Në Manastirin e Zvërnecit prehen eshtrat e Marigo Pozios, nuk ishte vetëm qëndestare e flamurit, ishte edhe botuese
Nëse vlerësoni gazetarinë tonë të pavarur, na mbështetni me një "kafe" simbolike për të mbajtur Mekuli Press të lirë nga çdo ndikim!
☕ Mbështete sot MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptareNë vitin 1924, Marigo e Jovan Posio mbështetën me të gjitha forcat e tyre Revolucionin e Qershorit dhe Fan Nolin. Në këtë kohë Marigoja sëmuret nga tuberkulozi e shkon për kurim në sanatoriumin e Vjenës. Aty u takua me patriotin Tashko Ilo dhe bashkëshorten e tij Aleksandrën, si dhe me mjaft patriotë shqiptarë në mërgim. Kur Tashkoja u kthye në atdhe, Marigoja i dërgoi një letër, ku i shkruante: “Do të shes gjithë pasurinë time dhe xhevahiret (stolitë), për Shqipërinë”.
Në vitet e fundit të jetës Marigoja shkon të jetojë në Tiranë, pranë motrës së saj, Uranisë, e cila ishte martuar me patriotin e shquar Kristo Floqi. Në gjendje të mjeruar, Marigo Posio vdiq më 23 gusht 1932.

Argumente për qëndisjen e Flamurit Kombëtar, nga ana e Marigosë
Sipas Zhaneta Poçit, mbesa e Marigo Posios, Marigoja e qëndisi flamurin kombëtar sipas një modeli të Don Mark Vasa. Marigoja e qëndisi flamurin në një copë që e kishte blerë nga një tregtar me mbiemrin Diamanti. Po këtë flamur Marigoja ia dha Ismail Qemalit!
Në model të tij ajo kishte stamposur e shumë të tjerë, që u vendosën jo vetëm në ballkonin e godinës ku u ngrit Flamuri po dhe në të gjitha dritaret e saj, me përmasa 70 – 40 cm, me shkabën dy krenare në mes dhe anash me shkrimin: “Rroftë Shqipëria”.
Kristo Floqi në një përkujtim të ditës së flamurit shkruante:
“Këtu duhet përmendur edhe një zonjë patriote korçare, zonja Marigo Posio, e cila përgatiti me duart e saj e hartoj me mjeshtëri flamurin e parë që valoj në Vlorë, e që iu dha shqiptarëve sihariqin e shpalljes të independencës së tyre.”
Gazetat e kohës në mjaft artikuj shkruanin: “Marigoja predikonte shqiptarizmin në gra e burra, shkëmbente letra me atdhetarët e shqiptarë të shpërndarë në gjithë botën”.
Sipas të thënave: shoqet e fëmijërisë, Marigonë e thërrisnin -“Shqiponja”
Dhe një arsye më shumë, që thirrej “Shqiponjë”, ishte se: ajo që e vogël qëndiste shqiponja. Gazeta “Arbëria”, që botohej në Gjirokastër, në kohën e saj shkruante: “Flamurin Kombëtar”, që u ngrit në Vlorë nga dora e Ismail Qemalit, ishte qëndisur nga Marigo Posio, mbi cohën e blerë tek tregtari Diamant.
Në shtypin e kohës zinte vend dhe një poezi me titull “Marigo Posio”, me këto vargje:
Cila dorë e pat punue,
at flamur që valoi në Vlorë.
Kombit ia pat kushtue,
për me shpall lirinë tonë.
Ajo qe një atdhetare,
që shkriu plagë e pasuri.
Marigoja vajzë korçare,
e shkriu jetën për Shqipëri.
Poezia dhe publicistika e Marigosë
Ndjenjat patriotike Marigo Posio i ka shprehur edhe në shtypin e kohës, ku ka shkruar mjaft shkrime, dhe poezi. Më 28 nëntor të vitit 1918, në ditën e 6 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ajo do të ishte në ballë të demonstratës kundër pushtimit nga Italia dhe do të bënte thirrje në shtypin e kohës: “Atdheu mbi gjithçka”.
Më 13 qershor të vitit 1920, kur Avni Rustemi, vrau Esat Pashën në Paris, Marigoja, do të thurte ndër të tjera edhe këto vargje:
Ti vrapove, porsi plumbi,
u bëre erë dhe hije.
Shkele, shkove dhe e shove,
Shqipërinë e shpëtove.
