Flaka Surroi

Do të thotë 38 veta janë mbledhur aty me qëllimin për t’i dhënë pak mend nga dija dhe përgatitja e tyre profesionale. Dhe, mbase, askujt nuk i paska shkuar në mend t’ia kujtojë kryeministrit që gjëja më e keqe në komunikimin me publikun është imitimi i ish-kryeministrave të Kosovës, që kanë qenë ekspertë për shmangie përgjigjesh dhe për përçmim gazetarësh. Apo ndoshta edhe dikush i ka thënë, por ai ka vendosur të mos i dëgjojë

Java përfundoi me një operacion të Prokurorisë Speciale dhe të Policisë. U arrestuan tre persona, dy prej të cilëve janë zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë…, pas incizimeve që kishin rrjedhur në opinion për keqpërdorimet në furnizimin e rezervave shtetërore me grurë dhe me vaj ushqimor.

Dhe përderisa i gjithë muhabeti i rezervave shtetërore sillet rreth konfidencialitetit dhe sekretit shtetëror – megjithatë në konferencën për shtyp të ministres Hajdari e kuptuam se rezervat shtetërore kapin vlerën prej 15 milionë eurosh, pra, siç e tha ajo, 30 herë më shumë se që kishte qenë në të kaluarën.

Pesëmbëdhjetë milionë nuk janë të vogla dhe duhen siguruar shumë gjësende që klasifikohen si rezerva që duhen futur në treg në rast të fatkeqësive ose për nevojat e rregullimit të tregut. Por, kjo nuk do të thotë se edhe procedura për blerjen e këtij malli të jetë sekrete, në kuptimin e ligjshmërisë së procedurës së prokurimit.
Dhe ishte mu zonja Hajdari, e cila tregoi se 3% e vlerës së këtyre rezervave është vonuar, ani pse shuma e kërkuar është paguar, gjë që është në kundërshtim me ligjin (nëse janë 3% të 15 milionëve, bëhet fjalë për 450 mijë euro). Pra, shkelje procedurale paska pasur. Ajo që nuk dihet me siguri, e këtë duhet ta vërtetojë Prokuroria, është nëse malli i porositur ka ardhur dhe, edhe nëse ka ardhur, a i plotëson kushtet e cilësisë që duhet të ketë.
Hajdari refuzon të japë dorëheqjen. Njësoj siç kishte refuzuar të jepte dorëheqjen edhe Hykmete Bajrami kur u vodhën 2.1 milionë eurot nga Thesari, për shkak se u arsyetua me veprimin e menjëhershëm dhe informimin e organeve hetuese dhe të ndjekjes. Arsyetimi i njëjtë shfaqet edhe kësaj radhe dhe puna me gjasë do ta presë epilogun gjyqësor.

* * *

I papjekur dhe me një humor të pashije qe reagimi i kryeministrit dje, kur u pyet për koment për atë që ende po ndodhte, derisa ky po e bënte shpalljen e masës së tretë për kursimin e energjisë, që do të subvencionohet pjesërisht nga Qeveria.

Lexo po ashtu:  Teoria artificiale e 'kombit kosovar" është antishqiptare

“Unë ju ftoj të gjithëve që nga sot, më datë 18 gusht, të aplikoni për masën e tretë për efiçiencë të energjisë, 45 ditë do të jetë thirrja e hapur… për çështje të tjera jashtë efiçiencës së energjisë që ju interesojnë deklarohemi sot gjatë ditës”, u tha gazetarëve.

Heshtje gjithë ditën, dhe dikur vonë, shumë vonë u bë i gjallë, por jo pa e hedhur njëherë Hajdarin në zjarr. Është evidente se problemi ekziston. Dhe është evidente se dikush është marrë me çështjen e arrestimeve të mëngjesit të djeshëm – për shkak se i mblodhi ministrat pasdite në një mbledhje joformale. Më së lehti dhe më e rendit ka qenë që gazetarëve t’u thoshte diçka si: “Po, jam informuar nga ministrja për bastisjet në Ministri. Duke e pasur parasysh se kjo çështje tash po udhëhiqet nga Prokuroria Speciale, ua lëmë organeve të drejtësisë që të merren me këtë çështje deri në sqarimin e gjithçkaje. Po qe se ka vend për përgjegjësi politike, do ta vendosim pas përfundimit të procedurës”. Por jo. I ftoi gazetarët që të aplikonin dhe t’i bashkoheshin në një koktej modest të organizuar gjatë shpalljes.

