Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka bërë apel te qytetarët që të mos bien pre e recetave që janë publikuar në rrjete sociale.
Gjatë ditës së diel shumë qytetarë nëpër rrejte sociale kanë publikuar një recetë e cila kinse shëron koronavirusin.
Duke e parë që një recetë e tillë ka marrë një hov të madh në shoqëri, ka reaguar Ministria e Shëndetësisë.
Përmes një njoftimi MSH-ja ka kërkuar nga qytetarët që të mos bien pre e këtyre recetave të ndryshme rreth trajtimit të koronavirusit.
“Duke qenë që “recetat” e tilla provokojnë edhe reagime të ndryshme dhe ngjallin edhe shqetësime, ju lusim që të mos bini pre e publikimeve të tilla dhe për çfarë do shqetësimi lidhur me Covid-19 të kontaktoni mjekun tuaj më të afërt dhe të përcillni vetëm këshillat zyrtare, të cilat publikohen nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK, profesionistët kompetentë shëndetësor dhe institucionet kredibile dhe të konfirmuara”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.
Njoftimi i plotë i MSH-së, pa ndërhyrje:
Të nderuar qytetarë,
Jemi dëshmitarë që së fundi nëpër rrjetet sociale (jo vetën në nivel lokal) po shpërndahen me të madhe të ashtuquajtura “receta” të ndryshme për trajtimin e personave të prekur nga COVID-19.
Duke qenë që “recetat” e tilla provokojnë edhe reagime të ndryshme dhe ngjallin edhe shqetësime, ju lusim që të mos bini pre e publikimeve të tilla dhe për çfarë do shqetësimi lidhur me Covid-19 të kontaktoni mjekun tuaj më të afërt dhe të përcillni vetëm këshillat zyrtare, të cilat publikohen nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK, profesionistët kompetentë shëndetësor dhe institucionet kredibile dhe të konfirmuara.