Spastrimet dhe dëbimet e fqinjëve ballkanikë ndaj shqiptarëve datojnë prej 200-vitesh, por edhe më parë prej turqve dhe numërojnë si ideatorë të tyre deri mendimtarë me reputacion, shpesh politikanë, diplomatë, shkrimtarë, rëndom ushtarakë dhe të tjerë. Protagonistët më të mëdhenj të spastrimit ndaj shqiptarëve në 200-vitet e fundit janë serbët, malazezët dhe pa asnjë dyshim grekët.

Sot, mund të jemi në marrëdhënie të mira dhe shpresojmë që këto të ruhen dhe në të ardhmen, por fëmijëve në shkolla, apo të rinjve të sotëm dhe shumë pseudove duhet t’ua kujtojmë historinë e dhimbshme. Kjo histori nuk bëhet, siç pretendohet sot në botën e globalizmit me fshirjen e teksteve në shkolla, por me shkrimin e sinqertë të gjërave që kanë ndodhur dhe që varen ende pezull sot mes nesh. Ndoshta kjo i bëri serbët, pak javë më parë, që të derdhin aq inat në stadium kundër një vendi që se kanë fare në kufi, apo që i bën grekët sot e kësaj dite të mos e njohin realitetin çam.

Janë një sërë platformash, idesh dhe memorandumesh, që kanë kryer ndër dekada funksionarë të lartë serbë, malazezë, grekë, përmes mbretërve të tyre, ushtarakëve, kryeministrave dhe ministrave, duke kërkuar që ta shfarosin krejt Shqipërinë. Të mendosh se në emrat e njohur janë deri në familjet e njohura dinastike ballkanike, por edhe shkrimtarë nobelistë, atëherë drithërohesh.

Janë ideatorë të kombeve të tyre por duke menduar shfarosjen e kombi tonë që e quanin rëndom si të panevojshëm, apo që në një të ardhme mund të bënin deri ekspansion biologjik në gadishull, si referojnë rëndom për shqiptarët. Sot, historia është kthyer përmbys, por për fat në anën e mirë, pasi kosovarët populli më martir i Gadishullit, ka shtetin e vet dhe madje dhe një shtet amë në kufi, kurse grekët jo larg në kohë do të përballen realisht me problemin e Çamërisë.

Kurse serbët janë rrudhur deri në absurd. E Drejta mund të vonojë por nuk mund të harrojë kurrë. Koha e provoi këtë dhe Shqipëria është jo vetëm faktor në Ballkan, por edhe një nga elementët më të rëndësishëm të qetësisë dhe ekzistencës së këtij gadishulli. Po shpalosim disa nga këto momente, kur shqiptarët janë parë si elementë të denjë për t’i përzënë nga shtëpitë e tyre, thjesht për interesat e pastra hegjemoniste greke, serbe, malazeze etj.

 “Naçertanija” e Ilija Grashaninit, ministër dhe ideolog

Propozimin për këtë platformë, Ilia Grashaninit ia sugjeroi pansllavisti çek Frantishek A. Zach (1807-1892), prej Moravisë, atëkohë pjesë e Perandorisë Austriake. Zach përfaqësonte organizatën e emigrantëve polakë, të themeluar prej princit Adam Czartorysky. Qëllimi është i qartë, Zahu që e njeh mirë Beogradin u sugjeron autoriteteve serbe të qëndrojnë larg ndikimit rus. Ilia Grashanini ishte funksionar i Strukturave të Brendshme të Serbisë. Personazh i shekullit të XIX (1812-1874), ai u bë figurë kryesore e regjimit konstitucional si edhe ideatori i ithtarëve të zgjerimit të shtetit të Serbisë. Ai mbahet si themeluesi i bazave të politikës serbo-madhe të bashkimit. Garashanini, platformën e tij të sintetizuar e paraqiti në dokumentin sekret të cilin e quajti “Naçertanie”  (1844) që përkthehet Projekt, d.m.th. Plan. Në fakt, besohet se projekti themelor ishte kryekreje memorandumi i Zahut, që e mendonte Serbinë e re si vazhduese të perandorisë mesjetare të Stefan Dushanit (1308-1355). Nostalgji e perandorisë së dikurshme të Nemanjëve, që në shekujt e Mesjetës e shkatërruan Turqit. Garashanin ishte personi i duhur dhe ai menjëherë  argumentoi pse duhet “ta përqafojnë të gjithë popujt serbë që e rrethojnë atë”. Sach mendonte se Serbët duhet të ishin ideatorët dhe udhëheqësit e një formacioni të Sllavëve të Jugut “ajo nuk kufizohet në kufijtë e saj të sotëm, por synon t’i përqafojë të gjithë popujt serbë që e rrethojnë”. Sipas “Naçertanies” së Garashaninit, pjesë e shtetit të madh serb do të ishte edhe Shqipëria Veriore. Për programin e tij, Garashanini parashikoi organizimin e një shërbimi sekret dhe një sistemi të zhvilluar propagandistik. Platforma e Naçertanies, me synimet e saj pushtuese në Ballkan, nënkuptonte edhe shtrirjen në territoret shqiptare. Që atëherë, populli serb, për sllavët, është popull hyjnor dhe popull historik.

