarët e kanë lexuar përfundimisht lojën e retorikës, të fotografisë dhe të analistëve të rremë.
Prandaj, regjistrimi rekord i mërgimtarëve është pikërisht reagimi i vetëdijes kombëtare. Mërgata, duke qenë gjeografikisht e mbrojtur nga ky helm përditor medial, por me mendje, shpirtë e zemër në Kosovë e në Shqipëri, shërben si gardiani i të vërtetës dhe i sovranitetit të Kosovës. Kjo votë masive do të jetë sërish faktori kyç që do të vulosë fitoren e VV-së, sepse tregon se populli nuk e dorëzon shtetin e tij te ata që e vodhën, pavarësisht propagandës 24-orëshe.
Tek mërgimtarët këto ditë po dëgjohet një shprehje shumë domëthënese dhe e dhimbshme njëkohësisht: «Kosova është djepi i shqiptarisë; mos ja leni n’dorë shokëve të Samisë»
