Qerim Ujkani ishte njëri ndër redaktorët më të spikatur të emisioneve letrare nga proza dhe poezia në Radio Prishtinën e dikurshme. Ka shkruar poezi e prozë, si dhe është marrë me përkthime letrare nga serbokroatishtja në gjuhën shqipe. Ka botuar mbi 20 libra me poezi dhe prozë. Ka përkthyer shumë poetë dhe prozatorë të ish-Jugosllavisë dhe botërorë nga serbokroatishtja

Shaban Hasangjekaj

Njëri ndër krijuesit më të frytshëm të zhanreve të ndryshme letrare në Kosovë, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, pa dyshim është shkrimtari dhe përkthyesi letrar, Qerim Ujkani nga Peja e Kosovës, me prejardhje nga Nokshiqi legjendar, fshat i Komunës së Plavës. Ky fshat është njohur dhe përherë përmendur për shkak të fitores madhështore të shqiptarëve në Betejën e Nokshiqit dhe në mbrojtjen trimërore të Plavë-Gucisë nga pushtuesit malazezë në vitet 1879/1880, por edhe si vatër burimi i shumë personaliteteve të shquara e në zë zejesh e profilesh të ndryshme profesionale, ndër cilët krijuesit letrarë Esad, Hasan e Gëzim Mekuli dhe Drilona Nokshiqi.

Qerim Ujkani u lind në Pejë në vitin 1937. Është njëri nga shtatë djemtë e Ujkan Hasanit të Hasan Bardhit të vëllazërisë Selimaj, njërit prej katër vëllazërive të Nokshiqit: Selimaj, Mekulaj, Buçaj dhe Mehaj, barqe këto të vëllazërisë së madhe Lajçi të fisit Kelmend.

Rrjedh prej një familje zejtare, patriotike e bujare, e cila nga Nokshiqi është shpërngulur në Pejë në flakën e luftërave ballkanike të vitit 1912.
Shkollën fillore dhe të mesmen (gjimnazin në gjuhën shqipe) i kreu në vendlindje – Pejë, ndërsa Fakultetin e Drejtësisë në Beograd, ku studioi shkencat juridike.

Qerim Ujkani me shkrime (poezi) filloi të merret qysh në vitin 1954, kur ishte nxënës i rregullt i Gjimnazit të Pejës, kur i është botuar edhe vjersha e parë në revistën për fëmijë “Pionieri”. Dy vite më vonë filluan t’i botohen edhe vjershat (poezitë) më të pjekura e më serioze të tij në revistën “Zëri i Rinisë”, që botohej çdo dy javë në Prishtinë. Në vitin 1957 i botohet edhe vjersha e parë në revistën letrare “Jeta e Re”, kryeredaktor i së cilës ishte bashkëvendësi i të parëve të tij, Esad Mekuli.
Si gjimnazist, Qerim Ujkani ishte kryetar i grupit letrar “Çajupi” të Gjimnazit të Pejës, e më vonë si student – anëtar efektiv i “Përpjekjes” – shoqatës letrare të studentëve shqiptarë pranë Universitetit të Beogradit.

Ka bashkëpunuar rregullisht me revistat dhe fletushkat në gjuhën shqipe që dilnin në ish-Jugosllavi, si: “Jeta e Re”, “Zëri i Rinisë”, “Rilindja” e “Pionieri” në Prishtinë, “Flaka e Vëllazërimit” dhe “Jehona” në Shkup etj.

Qerim Ujkani ishte njëri ndër redaktorët më të spikatur të emisioneve letrare nga proza dhe poezia në Radio Prishtinën e dikurshme. Ka shkruar poezi e prozë, si dhe është marrë me përkthime letrare nga serbokroatishtja në gjuhën shqipe. Ka botuar mbi 20 libra me poezi dhe prozë. Ka përkthyer shumë poetë dhe prozatorë të ish-Jugosllavisë dhe botërorë nga serbokroatishtja.
Shkrimtari Qerim Ujkani është prezantuar në antologjitë dhe panoramën e poezisë bashkëkohore shqiptare në gjuhën shqipe, serbokroate dhe disa gjuhë botërore, ndër të cilat, në italisht, spanjisht, frëngjisht, polonisht, anglisht etj., ndërsa në kuadër të “Letërsia e shekujve”, vëllimi XXXIII – Milano, u prezantua në mesin e 15 poetëve shqiptarë të të gjitha kohërave.

Shkrimtari Qerim Ujkani ndërroi jetë në Prishtinë, më 12 mars 2015, në moshën 78-vjeçare, ku me nderimet më të larta u varros në varrezat e qytetit.
Në edicionin e Ndërmarrjes Gazetare, Botuese dhe Grafike “Rilindja” në Prishtinë, në vitin 1963 doli nga shtypi përmbledhja e tij e parë me poezi, me titullin “Hullinat”, e ndarë në tre cikle “Vocrraku me topin e kuq” (22 poezi), “Sy më sy me vendlindjen” (23 poezi) dhe “Qetësia e humbur” (12 poezi). Një vit më vonë, më 1964 botohet vepra e dytë, me titull “Përralla e votrës” dhe pastaj me radhë veprat: “Tingujt e vendlindjes” (vjersha për fëmijë), në vitin 1967; “Deti ose poema e shqetsueme” – Rilindja, 1968; “Pagëzime” – Rilindja, 1969; “Antisonete” – Rilindja, 1972; “Pasthirrmë” – Rilindja, 1974 (e ribotuar në vitin 1981); “Lartësi toke” – Rilindja, 1979; “Gjaku im” (vjersha të zgjedhura) – Naim Frashëri, Tiranë, 1980; “Hije e këputur” – Rilindja, 1982; “Dielli që po e krijoj” (vjersha të zgjedhura) – zgjedhja dhe parathënia Hysni Hoxha – Rilindja, 1983; “Përrallë erërave” – Rilindja, Prishtinë, 1986; “Mesjetarë të përjetshëm” – “Rozafa” Prishtinë, 1988; “Kthimi i ushtarit në shtëpi” – “Rozafa”, Prishtinë, 1997; “Mëkatet e errësirës” – Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë, 1997; “Malli i atdheut” (Antologji e poezisë shqipe me temën e mërgimit, bashkautor me Iliaz Prokshin), Shoqata për kthimin e të shpërngulurve në trojet e veta – “Dukagjini”, Pejë, 1995; “Elegji mëngjesore” – “Nositi”, Prishtinë, 2009 dhe “Qyteti i Zi”, Prishtinë, 2011.

Shkrimtari Qerim Ujkani në gjuhën serbokroate ka botuar veprat: “Krštenja” (Pagëzimet), vjersha të zgjedhura – “Jedinstvo”, Prishtinë, 1975; “Dolazak u jedan grad” (Ardhja në një qytet), vjersha të zgjedhura, parathënia dhe përkthimi i Hasan Mekulit – “Vesellin Masllesha”, Sarajevë, 1980.
Nga serbokroatishtja, Qerim Ujkani ka përkthyer në gjuhën shqipe vjershat e zgjedhura të Jure Kashqellanit me titull “Gurë dhe ëndrra” – Rilindja, 1977: vjershat e zgjedhura të Dobrica Cesariqit, me titull “Ujëvara”, Rilindja, 1979; dhe “Çështje të romanit” (bashkë me Muhamed Kërnjën), – Rilindja, 1980.

Lexo po ashtu:  Nëna mjeke e Rita Orës: Ju tregoj betejën me koronan në Londër. Shqipëria reagoi në kohë
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com