Kohëzgjatja e leximit: 8 minuta

Kadare: “Qysh në ditët e para të lirisë u vu re mjergulla e parë. Krahas mirënjohjes për çliruesit evropianë, nisi një eufori e tepruar për çliruesit vendës. Shkallë-shkallë kjo e fundit po fryhej nga disa rrethe në atë masë saqë vetvetiu mirënjohja për Europën po tkurrej për të shkuar drejt zhdukjes. Mendime të tilla si “ushtritë perëndimore e çliruan Kosovën” me të cilën hapet ky nënkapitull, do të tingëllonin përherë e më të panatyrshme nga që ishin zëvendësuar nga mendimi tjetër: Kosovën e çliroi UÇK-ja.”

Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.

☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.

Më poshtë MekuliPress ju sjell fragment të librit “Shqiptarët në kërkim të një fati të ri”, nga shkrimtari i madh shqiptar me përmasa botërore, Ismail Kadare, i cili që në vitin 2000 paralajmëronte për rreziqet e mungesës së vetëkritikës, etjes për pushtet dhe gabimeve politike që mund të dëmtonin çështjen shqiptare.

A ishte Kadare profetik? A na paralajmëroi se politika shqiptare, në vend që të mësonte nga historia, mund të merrte vendime me pasoja të rënda për Kosovën dhe UÇK-në?

Sot, përballë Gjykatës Speciale, pyetjet janë të pashmangshme: Kush e mori përgjegjësinë politike për themelimin e saj? Kush e mbështeti dhe kush e justifikoi në media? Pse sot dëgjojmë kaq shumë zhurmë e propagandë, por kaq pak vetëkritikë dhe llogaridhënie?

Të kërkosh përgjegjësi nga politikanët dhe gazetarët që kontribuuan në themelimin e kësaj gjykate nuk do të thotë të mohosh drejtësinë. Do të thotë të kërkosh transparencë për vendimet që prekën një çështje kaq të ndjeshme kombëtare. Edhe mediat (përjashto gazetën MekuliPress e cila që në ditën e parë ishte logjikisht, dhe argumentueshëm, kundër Gjykatës një-etnike për ta dënuar UÇK-në) që i mbështetën këto vendime duhet të përballen me pyetjen se a e kryen detyrën e tyre kritike apo u bënë zëdhënëse të politikës.

Lexo po ashtu:  A ka Shqipëria një politikë të jashtme?

Kadare na la një mësim të qartë: pa vetëkritikë, gabimet tona mund të kthehen në barrë për brezat që vijnë. A kemi guximin ta pranojmë këtë sot, apo do të vazhdojmë t’i mbulojmë përgjegjësitë me zhurmë mediatike?

Më poshtë pjesë nga libri i Ismail Kadare:

REVANSHI SERB

Pas çlirimit të Kosovës nga ushtritë perëndimore, Serbia e Milosheviçit nuk e hoqi shpresën për të shkaktuar ftohje, pastaj acarim e mundësisht konflikt midis shqiptarëve dhe Evropës Atlantike.

Në një vështrim të parë mund të dukej një shpresë e kotë, si përpjekjet e të mbyturit për t’u kapur nga flokët e vet. Por nuk ishte ashtu. Serbia i njihte cenet e shqiptarëve, vanitetin, kapardisjen dhe etjen e tyre për pushtet dhe lavdi. Ajo do të bënte të pamundurën të nxirrte prej tyre përfitimet e saj. Këto cene pra, bashkë me rrjetin e saj agjenturor, bashkë me nostalgjitë staliniste antiperëndimore, ishin shansi i fundit i saj për t’i rikthyer shqiptarët në gjendjen e tyre të mëparshme: të mallkuarit e Europës.

Qysh në ditët e para të lirisë u vu re mjergulla e parë. Krahas mirënjohjes për çliruesit evropianë, nisi një eufori e tepruar për çliruesit vendës. Shkallë-shkallë kjo e fundit po fryhej nga disa rrethe në atë masë saqë vetvetiu mirënjohja për Europën po tkurrej për të shkuar drejt zhdukjes. Mendime të tilla si “ushtritë perëndimore e çliruan Kosovën” me të cilën hapet ky nënkapitull, do të tingëllonin përherë e më të panatyrshme nga që ishin zëvendësuar nga mendimi tjetër: Kosovën e çliroi UÇK-ja.

Çështje etike? Problem historianësh të ardhshëm? Çështje e dorës së dytë, që lidhet siç thamë më lart me etjen tonë të njohur për lavdi etj. etj.?

Në rastin e Kosovës nuk ka qenë aspak ashtu. Çështja se kush e çliroi Kosovën kishte lidhje me një gjë tjetër: mirënjohjen ndaj Europës. Mirënjohja gjithashtu mund të duket e parëndësishme nga ana politike, dhe në shumë raste ashtu është. Por prapë në rastin e Kosovës, ajo do të merrte ngjyrim dramatik.

Dhe ja sepse: Për të nisur procesi i ftohjes dhe pastaj i armiqësimit të shqiptarëve me Europën Atlantike, e para gjë që duhej të binte ishte pikërisht mirënjohja. Zëvendësimi i mirënjohjes me mosmirënjohjen do të ishte edhe akti i parë i ftohjes.

