Sami FRASHËRI

Hapësirë e sponsorizuar

Nëse vlerësoni gazetarinë tonë të pavarur, na mbështetni me një "kafe" simbolike për të mbajtur Mekuli Press të lirë nga çdo ndikim!

☕ Mbështete sot MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare

«SHQIPTARI I VËRTETË E I MIRË DHE AI QË DO SHPËTIMIN E SHQIPËRISË, VË GJITHNJË E KURDO KOMBËSINË PËRPARA FESË»

(Pjesa e fundit, ‘Përmbledhja’ e veprës ‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet’, Bukuresht, 1899.)

Hapësirë e sponsorizuar

PËRMBLEDHJE

Nga gjithë sa thamë merret vesh fort mirë se qysh mund të qeveriset Shqipëria e se sa vend i bukur do të bëhej me një qeveri të këtillë! Sa do të lulëzonte e do të pasurohej! Në pak kohë do të bëhej një nga më të bukurat vende të Europës e të gjithë dheut. Me këtë mënyrë kombi shqiptar, në pak kohë, do të bëhej një nga më të zgjuarat e nga më të qytetëruarat kombe të dheut dhe shqiptarët, që kanë kaq qind vjet që po rrojnë në robëri, në varfëri e në shtrëngim të madh, do të bëheshin të gjithë të pasur e të lumtur dhe do të rronin si njerëz!

Ç’duhet për të shpëtuar ky komb i gjorë e ky vend i varfër nga kjo zi e madhe që e ka mbuluar e nga gjithë këto rreziqe që e kanë rrethuar, për të lulëzuar ashtu si thamë? Fort pak gjë: vetëm dëshirë! Mjafton të duam. Por, që të duam, e kemi në dorë ta bëjmë Shqipërinë si thamë e ta shpëtojmë nga të gjitha rreziqet e nga të gjitha mynxyrat. Kur është në dorën tonë, të neve shqiptarëve, ta shpëtojmë a ta humbasim Shqipërinë, atëherë të mendohemi sa faj [91] i madh është të rrimë e të mos bëjmë gjë! Kjo është si të vrasim mëmëdheun tonë me dorën tonë. Kur e kemi në dorë ta shpëtojmë e të mos e shpëtojmë, domethënë që e vrasim me dorën tonë!

Po ç’të bëjmë? — Ja se ç’duhet të bëjmë:

Duhet që çdo shqiptar të ketë gjithnjë, natë e ditë, ndërmend e në zemër shpëtimin e Shqipërisë e përparimin e kombit shqiptar. Kjo me se bëhet? — Çdo shqiptar që e do këtë duhet të dojë bashkimin e shqiptarëve. Të gjithë shqiptarët janë vëllezër, kanë një gjak në rrembat e tyre. S’ka turk e kaur, po të gjithë janë shqiptarë! Ai që është shqiptar i vërtetë duhet t’i vështrojë si vëllezër e t’i dojë nga zemra shqiptarët e vërtetë, pa le të mos jenë të fesë së tij. Shqiptari ka qenë shqiptar, përpara se të bëhet i krishterë a mysliman.
Prandaj, shqiptari i vërtetë e i mirë dhe ai që do shpëtimin e Shqipërisë, vë gjithnjë e kurdo kombësinë përpara fesë; nuk i ka vëllezër ata që janë të fesë së tij, po ata që janë të kombësisë së tij. Shqiptarët e vërtetë janë veçan vëllezër mes vete; vëllazëria e tyre duhet të jetë aq e ngushtë, sa asgjë të mos ta ndajë e ta çajë dot dhe asgjë të mos hyjë dot në mes të tyre. Qysh janë frankmasonët e bektashinjtë vëllezër mes vete, kështu duhet të jenë edhe shqiptarët e vërtetë.

Shqiptar është çdo njeri i lindur prej shqiptarësh e që flet shqip, por shqiptar i vërtetë është ai që ka mendjen e zemrën shqiptar. Këta, shqiptarët e vërtetë, janë me të vërtetë shqiptarë të thjeshtë. Duan gjuhën dhe kombin e tyre dhe përpiqen për lulëzimin e mëmëdheut. Kur të bëhen gjithë shqiptarët [92] a më të shumtët e tyre kështu, shqiptarë të vërtetë, Shqipëria atëherë është e bërë dhe e shpëtuar nga çdo rrezik. Prandaj, çdo shqiptar duhet së pari të jetë vetë a të bëhet shqiptar i vërtetë e pastaj të përpiqet të bëjë edhe të tjerë shokë, që ca nga ca e njëri pas tjetrit, të bëhen të gjithë shqiptarë të vërtetë.

Lexo po ashtu:  Ku i ruan SHBA rezervat e saj strategjike të naftës?

