Adnan Qaka
Në një epokë të karakterizuar nga pasiguri gjeopolitike, luftë speciale, kërcënime bërthamore potenciale, kriza energjetike dhe ndërprerje të zinxhirëve globalë të furnizimit, siguria kombëtare nuk mund të reduktohet vetëm në dimensionin ushtarak. Ajo përkufizohet si aftësia e shtetit për të garantuar vazhdimësinë funksionale të jetës shoqërore, ekonomike dhe institucionale në kushtet më ekstreme të krizës. Në këtë kontekst, modeli i ndërtuar nga Zvicra që nga referendumi federal i vitit 1959, përmes të cilit u institucionalizua ndërtimi i strehimoreve mbrojtëse në shkallë kombëtare, paraqet një nga shembujt më të avancuar të konceptit të “mbrojtjes totale”. Ky model nuk kufizohet në mbrojtje ushtarake, por integron infrastrukturën civile, spitalet nëntokësore, rezervat ushqimore, furnizimet mjekësore dhe kapacitetet energjetike në një arkitekturë të vetme të qëndrueshmërisë kombëtare.
Në kontrast me këtë paradigmë, Kosova vazhdon të operojë pa një strategji të mirëfilltë dhe të operacionalizuar të emergjencës kombëtare. Dokumentet ekzistuese të sigurisë mbeten kryesisht deklarative, pa mekanizma të qartë implementimi, pa planifikim afatgjatë të rezervave strategjike dhe pa investime sistematike në infrastrukturë mbrojtëse civile. Mungesa e spitaleve nëntokësore, kapaciteteve për trajtim të viktimave masive, bankave të gjakut me rezerva të mjaftueshme, si dhe mungesa e depove shtetërore me furnizime ushqimore e farmaceutike për periudha të gjata izolimi, përbëjnë boshllëqe serioze strukturore.
Një strategji emergjente kombëtare për Kosovën duhet të ndërtohet mbi parimin e vetëqëndrueshmërisë strategjike. Kjo nënkupton krijimin e rezervave ushqimore për të paktën 6–12 muaj, rritjen e prodhimit vendor bujqësor dhe blegtoral, si dhe ndërtimin e infrastrukturës moderne të ruajtjes afatgjatë. Varësia e lartë nga importi në sektorët bazikë përbën rrezik ekzistencial në rast konflikti apo bllokade. Një shtet që nuk garanton ushqimin e popullsisë së vet në kohë krize, e humb autonominë reale politike.
Dimensioni energjetik është po aq kritik. Kosova posedon rezerva të konsiderueshme të linjitit, por mungesa e strategjisë për përpunim të avancuar dhe diversifikim energjetik e kufizon potencialin e saj për pavarësi të mirëfilltë. Investimi në teknologji të gazifikimit të qymyrit, zhvillimi i burimeve të ripërtëritshme dhe krijimi i rezervave strategjike të karburanteve do të reduktonin ndjeshëm cenueshmërinë ndaj krizave të jashtme. Pavarësia energjetike nuk është vetëm çështje ekonomike; ajo është themel i sovranitetit politik dhe i autonomisë në politikën e jashtme.
Në nivel institucional, Kosova duhet të krijojë një arkitekturë të integruar të menaxhimit të krizave, me qendra të decentralizuara komanduese, sisteme të sigurta komunikimi dhe plane të detajuara për vazhdimësinë e qeverisjes në kushte lufte. Ndërtimi i strehimoreve sipas standardeve të detyrueshme për çdo objekt të ri publik dhe rezidencial do të ishte hap minimal drejt krijimit të një kulture të re të mbrojtjes civile. Përgatitja e personelit shëndetësor për skenarë të traumës masive, krijimi i rezervave të përhershme të barnave esenciale dhe zhvillimi i kapaciteteve vendore për prodhim farmaceutik janë komponentë të domosdoshëm të kësaj strategjie.
Ndërkohë, mbetet pyetja legjitime se çfarë po bën Shqipëria në këtë drejtim dhe pse në të dyja shtetet vihet re stagnim i theksuar në ndërtimin e një doktrine të qartë të qëndrueshmërisë kombëtare. Megjithëse Shqipëria është anëtare e NATO-s, anëtarësimi në aleanca ushtarake nuk e zëvendëson nevojën për kapacitete të brendshme emergjente. Siguria kolektive nuk e përjashton përgjegjësinë për përgatitje kombëtare.
Megjithatë, fokusi për Kosovën është edhe më urgjent, duke pasur parasysh rrethanat e saj gjeopolitike, historinë e afërt të konfliktit dhe kërcënimin e vazhdueshëm që vjen nga shteti agresor dhe gjenocidal serb.
Argumenti themelor është se përgatitja sistematike për skenarët më të këqij vepron si mekanizëm parandalues. Shtetet që demonstrojnë kapacitete të larta të mbijetesës dhe rezistencës bëhen më pak tërheqëse për agresion. Përkundrazi, mungesa e përgatitjes krijon perceptim dobësie strukturore. Një strategji emergjente kombëtare për Kosovën duhet të jetë dokument afatgjatë, me objektiva të matshme, me buxhet të dedikuar shumëvjeçar dhe me mekanizma të qartë llogaridhënieje. Ajo duhet të përfshijë jo vetëm aspektin ushtarak, por një transformim të plotë të konceptit të sigurisë – nga reagim pasiv në planifikim proaktiv.
Nëse shekulli XXI karakterizohet nga kriza të ndërthurura – ushtarake, energjetike, dhe ekonomike – atëherë përgjigjja racionale e një shteti të vogël është ndërtimi i qëndrueshmërisë strukturore. Strategjia Emergjente Kombëtare për Kosovën nuk është projekt alarmist, por projekt racional i mbijetesës, stabilitetit dhe sovranitetit afatgjatë. Në mungesë të saj, çdo krizë e ardhshme do të gjejë një shtet të papërgatitur; me të, Kosova do të pozicionohej si shtet serioz, i organizuar dhe i aftë të mbrojë jo vetëm territorin, por edhe vazhdimësinë e jetës së saj shoqërore dhe institucionale.