Lexo po ashtu:  Kryeministri, Albin Kurti, në Twitter: Sulmi ndaj mediave është një sulm ndaj demokracisë. Por demokracia gjithashtu sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare.

Kam qenë përherë përkrahës i UÇK-së së Kosovës. I kam mbrojtur djemtë dhe vajzat e Kosovës që ishin gati të flijoheshin për të, në ditët e tyre më të këqija, atëherë kur u sulmuan dhe u mbuluan me shpifje nga që stuhi propagandistike botërore. E megjithatë le të kemi kurajon të themi të vërtetën: Kosovën nuk e çliroi UÇK-ja, por Evropa Perëndimore.

Kjo e vërtetë as nuk mohon as nuk ndryshon asgjë në meritat e kësaj ushtrie çlirimtare. Ishte UÇK-ja ajo që i ra kambanës së alarmit për të zgjuar gjithë planetin. Ishte ajo që u vra e u copëtua për t’i bërë të qartë botës se ç’po ndodhte në Kosovë. Së fundi, ishte ajo që duke shërbyer si pararojë e NATO-s, arriti të tërhiqte makinën e rëndë ushtarake të saj në vendin e harruar që quhej Kosovë. UÇK-ja ka dhe do të ketë gjithmonë gjithë mirënjohjen tonë. Por as mirënjohja, as dashuria për të, nuk mund të na detyrojë të ndryshojmë të vërtetën. Dhe e vërteta është se UÇK-ja nuk e çliroi dhe as kishte mundësi ta çlironte Kosovën.

Ndërgjegjësimi për këtë do të shërbente si barrierë kundër një psikoze të mundshme antievropiane, psikozë që agjentura serbe u përpoq me të gjitha mënyrat ta nxiste në Kosovë. Pas çlirimit në Kosovë filluan të ndodhnin gjëra të trishtueshme. Dhuna kundër serbëve të pafajshëm, dëbimi dhe frikësimi i tyre dhe i romëve, do të mjaftonin për të dhënë alarmin për një “spastrim etnik” në kah të kundërt, të kryer tashmë prej shqiptarëve. Kjo u shoqërua me një terror të brendshëm midis shqiptarëve të tipit bolshevik: vrasje të kundërshtarëve politikë, larje llogarish, hakmarrje meskine. Kapitali që shqiptarët kishin grumbulluar si viktima të dhunës së egër serbe po shpenzohej me shpejtësi. Bota perëndimore nisi të dëgjonte përherë e më shpesh zërat që i bënin thirrje për të rishqyrtuar ndërgjegjen lidhur me ndëshkimin e Serbisë. Sa më shumë që shqiptarët bënin marrëzira, aq më pak Perëndimi ndihej i detyruar moralisht ndaj tyre.

Lexo po ashtu:  Drejtim i sigurt i automjetit në kohë me shi dhe mjegull? Këshillat që jep Policia Rrugore

Ishte e vërtetë se s’kishte kurrfarë krahasimi midis dhunës serbe dhe asaj shqiptare. Ishte e vërtetë se shenja e barazisë që shpeshherë me ligësi dhe djallëzi, u vu midis tyre tingëllonte si fyerje e rëndë për popullin e martirizuar shqiptar. E megjithatë kjo nuk e përligjte krimin tonë. Duke imituar xhelatët serbë ne fyenim vetveten. Çdo vrasje serbi ose romi të pafajshëm, çdo djegie kishe a shtëpie serbe hiqte një gur nga muri i solidaritetit i ngritur me aq mund dy vitet e fundit.

Në këtë gjendje tejet delikate liderët e Kosovës nuk u treguan të kujdesshëm. Jo me deklarata të thata, jo me mefshtësi, por me sinqeritet dhe pasion duhej të dënonin dhunën shqiptare. Ta dënonin në mënyrë të besueshme, jo thjesht për t’i bërë qejfin botës, por sepse ashtu ia deshën interesat e lirisë së Kosovës. Dënimi i dhunës shqiptare nuk vinte në kundërshtim as me Kosovën, as me moralin universal, ndaj s’kishte vend për kurrfarë mëdyshjeje. Për fat të keq mëdyshjet binin në sy që larg.

Një rreth me cen i rrezikshëm u krijua në Kosovë dhe në një pjesë të diasporës shqiptare. Sa më shumë Evropa Atlantike e ngrinte tonin kundër dhunës shqiptare, aq më fort shtohej rreziku i krijimit të nervozizmit të ndërsjelltë. Instinkti i vjetër stalinist kundër NATO-s rrezikonte të dilte tashmë hapur.

Beogradi përgjonte çdo shenjë, përpiqej të kapte çdo rast dhe natyrisht i hidhte benzinë zjarrit. Dy ngjarje që u dukën të papritura i sollën më afër se kurrë armët shqiptare me armët e NATO-s, rrjedhimisht triumfin e ëndrrës serbe për konflikt: rebelimi ushtarak në Luginën e Preshevës dhe ai në Maqedoni. I pari filloi në kohën e Milosheviçit, i dyti në atë të Koshtunicës…

/Ismail Kadare, pjesë nga” Shqiptarët në kërkim të një fati të ri” Sprovë, Onufri, 2000 Tiranë./#MekuliPress.com

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com