Lexo po ashtu:  Studim i The Guardian- Në 10 vite, helmimet nga Paracetamoli janë rritur me 44%

Sipas tij:- boshnjakët janë serbë të fesë islame, d.m.th. serbë të myslimanizuar; gjuha që flasin ata është serbishtja;

–  malazeztë janë serbë, si për nga gjuha, ashtu edhe për nga feja;

– Maqedonia është Serbi Jugore;

– kroatët ndërkaq, janë serbë të fesë katolike dhe gjuha që flasin ata është serbishtja.

Shqiptarët konsiderohen si mbetje turke në Ballkan.

Naçertania u realizua në një pjesë të konsiderueshme gjatë Luftës së Parë Ballkanike (1912) kur Serbia, në bazë të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-13) aneksoi Kosovën dhe viset e tjera lindore të Shqipërisë me një politikë shkombëtarizuese.

 Vaso Çubriloviç: “Dëbimii shqiptarëve” (1937)

Ai që e vazhdoi politikën e “Naçertanies” ishte Vasa Çubriloviçi (1897-1990). Në memorandumin e tij “Iseljavanje Arnauta” (Dëbimi i shqiptarëve), që ai e hartoi për qeverinë e Stojadinoviçit (Milan Stojadinoviç  (Çaçak, Serbi 1888 – Buenos Aires, 1961); jurist dhe ekonomist, kryeministër i Mbretërisë së Jugosllavisë në vitet 1935-1939), ai propozoi metodat, por edhe mënyrat e zgjidhjes së “problemit shqiptar”.  Vaso ose Vasa ka qenë akademik në fushën e Historisë dhe në të ritë e veta ishte një nga organizatorët e atentatit në Sarajevë ndaj trashëgimtarit të fronit austro-hungarez Franc Ferdinandit. Memorandumi i vet flet në mënyrë të detajuar për serbizimin e Kosovës dhe flet pa mëshirë për qeverinë e vet, që s’mundi ta kolonizojë këtë hapësire pas Luftës së Parë Botërore. Memorandumi iu dorëzua më 7 mars 1937 qeverisë së Milan Stojadinoviçit dhe ka deri dëbim fizik të shqiptarëve prej Kosove për në Turqi dhe në Shqipëri. Është pastrimi i parë etnik i detajuar i serbëve. Për këtë citon, nacionalistin tjetër Jovan Cvijiç, që thoshte se: Shqiptarët janë raca më ekspansive në Ballkan, ish-rektorin e Universitetit të Beogradit dhe kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe të Shkencave.

