Gëzim Mekuli
(Pjesë nga libri “Mediat dhe Politika”)

1. Në emisionet, me përmbajtje të gjatë minutazhi, kryerja e një delikti dhe sqarimi i saj para opinionit prezantohet nga perspektiva e klaneve politike dhe jurisprudencës, ndërsa në programet me pak gjatësi kohore prezantohet jeta e tij (e delinkuentit). Në këtë emision të shkurtër kohor do të merren në respektim pasojat dhe rrethanat sociale.

2. Në emisionet, me përmbajtje të gjatë minutazhi (si p.sh. emisionet e lajmeve, reportazheve dhe filmit), raporti mbi vrasësit do të bëhet ekskluzivisht vetëm nga pikëvështrimi dhe ambienti policor, ndërsa në programet me një kohë të shkurtër emetimet do të jenë nga perspektiva e dorasit, ku do të transmetojnë edhe mendimin e tij.

3. Televizioni, me përmbajtje të gjatë minutazhi, në të shumtën e rasteve i ofron pranuesit lajme dhe reportazhe spektakulare dhe frikëprodhuese, të cilat pa dyshim dhe “detyrimisht” do të prodhojnë dhunë dhe ngatërresa. Kriminaliteti “i butë”, si thyerja e banesave, vjedhja e pasurisë private dhe deliktet në komunikacion paraqiten pak, të mos themi aspak, në emisionet miniminutëshe.

4. Programi dominues i TV-së “mbulohet” kryesisht nga niveli i krimeve “të rangut të madh” dhe të “atij mesatar”, ndërsa programet minore viktimën dhe dorasin i paraqesin njëngjyrësh dhe njëtrajtësisht.

5. Programi dominues transmeton dhe paraqet delikuentët si shumë agresivë, vrasës, kërcënues dhe të rrezikshëm. Kështu, personaliteti dhe statusi social i delinkuentit vlerësohet qëllimisht dhe fuqimisht me sy negativ. Programi minor rrëfen për rrethanat sociale të delinkuentit, por vetëm sipërfaqësisht dhe “idiotesk”.

Lexo po ashtu:  Gara vazhdon/ 9 shtete janë ende në lojë për të vendosur kush fiton Presidencën Amerikane

6. Në programin, me përmbajtje të gjatë minutazhi, kriminaliteti paraqitet si problem personal dhe jo si problem social. Pra, lë të kuptohet se delikuentët janë të lindur si hajna, vrasës dhe kriminelë, sepse “diçka nuk është në rregull” me personalitetin e tij.

Emisioni minor, ndërkaq, në mënyrë jo të kënaqshme dhe përshpejtësisht, paraqet situatën dhe kushtet e tij jetësore, si papunësinë, jetën e çrregulluar familjare etj. Institucionet pedagogjike e sociale, të cilat kanë qenë në “kontakt” me delinkuentin, nuk paraqiten në TV.

Në këtë muaj, tetor 2006, Kosova jonë e vogël u trondit nga një tragjedi njerëzore. Edhe më shumë Kosova jonë e vogël u provokua nga gazetaria jonë amatore dhe e pashkolluar. Ja një shembull që përforcon mendimin tim: Vrasja e shtatëvjeçares Elona Krasniqi dëshmoi se gazetaria jonë dhe prezantimi i kriminalitetit në televizion (edhe në mediat tjera) vuan nga deficiti etik.

Etikë gazetareske nuk do thotë që të paragjykohen reportazhet e krimit dhe të drejtësisë. Raportimi mediatik rreth këtij rasti tragjik të shoqërisë sonë bëri që familja e së ndjerës Elonë të vritet dhe të përdhunohet për të dytën herë.

Pse mendoj kështu dhe pse e them këtë?

Gazetaria jonë nuk tregoi as më të voglin respekt për viktimën, për fëmijën…
Mediat elektronike dhe të shkruara nuk “u lodhën” fare për të ngushëlluar dhe për të nderuar dhe respektuar familjen dhe të afërmit e viktimës. Nuk u tregua e nuk u shfaq kujdes edhe në paraqitjen dhe publikimin e emrit dhe fotografisë së dorasit të dyshuar.
Po ashtu, përzgjedhja e fjalëve ishte e njëanshme, ofensive dhe me plot emocione. Fjalitë ishin frikëprodhuese dhe mundësia për të prodhuar dhunë dhe ngatërresa brenda familjes sonë, në përgjithësi, ishte e madhe.

