“Narcisizmi femëror” midis kushtëzimit dhe zgjedhjes!

Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.

☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.

Irena Beqiraj

Pamja fizike e një gruaje është ngritur në altarin e një feje të re.

Ritualet tona të bukurisë janë shndërruar në sakramente, duke marrë karakteristikat obsesive dhe përsëritëse të disa ritualeve fetare.

Dhe ne ishim paralajmëruar për këtë!

Para se edhe unë të lindja, në fund të viteve ’70, okultisti britanik Peter J. Carroll na paralajmëroi se “konsulentët e stilit do të bëheshin priftërinjtë e rinj të qytetërimit tonë”.

Po ashtu, Simone de Beauvoir, në manifestin e saj feminist “Seksi i Dytë”, i paralajmëroi gratë se “obsesioni ndaj pamjes së jashtme është një nga përgjigjet më të këqija ndaj ankthit që shkakton liria e plotë në këtë botë kaotike”.

“Epo, grave u pëlqen të duken bukur!” Padyshim, edhe mua më pëlqen të dukem bukur. Por, në të njëjtën kohë, kam kuptuar se kënaqësia dhe kushtëzimi nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin. Mund të shijosh diçka dhe, prapë, ta pyesësh veten: Përse ndihesh kaq e kushtëzuar prej saj?!

Lexo po ashtu:  Askush mbi të drejtën ndërkombëtare

Është e dukshme se gratë e kohës sonë, pavarësisht moshës, profesionit apo formimit, janë bërë pjesë e një procesi gjithëpërfshirës të “narcisizmit femëror” ose vetë-objektivizimit.

Ne nuk e shohim më veten në pasqyrë dhe të mendojmë: “Dukem e lodhur sot.” Ne shohim aty një listë dështimesh që duhen korrigjuar me ndërhyrje estetike.

Nëse gratë në një shoqëri të tërë papritmas kërkojnë me çdo kusht përsosmërinë, ia vlen të pyesim: Përse? Kjo pyetje nuk është një akuzë kundër ndonjë gruaje individualisht; është një shqyrtim i kontekstit shoqëror në të cilin jetojnë këto gra.

Ky shqyrtim është bërë sot një nevojë, pasi kushtëzimi i tërthortë shoqëror, përfshirë edhe “standardin modern të bukurisë”, ka përvetësuar gjuhën e fuqizimit. Ndaj, pretendimi se “Unë e bëj për veten time” e ka shndërruar obsesionin ndaj pamjes së jashtme në “një normë” të grave të lira.

Çdo grua është e lirë të shijojë grimin, rregullimin e flokëve, takat, pse jo edhe ndërhyrjet estetike. Edhe pyetja se nga kanë ardhur këto preferenca nuk ia heq të drejtën e zgjedhjes, por është e nevojshme të kuptojmë zgjedhjet tona.

Gratë bëjnë zgjedhje! Por gratë gjithashtu bëjnë zgjedhje brenda një konteksti shoqëror! Këto dy deklarata nuk janë kontradiktore.

Lexo po ashtu:  E thotë edhe Janusz Bugajski: Dialogu Kosovë-Serbi është një farsë, duhet të ndërpritet

Unë nuk mendoj se çdo grua apo vajzë që thotë “Unë e bëj për veten time” po gënjen, sepse, për sa kohë që gratë jetojnë në kontekste shoqërore ku bukuria dhe feminiteti mund të përcaktojnë sigurinë, të ardhurat, karrierën, statusin dhe pranimin e tyre shoqëror, nuk mund të flasim sinqerisht për “zgjedhjet” e grave pa folur për forcat që i formësojnë ato zgjedhje.

Të mos harrojmë edhe një element tjetër: sa më të pasigurta të ndihen gratë për trupin dhe pamjen e tyre, aq më shumë lulëzon industria e bukurisë, e cila ka nevojë për pasigurinë e grave për të maksimizuar fitimet.

Nëse të gjitha gratë në planet një ditë do të zgjoheshim dhe do të vendosnim së bashku se jemi plotësisht rehat me fytyrat dhe trupat tanë, perandori të tëra miliarda-dollarëshe do të shembeshin deri në mesditë.

Ndaj, me ndihmën e rrjeteve sociale, industria, por edhe klientët kampionë të saj, tentojnë t’i trajtojnë variacionet normale biologjike njerëzore si urgjenca, si defekte që kërkojnë një produkt apo një ndërhyrje për t’u “përmirësuar”.

Duke u bindur çdo ditë se ekziston vetëm një lloj bukurie e dëshirueshme, gratë vrapojnë të përshtaten, edhe pse kjo është fizikisht e pamundur.

Lexo po ashtu:  Sime shoqe, - Mitrush Kuteli

Në vend që të mësojnë si të vlerësojnë dhe admirojnë çdo lloj bukurie, duke kultivuar kështu aftësinë për të parë plotësinë e bukurisë së tyre dhe duke hequr dorë një herë e mirë nga përpjekja për të qenë diçka tjetër, gratë janë kushtëzuar drejt së kundërtës: pikërisht drejt inferiorizimit të pamjes së tyre, e cila duhet të ndryshojë sipas “përkufizimit të bukurisë”.

Edhe kjo është kaq absurde, sepse përkufizimi i “bukurisë” sipas trendit është vazhdimisht në ndryshim dhe vazhdimisht në kundërshtim me vetveten.

Një vit gjinjtë e mëdhenj janë shumë në modë, vitin tjetër trendi i gjoksit të vogël e sjell këtë të fundit përsëri në pushtet. Vetullat e holla dalin nga trendi dhe vendin e tyre e zënë vetullat e trasha, ndërsa vetullat tatuazh zëvendësohen me vetulla të laminuara.

Për fat të keq, ndërsa edhe gratë me eksperiencë përballen me dilemën midis kushtëzimit dhe zgjedhjes, dëmin më të madh e përjetojnë vajzat e reja, të cilat, të shtypura nga pesha e botës moderne dhe të papajisura me zakonet e filozofinë e nevojshme për përballimin e saj, i pranojnë “standardet e bukurisë” si të vetmin realitet.

Sepse, fundja, realiteti formësohet thjesht nga ajo që i themi njëra-tjetrës.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com