Ja çfarë thuhet në memorandum në preambulën e vet: “Problemi i shqiptarëve në jetën tonë kombëtare dhe shtetërore nuk ka lindur dje. Ai ka luajtur një rol të madh në jetën tonë në periudhën e mesjetës, por një vend tejet të rëndësishëm ka zënë nga fundi të shekullit XVII, kur popullata serbe, prej trojeve që dikur  kanë qenë vatra luftërash, shpërngulet drejt veriut dhe në vend të tyre vijnë malësorët shqiptarë. Dalëngadalë, prej kodrave të tyre ata vendosen në luginat pjellore të Metohisë dhe të Kosovës dhe duke depërtuar drejt veriut, shtrihen në drejtim të Moravës perëndimore dhe jugore; nëpër Malin Sharr bien në Pollog dhe që andej drejt Vardarit. Deri në shekullin XIX është krijuar në këtë mënyrë trekëndëshi shqiptar, pykë e cila, në saje të mbështetjes etnike të vijës Dobar-Rogoznë është ngulur thellë në trojet tona dhe ka arritur deri në Nish, duke i ndarë trojet tona të vjetra të Rashkës nga Maqedonia dhe nga lugina e Vardarit….Këtë pykë shqiptare, Serbia filloi ta krasitë që nga kryengritja e parë duke e dëbuar popullsinë shqiptare të viseve më veriore, që nga Jagodina”

 Ivo Andriç: Spastrimi i shqiptarëve

Nobelisti i letërsisë dhe diplomati i njohur ka përgatitur një dokument që e botoi në Beograd, më 30 janar 1939

Ndarja e Shqipërisë

Me rastin e vlerësimit të tërë kësaj çështjeje, duhet të kemi parasysh se në çdo mënyrë duhet të shikojmë që t’i shmangemi çdo konflikti qoftë të fshehtë qoftë të hapët me Italinë. Gjithashtu duhet ta evitojmë pushtimin e tërë Shqipërisë nga ana e Italisë se në këtë mënyrë do të na rrezikonte në vendet më të ndjeshme – në Bokë të Kotorrit dhe në Kosovë. Duke marrë parasysh të gjitha këto që thamë më sipër, ndarja e Shqipëisë do të mund të vinte në konsiderim për ne vetëm si një e keqe e domosdoshme dhe e paevitueshme, të cilës nuk do të mund t’i bënim ballë, dhe si një dëm i madh nga i cili duhet të nxjerrim aq dobi sa është e mundshme, do të thotë nga dy të këqija duhet ta zgjedhim atë që është më e vogël.

Lexo po ashtu:  Gazeta Dielli (1916), Bahri Omari: - Një sëmundje epidemike po shumohet midis shqiptarëve: sëmundje e politikës (Moralit)

Kompensimet tona

Këto kompensime gjenden në materialin e përpunuar para 20 vjetësh, kur shtrohej çështja e ndarjes së Shqipërisë. Maksimumi që kemi kërkuar në atë kohë ishte kufiri që do të shtrihej buzë Matit e Drinit të Zi dhe që do të na jepte sigurinë strategjike të Malit të Zi dhe të Kosovës. Gjithashtu duhet t’i sigurojë luginat e liqenet të Ohrit dhe të Prespës, duke përfshirë Pogradecin dhe fshatrat sllave të Malit të Thatë, si dhe ato midis Prespës e Korçës. Marrja e Shkodrës, në këtë rast, do të kishte rëndësi të madhe morale dhe ekonomike.  Kjo do të na mundësonte zhvillimin e punimeve të mëdha hidroteknike dhe përfitimin e tokës pjellore për ushqimin e Malit të Zi. Shqipëria Veriore, në kuadrin e Jugosllavisë, do të mundësonte krijimin e lidhjeve të reja të komunikacionit të Serbisë Veriore e Jugore me Adriatikun.

Me ndarjen e Shqipërisë do të zhdukej qendra tërheqëse për minoritetin shqiptar në Kosovë, i cili, në një situatë të re, do të asimilohej më lehtë. Ne, eventualisht, do të kishim edhe 200 000 deri 300 000 mijë shqiptarë më tepër, por këta janë, të shumtën, katolikë, marrëdhëniet e të cilëve me shqiptarët myslimanë nuk kanë qenë kurrë të mira. Shpërngulja e shqiptarëve në Turqi gjithashtu do të bëhej në rrethana të reja, sepse nuk do të ekzistonte kurrfarë aksioni më i fortë për pengimin e saj. (Pjesa e marrë nga libri i Hivzi Sulejmanit)

