Poezi nga Petrit Ruka
Nuk e di përse u ndamë,
Veç kur ktheve krahët ti –
Njëqind tigra hynë në zemër
Njëmijë krerë janë bërë tani.
Nuk e di përse u ndamë,
Tek një urë në Tepelenë,
Njëmijë ura ngrita pas,
Ato ura vetëm bien.
Bien njësoj si në legjenda
Që kërkojnë gjak flijimi,
Njëzet vjet kam i murosur,
Po nuk ndali dot rrëzimi.
Të kërkoj që njëzet vjet,
Natë për natë e ditë për ditë,
Ti me ç’flatra shkon kaq shpejt
Ngjitesh lart, tek perënditë.
Puthj’ e fundit nëpër shi,
Bredh akoma gjak më gjak,
Herë si thelb për lumturi
Herë si helm e si farmak.
Gaz a helm ia vlen të rrosh
Veç për atë çast të ngrirë,
Njëmijë tigra t’i durosh
Duke çjerrë e ulërirë.
Nuk e di përse u ndamë
Zoti po e di, ta thotë,
Unë nuk vdes pa një përgjigje
thinju varr, po e ke kot…
1988