Lexo po ashtu:  Mbreti spanjoll pritet me protesta në Barcelonë

Reportazhet amatore gazetareske nuk u ndalën të analizojnë rrethanat sociale, psikologjike e shëndetësore të vrasësit të dyshuar. Nuk pamë e nuk dëgjuam mbi jetën, eventuale të çrregulluar dhe të vështirë familjare.

Nuk pamë e nuk lexuam për raportet mjekësore të gjendjes psikike dhe shëndetësore të të akuzuarit. Nuk u shkrua e nuk u kritikua aspak defekti në sistemin tonë shëndetësor, pedagogjik e social.
Nuk u potencua shoqëria jonë e traumatizuar nga lufta dhe skamja.

Gazetarët e gazetaret, në mënyrë paushalle dhe me hamendje, përgjithësuan, gjykuan dhe akuzuan “axhën” e familjes shqiptare. Familja shqiptare, institucioni ynë, në përgjithësi, u akuzua rëndë.

E them se u akuzua sepse rasti “Elona” nuk u veçua si rast i ndarë dhe i sëmurë psikosocial. Në vend të kësaj gazetarët u paraqitën vetë si policë e gjykatës hetues, ndërsa policia dhe hetuesia ishte më profesionale dhe shumë më e kujdesshme në deklarime dhe shpjegime të nuancave të tragjedisë.

Si të punosh me etikën?
Menduan mediat se çfarë pasojash ka botimi i një artikulli të tillë? U hamenda nëse artikulli, i lansuar me pompë, është i vlefshëm dhe i dobishëm? Çfarë pasojash ka artikulli apo reportazhi për lexuesin, për dëgjuesin dhe për shikuesin? Po për gazetarinë dhe mediat në përgjithësi?

Shpesh, shumë gazetarë e gazetare kanë ambicie personale që artikulli i tij apo i saj të publikohet në faqe të parë të gazetës apo në fillimin e lajmeve dhe emisioneve. Po ashtu edhe konkurrenca mediatike për të qenë i pari me artikuj, kalon kufirin e etikës gazetareske.

Lexo po ashtu:  Për ditën e Flamurit Kombëtar, më 28 nëntor do të jetë pushim në Kosovë

Në artikujt, reportazhet, lajmet dhe emisionet radiotelevizive mbi rastin tragjik të së ndjerës “Elonë” u vërejt një mungesë e thellë e eupatisë. Është e dhimbshme dhe njëkohësisht tragjike se si një grup i madh i gazetarëve treguan paaftësi për të futur veten e tyre në jetën dhe në ndjenjat e të tjerëve. Në mediat tona nuk pamë e nuk dëgjuam fjalë për personalitetin dhe statusin social të tij. Kjo mungesë e empatisë ka themelin dhe fillimin në vrapin pas parasë, etjen për vëmendje, status, garim për të përfituar më shumë lexues e më shumë konsumues dhe, kështu, natyrisht, edhe sigurimin e parave nga fitimi i reklamave.

Etika profesionale e gazetarisë shqiptare, në anën praktike, siç duket, ka shumë pak hapësirë për eupati. Detyrë e parë e gazetarit dhe e gazetares është që të tregohet respekt për njeriun, e veçanërisht për grupet e dobëta të shoqërisë sonë dhe të të sëmurit psikik.

Të gjithë jemi dëshmitarë se si Gjykata për krime lufte në Hagë, kriminelit dhe arkitektit të vrasjes së më shumë se 300.000 njerëzve në Ballkan, i drejtohej me fjalët: ”Mr. Miloshevic” (Zoti Millosheviq). Secili nga ne ka dinjitetin, unin dhe personalitetin vetanak. Andaj, edhe kjo, nga mediabërësit tanë, duhet respektuar medoemos.

Në tetor 2006 u varros Elona e njomë, e bashkë me të edhe etika e gazetarisë sonë.

(Shkëputje nga libri “Mediat dhe Politika” 2006, autor Gëzim Mekuli)

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com