 Dobrica Çosiç:  Shqiptarët, barrë për Ballkanin

Shkrimtari i njohur serb Dobrica Çosiç  u nda vetëm pak kohë më parë nga jeta. Ai mbahet si babai i popullit serb dhe megjithëse ka qenë dhe disident ndaj Titos, kur ishte puna ndaj shqiptarëve, mbahet si një nga mbështetësit e politikës së Rankoviçit, ministrit të brendshëm famëkeq në kohën e Titos. Si akademik dhe shkrimtar ka qenë një nga njerëzit që ka hartuar shpesh ide kombëtare dhe ka pasur polemika me shumë njerëz. Çosiç i ka quajtur shqiptarët si barrë barbare e Ballkanit, ndërkaq thuhet se është pajtuar me idetë për Serbinë e madhe dhe ka folur se si pjesë të Kroacisë e Bosnjës duhet t’i kthehen Serbisë. Megjithatë, pak muaj më parë i konfesoi revistës “Nedeljnik”, në moshën 93 vjeçare, se Kosova humbi dhe apeloi te gjeneratat e reja të mos harxhojnë energji pasi këtë çështje e ka zgjidhur historia kundër ideve të tyre.

 Sllobodan Millosheviçi: Spastrimi final

Lëvizja për pavarësinë e Kosovës mori hov në mesin e viteve ’80, por Serbët ishin kundër autonomisë dhe më 1987 Sllobodan Milosheviç, që po ngjiste atëkohë hierarkinë pushtetare serbe  u zgjodh udhëheqës i Partisë Komuniste Serbe me premtimin për rikthimin e sundimit Serb në Kosovë. Më 1989, Millosheviçi u bë Presidenti i Serbisë dhe menjëherë ndërhyri në Kosovë, duke e ulur fare autonominë më 1990, nëpërmjet dërgimit të trupave ushtarake që rrëzuan qeverinë kosovare. Por llogaritë ishin bërë gabim pasi kjo politikë e përcolli Federatën Jugosllave drejt shkatërrimit më 1991, dhe më 1992, kurse Kosova pak vite më parë do të shpallte shtetin e saj.. Epilogu ishte se Millosheviçi, që mendonte t’i jepte fund problemit shqiptar përfundoi në Gjykatën e Hagës dhe vdiq pa iu mbyllur procesi i krimeve ndaj njerëzimit, që i rëndonte mbi supe. Ai bëri një shpërngulje gati biblike të shqiptarëve në fund të viteve ’90 nga më famëkëqet e shekullit të shkuar.

 Greqia

Nga viti 1913-1922, kohë në të cilën Shqipëria përjetoi shumë peripeci, Greqia vazhdoi të bënte sistematikisht pastrimin etnik të shqiptareve. Greqia përzuri nga trojet shqiptare mbi 80 mijë shqiptarë, ku një pjesë i dërgoi në Turqi, e të tjerët i shpërndau nëpër ishujt e vdekjes.

 “Protokoll i Korfuzit”

Është një dokument që përcakton kufijtë e Vorio-Epirit, ku koncepti i Vorio-Epirit shtrihej deri në Durrës, pasi Epidamusi i lashtë ishte koloni greke! Të tjerët e çonin këtë kufi deri në Shkumbin. ‘Protokolli” përcaktonte si Vorio-Epir krahinat e Korçës, Gjirokastrës, Sarandës e Himarës.

Lexo po ashtu:  Bashkatdhetarët mund të rikthehen në shtetet ku jetojnë deri të hënën

 Ligji i Luftës

Historia e Ligjit të Luftës fillon më 10 nëntor 1940 kur u shpall dekreti mbretëror grek-ligji 2636 mbi gjendjen e luftës së Greqisë me Italinë e Shqipërinë. Pas pushtimit nga Gjermania, qeveria kuislinge e Greqisë e kryeministrit Jorgos Xolagoklus e hoqi Ligjin e Luftës. Por pas përfundimit të luftës, qeveria e sapo formuar në vitin 1945 e rikthen atë duke i rishpallur luftë përsëri Shqipërisë me një dekret të ri me numër 13. Më 28 gusht 1987 Qeveria e Andreas Papandreu, i pranishëm dhe Karolos Papulias, heq Ligjin luftënxitëse mes Greqisë e Shqipërisë.