Kjo poete patriote gjente kohë të shkruante vargje edhe për luftëtarët, që tregoheshin trima në luftë:
Turp i madh, për Perëndi,
unë, ti dhe ai,
Për nderin e atij gjaku,
qysh e lëmë e qan bonjaku…
Mendimi iluminist dhe veprimtaria patriotike e shqiptares së shquar, Marigo është fiksuar në qindra artikuj dhe poezi në shtypin e kohës dhe kush i lexon ato prek patriotizmin e shqiptares së famshme: Marigo Posio.
Marigosë dhimbjet do t’i vinin njëra pas tjetrës, pas humbjes së dy vajzave u sëmur dhe vetë nga tuberkulozi dhe u detyrua të mjekohej në Vjenë. Me gjithë dhimbjet që kishte në trup, ajo mblodhi forcat dhe bashkë me aktorin e madh Aleksandër Moisiu nisi të bënte veprimtari në dobi të Shqipërisë.
Në gusht të vitit 1932, mbylli sytë qëndistarja e flamurit, patriotja dhe shqiptarja e shquar Marigo Posio. Ajo u përcoll me nderim të thellë nga mijëra vlonjatë.
Dr. Shkencave Historike Zeko Braho nga Vlora është një ndër autorët më seriozë që ka hulumtuar mbi jetën dhe aktivitetin e Marigo Pozios. Punimet e veta në vitin 1990 ia dha shkrimtares Helena Kadare e cila mbasi u njoh me përmbajtjen e tyre, u prek dhe nën përkujdesjen e saj ky punim u shtyp menjëherë, duke u mirëpritur si libër me vlera nga mijëra lexues.
Autori duke e pasuruar jetën dhe veprimtarinë patriotike të Marigosë me fakte të reja, librin e ka ribotuar kohët e fundit, dhe siç cilëson ai: -ndjehem mjaft i lumturuar që më në fund- u gjet varri i Marigosë, i kësaj gruaje të shquar e cila ka një varr madhështor në Zvërnec, si dhe një bust te Kali i Trojës në Vlorë.
Homazh veprës së Marigo Posio
Për aktivitetin e saj të pasur patriotik është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me Urdhrin e Lirisë së Klasit të Dytë me këtë motivacion: “Ka punuar pa u lodhur për përhapjen e gjuhës shqipe, çlirimin dhe emancipimin e gruas shqiptare”. Tiranë 7 mars 1960.
Më 15 prill 2002, (Në kuvendin e parë të Gruas së shquar, që u mbajt në Vlorë), me numër dekreti 3292, ish-Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Rexhep Mejdani e nderoi me “Urdhrin e Flamurit”, me këtë motivacion:
“Në shenjë nderimi për të gjithë brezat që i dhanë pavdekësinë kombit dhe flamurit tonë; në shenjë kujtese historike për simbolet tona të ndërtuara nëpër shekuj, me përpjekjet dhe sakrificat mbarëpopullore për liri e zhvillim, në shenjë respekti të madh për gratë shqiptare, sa frymëzuese dhe realizuese të aspiratave kombëtare, të emancipimit shoqëror dhe të integrimit në familjen e madhe demokratike”.
Busti i Marigo Posios qëndron sot në qytetin e Vlorës, në lulishten që mban emrin e saj.
Për Marigonë si një grua patriote, krijuese dhe qëndistare e flamurit të ngritur më 28 nëntor 1912, në Vlorë ka një bibliografi shumë të pasur.
Kjo bën të mundur që kushdo e deri te profesionistët e fushës së historografisë shqiptare, të gjejnë të dhëna dhe fakte realiste për figurën plot dinjitet e vlera patriotike të Zonjës Marigo. Në historinë e mendimit politik e shoqëror të çerekut të parë të shekullit që iku,
Marigo Posio, zë një vend nderi, duke u shndërruar në një nga përfaqësueset më të denja të femrës shqiptare. Pikëpamjet e saj të përparuara janë vazhdimi i mendimit më të përparuar të “Rilindjes Kombëtare”. Ajo shërbeu si forcë lëvizëse për përparimin e Shqipërisë, ku idetë e saj atdhetare janë aktuale edhe sot e kësaj dite.
Cilësimi nga shtypi i kohës si gruaja më e ditur e qytetit, e bënte atë një model të thjeshtësisë mes grave vlonjate, korçare, devollite dhe gjithë Shqipërisë.
