Kohëzgjatja e leximit: 4 minuta

Si ndihen sot ata që dikur thoshin “duhet votuar Gjykata Speciale se ia pastron imazhin UÇK-së dhe Kosovës”?

Arbër Zaimi

Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.

☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.

A po ndihen me imazh të pastruar? A vlen ta rrezikosh historinë e sovranitetin për imazh? Cili vend mik a armik do lejonte kësi gjykimi “për të pastruar imazhin”? Absurde.

Si ndihen ata që thoshin “duhet themeluar Gjykata nga vetë Kosova se përndryshe e themelon OKB-ja me iniciativë të Rusisë”?

Çfarë dënimi më të rëndë do të sillte gjykata e OKB-së? Mandej, edhe po të ndodhte, në OKB vazhdimisht ka debate e ndasi, e aty vazhdimisht do të mund të gjenim aleatë, kurrë Rusia nuk gëzon mbështetjen e shumicës atje.

Dikush po thotë sot “të zhbëhet Gjykata”, por si zhbëhet një Gjykatë tashmë e futur në kushtetutë, kur dihet se kushtetuta kërkon edhe votën e shumicës serbe për t’u ndryshuar (shumica e dyfishtë)?

Lexo po ashtu:  Jorge Luis Borges: Dua t’ua lë lexuesve një amanet: nëse një libër ju mërzit, lëreni; një libër mos e lexoni nga që është i famshëm, nga që është modern, apo nga që është i vjetër

Pastaj, marrëveshjet ndërkombëtare për funksionimin e Gjykatës dhe njohjes së dënimeve, si do të zhbëhen? Ç’do të bëhet me deklaratat e shteteve sponsorizuese të Kosovës që mbështesin ende Gjykatën?

Është naivitet i nivelit fëminor të thuash “si ka mundësi që vendet të cilat dikur lëvdonin Thaçin, sot mbështesin dënimin e tij”. Vendet udhëhiqen nga interesat, e ato kurrë nuk janë të lidhura me individët që udhëheqin këtu apo atje.

Është pamençuri ofshama “sa paska ndryshuar bota”. Bota ndryshon gjithnjë, dhe miqësitë e aleancat s’janë kurrë të përjetshme.

Është hipokrizi kur ndonjë nga media thotë “po dënohen prej thashethemeve”, teksa ende media vazhdon të jetë kryesisht e interesuar për thashetheme e për tjerrjen e tyre që sjell më shumë klikime, komente e shikime se sa e vërteta. Mos vallë realiteti i përditshëm është më monoton se dopamina e përnatshme që dëshirojnë e që sajojnë debatet televizive?

Gjyqi i sotmë është rezultat i një projekti afatgjatë të Serbisë, që synon sfidimin e të vërtetave të Luftës Çlirimtare, dhe relativizimin e tyre përmes krijimit të narrativave mediatike, politike, juridike. Qysh prej 2008 kur u nis në Këshillin e Europës ky projekt, me ndihmën e Rusisë, mandej u avancua në institucione të tjera hap pas hapi, ndonjëherë edhe me ndihmën e shteteve që mund të jenë edhe kundërshtarë të Rusisë. Pra, kanë ndryshuar presidentë e parti qeverisëse në Serbi, kanë ndryshuar qeverisje e ideologji në perëndim e në lindje, megjithatë, për 18 vite ata kanë vazhduar projektin e tyre antishqiptar me durim e dinakëri, gjithnjë duke u vetëviktimizuar, duke fshehur fajtorër e duke provokuar viktimat, ndonjëherë duke marrë edhe goditje e duke bërë hapa pas, por sidoqoftë për fatin tonë të keq, me këmbëngulje.

Lexo po ashtu:  “Foshnjat deri në moshën tre vjeç janë engjëj, pastaj ju hyn shejtani dhe bëhen njerëz”

A jemi ne aq të pjekur sa të çojmë përpara projekte kaq afatgjata të natyrës kombëtare e gjeopolitike, të punojmë sot për të arritur diçka ndoshta pas 20 vitesh, duke ditur se ndërkohë do ndryshojnë qeveritë tek ne, po do ndryshojnë edhe qeveritë e vendeve partnere, madje edhe vetë vendet partnere? Apo jemi vetëm për projekte që zgjasin aq sa mandati katërvjeçar, apo iniciativa që lindin në berihajë e në eufori, e që mbarojnë kur mbaron vëmendja publike?

Vini re! Qëndrimet e shprehura në këtë shkrim i përkasin ekskluzivisht autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pozicionin apo linjën editoriale të redaksisë.
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com