Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç kanë përfunduar takimin e tyre të parë ballë për ballë në Bruksel. Takimi u ndërmjetësua nga përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme në BE, Josep Borrell i cili vlerësoi të dy krerët për vullnetin që treguan për tu riulur në dialog pas rreth 2 vitesh.

Në fakt, Borrell theksoi edhe faktin se ishte i lumtur që BE u rikthye të udhëheqë këtë dialog dhe pikërisht në Bruksel. Po ashtu ai priste që sot të kishte diskuime konstruktive por deri më tani i vetmi që është prononcuar është Hoti që ka bërë të qartë se tashmë Kosova është në fazën përfundimtare të përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë.

“Kemi bërë progres edhe tek tema e zhvillimit ekonomik detajet tjera do t’i mësoni ditëve në vazhdim. Jemi duke diskutuar, ka progres presim javën e ardhshme të detajizojmë këto çështje. Këto janë biseda të nivelit politik, sepse jemi në fazën finale të përmbylljes së marrëveshjes finale duhet vullnet të të dy palëve dhe dedikim mbështetës.”, u shpreh Hoti.

Në fakt Hoti nuk ka bërë me dije se në çfarë aspekte është bërë progresi pasi vetëm disa ditë më parë në video- konferencën në prani të Merkel dhe Macron, ai i parashtrovi ‘ultimatume’ Vuçiçit si njohja reciproke, apo krimet e luftës, anëtarësimi në OKB të cilat Presidenti serb tha që nuk do i pranonte kategorikisht.