“Shumica prej tyre e pinë rakinë, e luajnë #bixhozin, nuk e mbajnë fjalën, e ndërrojnë mendimin fare lehtë, sot flasin kështu e nesër flasin ndryshe, nuk flasin kur duhet të flitet ose flasin vetëm çka u thotë burokracia politike të flasin, i lënë miqtë në baltë, s’kanë kurrfarë ideali. Me një fjalë: janë njerëz të pakarakter.”
Nëse vlerësoni gazetarinë tonë të pavarur, na mbështetni me një "kafe" simbolike për të mbajtur Mekuli Press të lirë nga çdo ndikim!
☕ Mbështete sot MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptareViti 1989, janar/ Intervistë e Rexhep Qosjes në revistën “Fjala”
– Pse atëherë disa intelektualë janë instrumentalizuar në shërbim të burokracisë politike, duke braktisur pozitat intelektuale e humaniste?

– Motivet e instrumentalizimit të intelektualëve, ç’është e vërteta, mund të jenë të ndryshme. Prej historisë dihet se disa intelektualë kanë pranuar të instrumentalizohen duke shpresuar se, ashtu do t’i realizojnë më lehtë idetë, shikimet, idealet e tyre sociale, morale dhe shoqërore. Prej historisë, ndërkaq, dihet se intelektualët e tillë kanë pasur herë më pak, herë më shumë e më së shpeshti aspak sukses në realizimin e qëllimit të tyre. Rastet e tilla janë shënuar, kryesisht, në kulturat e mëdha, dhe kryesisht në kohët e kaluara kur edhe numri i njerëzve që merrnin pjesë në pushtet ishte larg më i vogël se sot, kur në të vërtetë nuk mund të flitej për burokracinë në kuptimin e sotëm, që është shndërruar në një mastodont, që i thith gjakun popullit.
Sot, në rastet më të shpeshta intelektuali instrumentalizohet për arsye të interesave të ngushta, që i sendërton më lehtë duke i shërbyer burokracisë si argat i thjeshtë i saj, pa e përdorur intelektin, domethënë pa luajtur rolin e atij që i sheh dhe i thotë të vërtetat e hidhura të realitetit politik dhe shoqëror. Nuk ka dyshim se pushteti prish, kurse, sikundër është thënë, pushteti absolut prish në mënyrë absolute.
Kam vërejtur se intelektualët që janë vënë në shërbim të burokracisë politike, që kanë filluar të flasin me gjuhën e saj, me frazat e saj boshe, në rastet më të shpeshta, janë njerëz të llojit të veçantë, me shprehi të veçanta. Shumica prej tyre e pinë rakinë, e luajnë bixhozin, nuk e mbajnë fjalën, e ndërrojnë mendimin fare lehtë, sot flasin kështu e nesër flasin ndryshe, nuk flasin kur duhet të flitet ose flasin vetëm çka u thotë burokracia politike të flasin, i lënë miqtë në baltë, s’kanë kurrfarë ideali. Me një fjalë: janë njerëz të pakarakter.
Kam vërejtur se intelektualët e tillë nuk mund të kenë talent, në të vërtetë janë njerëz me një si gjysmëtalent, por të shkathët e brrylaxhi, sidomos dhelparakë, dinakë – sado dinakëria s’duhet të jetë cilësi e njeriut se është cilësi e dhelprës! Më në fund talent të fortë pa karakter të fortë nuk mund të ketë. Kam vërejtur, gjithashtu, se intelektualët e tillë, të instrumentalizuar, edhe gënjejnë shumë, por gënjeshtrave të tyre gati gjithmonë kujdesen t’ua vejnë kapakun e pushtetit, të rezolutave e të platformave partiake të miratuara «njëzëri»! Personalisht nuk kam kurrgjë kundër intelektualëve të tillë të instrumentalizuar!
Më në fund çdokush varet në gozhdë të vet. Por një numër i këtyre intelektualëve kanë bërë dhe bëjnë dëm në jetën tonë kulturore dhe politike: bëjnë, objektivisht, dëm ose vetë drejtpërdrejtë, ose duke i nxitur të tjerët, burokratët politikë, të bëjnë dëm; bëjnë dëm duke folur si nuk është e vërtetë ose duke heshtur para të keqes ; dhe bëjnë dëm sepse, në kushtet tona të stome, kur e kur intelektin e tyre burokracia e shfrytëzon për të mbuluar masa politike e të tjera shtypëse që s’do të duhej të gëzonin pëlqimin e njerëzve, që e përdorin ndershëm intelektin në jetë. Për këtë arsye udhëheqjet politike dhe intelektualët që janë vënë në shërbimin e tyre në këtë kohë të ndjekjeve e të shtypjes së popullit shqiptar do të jenë të shënuar me shenjën e Kainit.
Intervistë e #RexhepQosjes për revistën “Fjala” – 1. Janar 1989. #MekuliPress