Sot, shumë shqiptarë, – nëntëdhjetë për qind, mund të themi, – s’janë shqiptarë as me mend, as me zemër; kombin dhe gjuhën e tyre s’e duan, as e nderojnë; s’duan të lexojnë e të shkruajnë në gjuhën e tyre dhe shumë prej tyre kanë turp edhe të flasin shqip! Po në kanë ata turp të thonë që Shqipëria është mëma jonë, Shqipëria ka më shumë turp e poshtërim të duket që ka të tillë bij! Kombi shqiptar s’është komb për të pasur turp prej tij: të qenët e një njeriu nga një komb kaq trim e kaq i zgjuar s’është turp, por është nder i madh. Në ka mbetur pas kombi ynë, s’është faji i tij, po është faji ynë; në ka mbetur gjuha shqipe e pashkruar, s’ka mbetur se është gjuhë e ligë dhe me të meta, po vetëm se s’jemi kujdesur ne ta shkruajmë. S’na ka faj kombi, s’na ka faj gjuha: faji është yni. Jemi më i vjetri komb i Europës dhe më i fismi e më trimi: flasim më të vjetrën e më të mirën gjuhë të farës ariane.

Ata shqiptarë që s’dinë të çmojnë kombin e gjuhën e tyre dhe s’i pëlqejnë e s’kanë turp të duan të quhen turq, grekë, shqeh a të tjerë, ata janë tradhtarë të çmendur e të paditur. Qenia e tyre është një turp i madh për Shqipërinë e për kombin shqiptar. Sa turp i madh kur një shqiptar, në rrembat e të cilit qarkullon gjaku i Skënderbeut e i shokëve të tij të poshtërojë kombin e tij dhe gjuhën e mëmës së tij, e të [93] nderojë një gjuhë të huaj, të cilën përpiqet ta vendosë e ta shpërndajë në vend të saj! Përpiqet që djemtë e tij dhe nipërit e stërnipërit të mos dinë shqip e të mos quhen shqiptarë! I madh turp për Shqipërinë të ketë djem pjella të këtilla! I madh turp qenia e rrojtja e njerëzve të këtillë mbi faqe të dheut! Kush mund të jetë më i lig e më i pështirë se ai që s’do e s’nderon mëmën e ti, po e hedh më një çip e i vjen turp të thotë që është bir i saj?

Turpi i njerëzve të këtillë është turp për mëmëdheun tonë! Përveç dheut tonë asnjë vend në botë s’jep pemë të këtillë të hidhur! Kaq shqiptarë të pasur kanë prishur gjënë e tyre për lulëzimin e një kombësie që është armiku i kombësisë së tyre; për të bërë djemtë e tyre e të të vëllezërve të harrojnë shqipen e të mos quhen shqiptarë! Këta s’janë armiq, s’ka fjalë për të quajtur këta tradhtarë të lig e të fëlliqur! S’ka shqiptarë, thonë, shqiptarët s’janë komb më vete! Janë grekë, thonë ca, turq, thonë të tjerët, shqeh, thonë ca të tjerë. O, sa fjalë e rëndë për gojën e një shqiptari! O, qysh ua nxë goja këtë fjalë të faqezinjve!

Lexo po ashtu:  Risia e instagram në “story”

Të këtillë njerëz duhet të mos jenë në Shqipëri, as mbi faqet të dheut. Dheut i rëndojnë tepër këta tradhtarë. S’i mban dot. Të shporren! Çdo shqiptar i vërtetë duhet të përkujdeset që të mos mbesë asnjë i këtillë shqiptar, se i sjellin dëm e turp të madh gjithë Shqipërisë e shqiptarisë. Çdo shqiptar duhet të bëhet, së pari, vetë shqiptar i vërtetë, pastaj të bëjë të tjerët, sa më shumë që mundet. Të kujdeset që të vejë mbarë e të përhapet gjuha shqipe, domethënë të shkruarit e të kënduarit e gjuhës sonë, [94] e të shtohet mësimi e dituria në gjuhën tonë. Me një fjalë, të përpiqet që të jetë edhe kombi ynë një nga kombet e qytetëruara e të ndriçuara. Po, të përpiqemi të gjithë për këtë punë. Kombi ynë, duke qenë për nga natyra i zgjuar e trim, në pak kohë, do të bëhet një nga më të ndriçuarat e nga më të qytetëruarat kombe të Europës.

Një komb i vjetër, më i vjetri i kombeve të Europës, pellazgët e qëmoçëm, që janë mbajtur e kanë qëndruar për kaq mijë vjet e tëhu sikundër ishin, një komb kaq i vjetër e, megjithëkëtë, fort i ri, që tani po zë të lulëzojë për herë të parë, një komb trim e i zoti me një kokë e me një ballë, që s’e ka shokun, me një gjuhë të gjerë e të plotë, të bukur e të lehtë, që e mëson që me sisë të së ëmës, një kombi të këtillë kush mund t’i dalë përballë e kush mund t’i shkojë përpara?