 Masakra e Zervës, gjeneralit grek mbi çamët

Gjenerali kolaboracionist Napolan Zerva, në pragvdekjen e tij, tha: “Vdes i qetë se bëra atë që doja. Pas lashë rrëke gjaku, tym, blozë, gërmadhë; ulurima fëmijësh, nuse dhe gra nudo, që futeshin në furrat e ndezura, që të mos pillnin më shqiptarë… burra të varur, shpuar me bajonetë, gjuha shqipe nuk do të flitet më në tokën helene. Kjo me kënaq mua, ashtu siç kënaq tërë shpirtrat helene!”. Më 1944 Zerva dhe gjeneralët e tjerë kishin marrë urdhër që popullsia çame prej 30-35 mijë banorësh ta asgjësonin krejt. Paradoksi ishte se Aleatët mbyllën sytë, ose si shprehej  koloneli Kris Voodhanse, shef i misionit ushtarak aleat, kur deklaronte: ”Me inkurajimin e misionit ushtarak aleat, që unë drejtoja, Zerva i dëboi çamët nga shtëpitë e tyre!”. Genocidi nisi me 27 qershor l944. Ushtarët e Zervës rrënonin gjithçka që gjenin përpara dhe rrafshuan mbi 5800 shtëpi në 68 fshatra dhe qindra mijëra çamë u vranë dhe pronarët u bastisën krejtësisht…

 Konferenca e Paqes (1946)

Në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946 Greqia kërkoi ndryshimin e kufirit me Shqipërinë duke kërkuar jugun shqiptar. Më 1949 ushtria e Greqisë afroi forcat e saja në kufi për të hyrë në Shqipëri. Më 1968 marrëdhëniet midis Tiranës dhe Athinës arritën deri në një luftë të hapur pas pretendimeve greke për aneksimin e jugut të Shqipërisë.

 Agresioni grek i 2 gushtit 1949 në Jug

Më 2 gusht 1949, territori jugor shqiptar në juglindje me bazë rajonin e Korçës, por edhe deri në Konispol të Sarandës në Likojan, u bë objekt sulmi ushtarak prej Greqisë. Nuk ishte provokacion siç u cilësua nga shteti shqiptar në vitin 1949, por sulm ushtarak grek kundër vendit tonë. U shpërnguën me qindra familje shqiptare për t’i shpëtuar këtij agresioni të paprecedent. Greqia vërsuli drejt Shqipërisë mbi 70 mijë forca të armatosura, mbi 50 avionë, 80 tanke dhe një skalion artilerie me afro 400 gjuajtës, kryesisht topa, shteti shqiptar mobilizoi dhe futi në luftën mbrojtëse 10 mijë ushtarë, ndërkohë që po mbante në gatishmëri edhe 30 mijë trupa të tjerë pranë zonës së sulmuar.

 Italia – Aneksimi i Shqipërisë

Më 7 Prill 1939 Italia e pushtoi Shqipërinë,ndërsa vendi  ra krejtësisht nën perandorinë italiane. Njeriu më i rëndëssihëm i vendit ishte Lejtnanti i Përgjithshëm i Madhërisë së Tij Mbretit Perandor në Shqipëri (Luogotenente Generale di S.M. il Re Imperatore in Albania) i atashuar qeverisë së Tiranës. Ky post iu dha ish të dërguarit Françesko Jakomoni i San Marinos, të cilit i raportonte një personel prej 120-140 vetësh.

Autoriteteve shqiptare nuk u lejohej të shpallnin akte ligjore ose të merrnin vendime të rëndësishme pa aprovimin e tij. Shtypi shqiptar kontrollohej nga Piero Parini, i cili gëzonte një status të veçantë në strukturat e aparatit pushtues. Gjatë viteve 1940-1942 ato numëronin 100.000-150.000 vetë. Deri në nëntor 1949 ato ishin nën komandën e Kryekomandantit të Forcave të Armatosura në Shqipëri, gjeneralit Sebastiano Viskonti Praska. Aty u vendos përkohësisht edhe misioni ushtarak i gjeneralit Manlio Gabrieli. Më vonë në Shqipëri u vendos komanda e forcave që pushtuan Greqinë. Qeveria kolaboracioniste në Tiranë drejtohej nga Shefqet bej Vërlaci, feudalist dhe pronar i madh tokash i cili kishte qenë rival i Zogut për shumë vjet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *