Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me akuzat e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, se gjoja ai ka bllokuar buxhetin e Komunës së Prishtinës për vitin 2025.
Murati ka thënë se këto pretendime janë të pavërteta dhe se përgjegjësinë për miratimin e buxhetit e kanë vetë përfaqësuesit komunalë.
“Përparim, thuaj Lumirit bashkë me deputetët tjerë le ta votojnë buxhetin e Komunës së Prishtinës për vitin 2025 në Kuvend. Kaq e thjeshtë është.
Përkundër gjendjes faktike pa buxhet të miratuar në Kuvend, dhe sqarimeve shterruese tash e disa herë nga ana ime, Përparim Rama bashkë me Shkëmb Manajn edhe sot paskan vazhduar me shpifje se gjoja unë e paskam bllokuar buxhetin e Komunës së Prishtinës.
Normalisht që kjo është e pavërtetë, sepse në situatë të njejtë gjenden edhe Gjilani e Zubin Potoku, komuna që njësoj sikurse Prishtina nuk kanë arritur ta miratojnë buxhetin brenda afateve ligjore.
Por meqenëse sqarimet publike nuk duket se po kryejnë punë, atëherë jam i detyruar që të dorëzoj padi për shpifje ndaj Përparim Ramës, por edhe kujtdo tjetër që vazhdon të dezinformojë për gjoja vendime për bllokim të buxhetit.”
Postimi i Muratit vjen pas debatit të vazhdueshëm mes tij dhe kryetarit të Prishtinës për çështjen e miratimit të buxhetit komunal për vitin 2025.