O burrani, o shqiptarë! Në daçim e në u përpjekshim, do të jemi një nga më të mirët e nga më të ndriturit e kombeve të Europës, që të na kenë zili gjithë bota. O burrani! Të mos na mbulojë gjumi i mefshtësisë e i paditurisë, se në ndenjçim kështu, jemi të humbur. O, sa dëm i madh e sa turp i rëndë të humbasë sot, në këtë kohë, – që edhe më të dobëtit e kombeve po zgjohen e po lulëzojnë, – një komb, si shqiptarët, që është mbajtur për kaq mijë vjet e tëhu, në kaq kohë të egra! Një komb kaq i mençur e me një gjuhë të bukur, të humbasë nga padija e nga të mospasurit gjuhë të shkruar! Një komb kaq trim, që s’e kursen fare gjakun, të humbasë duke u copëtuar prej kombeve të dobëta e frikace! Mend kemi, trimëri kemi, gjuhë të bukur e [95] të lehtë kemi dhe të mos dimë a të mos duam t’i përdorim gjithë këto për të mirën tonë, po të rrimë me duar lidhur! E, ajo që është më e keqe, të punojmë për humbjen tonë, të nxjerrim themelet e kombit tonë me paditurinë e me verbërinë e vetes sonë!

A jemi shqiptarë? Besa, feja, puna, kujdesi, dëshira jonë, mendimi ynë të jenë për Shqipërinë e për shqiptarinë. Të shpiem gjuhën përpara, ta zgjerojmë e ta zbukurojmë me shkronja e me dituri; të hapim shkolla, të mësojmë; të mos mbesë asnjë shqiptar i paditur që të mos dijë të lexojë e të shkruajë; të largojmë shkollat e huaja nga Shqipëria e ta mbushim mëmëdheun tonë me shkolla shqipe; djemtë tanë, në pak kohë, të mësojnë të këndojnë e të shkruajnë gjuhën e tyre dhe dituritë që u duhen. Duke qenë se gjuhën e dinë vetiu, e mund ta mësojnë në pak kohë, do të kenë mundësi të mësojnë mjaft dituri. Edhe bariu, edhe bujku, edhe muratori nuk do të mbeten pa dituri.

Lexo po ashtu:  Pse njerëzit e mirë e të drejtë nuk bëhen kurrë të pushtetshëm…

Këto punë janë nga të drejtat tona. Kushdo që nuk na lë të punojmë në këtë udhë të së drejtës e të mirësisë, na ka rrëmbyer të drejtën nga dora jonë. Është e drejta jonë të përpiqemi me fjalë, me pendë, me armë, që të shkëputim të drejtën tonë nga thonjtë e atyre që na e kanë rrëmbyer. Nuk duam të rrëmbejmë gjënë e tjetrit, por s’duam të lëmë edhe gjënë tonë e të drejtën që na takon të na i rrëmbejnë me zor. Të përpiqemi për të drejtën tonë, për gjuhën tonë, për kombësinë tonë, për të mirën e kombit tonë. Kush të na qëndrojë përpara e të na ndalojë në këtë udhë të shenjtëruar, ta shtyjmë, ta rrëzojmë, ta shkelim e [96] të hedhim tutje! Të nxjerrim zë, të thërresim, që të na dëgjojë bota e qytetëruar, të na ndihin edhe ata në të drejtën e bekuar që duam të mbrojmë. Të mos trembemi nga gjëkafshë, të përpiqemi e të mos pushojmë gjer sa të fitojmë atë që kërkojmë. Jemi në të drejtën, Perëndia është gjithnjë ndihmës i të drejtëve, Perëndia është e drejta vetë!
O vëllezër shqiptarë! Të mos na gjejë si ata të egrit e Australisë e të Afrikës, që shkojnë europianët e i gënjejnë me ca rruaza e me ca margaritarë të qelqta e pasqyra prej teneqesh dhe u marrin vendet e tyre nga dora. Të mos gënjehemi edhe ne ashtu me ca copa teneqesh e qelqesh, që s’vlejnë gjë fare dhe të lëmë të drejtat e kombit e të mëmëdheut tonë në duart e të huajve e të armiqve tanë. Të thyejmë zgjedhën që po na rëndon mbi zverk për kaq qind vjet e tëhu, të këputim hekurat që po na shtrëngojnë këmbët, të heqim prej qafe hijen e rëndë që po na shkel e po na shtyp e s’na le të marrim frymë! Të mos rrimë të mpitë e të ngrirë, të lëvizim duar e këmbë, të tundemi e të lëkundemi, të ecim lirë në udhën e Perëndisë, në udhën e së drejtës:

PERËNDIA, E DREJTA, KOMBI, GJUHA!
SHQIPËRIA, SHQIPTARIA!

Ja qëllim ynë! Ja puna jonë e shenjtëruar! Ja besa jonë! Të gjithë ata që kanë këtë qëllim janë vëllezërit tanë! Në mes të shqiptarëve të vërtetë s’ka asnjë ndarje, asnjë çarje, asnjë dallim! Janë të tërë vëllezër, të gjithë një trup, një mendje, një qëllim, një besë!

FUND

(Përshtatur në gjuhën
standarde shqipe (1972): Agim Morina)

Shënim: Numrat brenda kllapave katrore tregojnë numrat e faqeve në botimin e parë, 1899.)

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com