Kësi filmash kemi parë edhe në të kaluarën. Aktorët kanë qenë të tjerë.

* * *

Do të thuhej se veprimet, dhe jo vetëm të fundit, të kryeministrit janë jo pak të çuditshme. Dhe më e çuditshmja në të gjithë rrëfimin është se veprimet i ndodhin dhe i përsëriten ani se i ka rrafsh 38 këshilltarë, prej të cilëve 18 janë politikë, 10 nëpunës dhe 10 këshilltarë të jashtëm (këta të fundit nuk paguhen nga buxheti). Do të thotë 38 veta janë mbledhur aty me qëllimin për të dhënë pak mend nga përgatitja e tyre profesionale. Dhe, mbase, askujt nuk i paska shkuar në mend t’ia kujtojë kryeministrit që gjëja më e keqe në komunikimin me publikun është imitimi i ish-kryeministrave të Kosovës, që kanë qenë ekspertë për shmangie përgjigjesh dhe për përçmim gazetarësh. Apo ndoshta edhe dikush i ka thënë, por ai ka vendosur të mos i dëgjojë. Atëherë, pse i mban gjithë ata përreth?

Kjo mungesë këshillimi apo edhe injorim këshillash u bë evidente javën e shkuar kur udhëtoi për në Maqedoni, i ftuar nga komunat e Çairit dhe të Tetovës. Me atë rast shmangu takimin me zyrtarët politikë të shtetit fqinj. Ndërkohë nga zyra e tij u bë e ditur se këtë vizitë do ta zhvillonte si kryeministër i Kosovës (sic!).

Përurimi i një rruge me emrin e Adem Demaçit ka mundur ta bënte edhe si Albin Kurti, ish-aktivisti dhe ish-sekretari i Bacës. Në atë rast, zor se do të kishte pasur pretekste për reprezalje ndaj nikoqirëve, të cilët ishin përkujdesur për të mbledhur shumë njerëz në tubimet me të.

Lexo po ashtu:  Lupë mbi Kosovën dhe dylbi mbi Serbinë

Nga ana tjetër, shkoi në Tetovë për të marrë pjesë në përurimin e një rruge lokale, komunale. Gjë të cilën nuk e ka bërë në Kosovë prejse është kryeministër, për shkak se nga projektet që janë dashur të përfundonin, nja dy kanë shërbyer për fotografim, se kinse po punohet, dhe asnjë projekt i ri që do të duhej nisur nuk ka nisur, sepse nuk ka projekte. Nuk ka shpallje tenderësh. Nuk ka punë publike, për pasojë nuk ka para në treg.

Pra, mori pjesë në atë përurim dhe e dha një deklaratë që as figurative nuk mund të quhet, sa e pakuptimtë ishte: “Kjo rruga që pamë këtu është rrugë e brendshme e Komunës, por ne jemi shumë të interesuar që të ecim sa më shpejt për lidhjen infrastrukturore të Prizrenit dhe të Tetovës, që në qiell ishin një qytet e në tokë janë dy, përmes aksit i cili parasheh edhe një tunel”.

Të vetmit që prej kohësh na e çajnë kokën për hyjninë e vet janë serbët. Tash ne po shkojmë një hap para: ne i kemi qytetet hyjnore, na kanë rënë prej qiellit, e na janë shpërndarë e shkëputur gjithandej. Kjo as sens humori nuk është.

Të shkosh në një komunë, prej së cilës nuk varet, e besoj, ndërtimi i një rruge rajonale me lidhje ndërkombëtare, e të flasësh për projektin që kishte qenë premtim zgjedhor në Kosovë, disi nuk shkon. E aq më pak shkon, kur vetëm pas kthimit nga Tetova, dy ditë më vonë, e bëri këtë bisedë me kryetarin e Prizrenit, Totaj.

