Gëzim Mekuli
/Njohës i shkencave të medias dhe retorikës/
Retorika e çoroditur e Richard Grenell ndaj Kosovës; retorikë e ushqyer dhe e paraprirë nga opozita dhe media e korruptuar e Prishtinës dhe Tiranës, qoftë përmes nënvlerësimit të pavarësisë së Kosovës apo presionit për lëshime ndaj Serbisë, i ngjan qasjes kolonialiste të shekullit XIX që Edward Said e demaskon në librin ‘Orientalism’ (1978).
𝑻𝒆̈ 𝒏𝒅𝒆𝒓𝒖𝒂𝒓 𝒍𝒆𝒙𝒖𝒆𝒔,
Said argumenton se Perëndimi ka krijuar një imazh të shtrembëruar dhe të nënshtruar të Lindjes për ta dominuar atë politikisht dhe ekonomikisht.
Kjo qasje, e aplikuar në Kosovë deri në vitin 2021, shfaqet përmes ndërhyrjeve të figurave si Grenell, të cilët e paraqesin Kosovën si një shtet të paaftë për të vendosur vetë për fatin e saj.
Këtu Said kritikon mënyrën se si mediat perëndimore dhe diplomacia përdorin një gjuhë/retorikë që e justifikon ndërhyrjen e fuqive të mëdha në vendet më të vogla.
Në rastin e Kosovës, mediat, opozita dhe ca aktorë të jashtëm e paraqesin atë si një subjekt që duhet të pranojë kompromise të pafavorshme për hir të “stabilitetit rajonal”, duke anashkaluar të drejtën e saj për sovranitet të plotë.
E pra, të dashur lexues, kjo është pikërisht ajo që Said e quajti një strategji dominimi: krijimi i një tregimi ku vendet e vogla paraqiten si të paafta për t’u vetëqeverisur, në mënyrë që të mbeten të varura nga të fuqishmit.
Në këtë kontekst, projekti i qeverisë Kurti për një Kosovë të pavarur nga Serbia dhe të pakorruptuar është një kundërvënie e drejtpërdrejtë ndaj këtyre tendencave neokolonialiste. Pikë!
Kurti e sheh Kosovën si një shtet që nuk duhet të jetë i nënshtruar ndaj interesave të Serbisë apo ndërmjetësve që veprojnë në favor të oligarkëve rajonal e personal.
Kjo përputhet me kritikën e Said ndaj mediave dhe strukturave që përdorin retorikën e “stabilitetit” për të ruajtur dominimin ekonomik dhe politik mbi vendet më të vogla. Ncuk! Kjo me Qeverinë Kurti nuk kalon.
Shembuj të qartë të këtij diskursi janë marrëveshjet e ndërmjetësuara nga Grenell me opozitën e çoroditur të Kosovës, të cilat favorizojnë komplet Serbinë dhe minojnë copë -copë të ardhmen e Kosovës si shtet i pavarur.
Përpjekjet për të diktuar politikat e Kosovës nga jashtë dhe nga mbeturinat mediatike dhe politike nga brenda, me justifikimin e zhvillimit ekonomik apo normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë e moçme, janë mjete të reja të një neokolonializmi diplomatik.
𝑻𝒆̈ 𝒏𝒅𝒆𝒓𝒖𝒂𝒓 𝒍𝒆𝒙𝒖𝒆𝒔,
Kosova jonë e dashur nuk duhet të lëshojë pe përballë presioneve të këtij lloji. Ashtu siç e argumenton Said, vendet që refuzojnë të jenë të pashpresa dhe të manipuluara nga imazhet e krijuara për ta, kanë potencialin të ndërtojnë një të ardhme të bazuar në dinjitet dhe vetëvendosje.
Prandaj, mbajtja e një qëndrimi të fortë e demokratik ndaj ndërhyrjeve që synojnë dobësimin e Kosovës është jetike për të ruajtur pavarësinë dhe integritetin e saj shtetëror; pra ekzistencën e saj.