Përderisa shumica mund ta kuptojmë simbolikën e një rruge të tillë, tri janë gjërat që do të duheshin vendosur nëse kjo rrugë na duhet ose jo: leverdia ekonomike, pra çfarë do të fitonim me shkurtimin e rrugës për në Tetovë; e dyta, sa është i madh rreziku i prishjes së ekosistemit në zonën ku planifikohet të hapet një tunel dhe, e treta, a njëmend e kemi këtë rrugë prioritetin më të madh?

* * *

E besoj se pos këshilltarëve politikë të mbledhur në zyrë, do të ketë edhe të tjerë në parti, që mund ta ndihmojnë të marrë vendime organizative e strategjike. Disa nga ta, pa asnjë dyshim, merren edhe “burimet njerëzore”, pra me aktivistë që bëhen pjesë e partisë, e edhe bëhen përfaqësues të saj nëpër institucione.

Lexo po ashtu:  Cilat janë pesë të përbashkëtat e rëndësishme mes ekstremistëve Reichsbürgers në Gjermani, dhe ekstremistëve të strukturave kriminale të Vuçiqit në veri të Kosovës?

Tashmë e kemi parë se identifikimi i kandidatëve për deputetë nuk ka qenë më i qëlluari. Për shembull, Kodi Civil nuk ka kaluar dhe gjasat janë se nuk do të kalojë pa ndihmën e opozitës. Për shkak se një pjesë e deputetëve janë më parë dogmatikë sesa ideologjikë – një kombinim shumë i çuditshëm kur bëhet fjalë për një parti të krahut të majtë.

Këso shkarjesh duket se i ka edhe në nivelin komunal. Natyrisht, po të ndodhte se të gjithë delegatët, kandidatët, këshilltarët do të përzgjidheshin nga vetë Kurti, atëherë këtu demokracia do të vdiste që në hapin e parë. Pra, supozohet se ekziston një grup njerëzish që do të duhej të dinin të vlerësonin se kush është e kush nuk është i përkushtuar për aktivitet politik, e që nuk e ka interesin personal të parin.

Të martën e shkuar policia në Tiranë e arrestoi këshilltarin e VV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Besnik Mujeci. Ishte zënë bashkë me katër të tjerë, pasi që i janë gjetur 11.300 tableta të dyshuara si drogë, “ekstazi”. Vlera e tabletave: 400 mijë euro.

Mujeci u përjashtua nga partia po atë natë. Pra, një diçka që nuk ka ndodhur me partitë e tjera kur kishte krime të këtij apo ndonjë lloji tjetër. Por, fakti mbetet se një anëtar i VV-së, që i ka fituar zgjedhjet si alternativë ndaj krimit e korrupsionit, është marrë me krim. Për më tepër, me krim të organizuar, madje.

Kurti, kryetari i partisë, nuk doli për të thënë asnjë gjë. Topin ia hodhi sekretarit organizativ, që duhet të merret me çështje disiplinore. Por, politikisht i ka takuar atij të dalë e të flasë dhe të thotë se “askush nuk është mbi ligjin” dhe se lënda është në duart e drejtësisë. E injoroi rastin, sikur të mos ishte. Ashtu siç bënin edhe të tjerët para tij.

* * *

Po e dimë që kemi telashe me veriun, me bisedimet e bllokuara, e me trysninë politike ndërkombëtare. Por, kjo Qeveri nuk është duke e parë apo nuk do që ta shohë se i kemi problem shumë të madh ekonominë, arsimin, shëndetësinë e kulturën. E kemi problem mbajtjen e vendeve të punës, e lëre më krijimin e vendeve të reja. Mbijetesa po shndërrohet në problem serioz.

Dhe jo, përrallat dhe shkarjet letrare nuk do të na nxjerrin prej lloçit.

flaka@koha.net

Burimi: https://www.koha.net/veshtrime/389053/kembet-mbi-toke/

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *