Sead Zimeri
Shtetet skandinave janë të njohura për mirëqenien e tyre, barazitë ekonomike dhe gjinore, dhe për të qenurit të parët në botë në indeksin e lumturisë.
Çka i bën këto shtete të veçanta jo vetëm nga ne në Ballkan por nga tërë bota? Mendoj që menaxhimi i mirë i shtetit dhe resurseve natyrore është faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm por menaxhimi i mirë është pasojë e jo shkak i veçantësisë së tyre. Shkaqet janë vlerat që ata i posedojnë dhe i kultivojnë me xhelozi.
Shpesh thuhet që modeli i tyre nuk mund të kopjohet, por asnjëherë nuk e kam kuptuar pse smund të kopjohet. Mirëqenia nuk ngrihet pa disa vlera të përbashkëta kulturore, si solidariteti, barazia, liria, respektimi i ligjit, mosvjedhja e shtetit, mirësjellja, etj. Me një fjalë mirëqenia nuk bëhet pa besimin në njëri tjetrin dhe në shtët.
Bashkë me tjetrin njeriu bën mrekullira. Por nuk mund të bashkëpunosh me tjetrin nëse nuk e respekton tjetrin (pavarësinë e tij apo të saj), dhe nuk mund ta respektosh tjetrin pa liri dhe pa barazi. Respektimi dhe bashkëpunimi me tjetrin ngrihen mbi lirinë dhe barazinë, dy vlera thelbësore për zhvillim dhe mirëqenie. Por liria dhe barazia nuk zhvillohen në natyrë përndryshe të gjithë do të ishim norvegjezë. Ato kultivohen që nga fëmijëria, nëpër shkolla dhe institucione. Edhe në burg trajtohesh si njeri i barabartë. Bëhen investime të mëdha në kultivimin dhe ruajtjen e këtyre vlerave, prandaj edhe shtetet skandinave janë të parët në botë për sa i përket lumturisë dhe mirëqenies socio-ekonomike.
Te ne e kundërta është rasti. Ne kemi besën por besim në njëri tjetrin nuk kemi, e aq më pak u besojmë pushtetarëve (të cilët janë hajdutë). Shtetin e vjedhim si me qenë i armikut e jo i yni. As në liri dhe as në barazi nuk besojmë, por besojmë në vlera hierarkike të ngurta që më nuk reflektojnë botën bashkëkohore dhe mohojnë lirinë e tjetrit.
Gjysma e popollit janë analfabetë që nuk merr pjesë aktive në jetën shoqërore. Kemi krijuar bindjen se burri din më shumë, është më i mençur, më kreativ, më i besueshëm, etj, por kur gjykojmë nga një perspektivë realiste dhe marrim seriozisht të dhënat empirike shohim që kjo bindje aspak nuk përputhet me realitetin. Burri shqiptar ska treguar asnjë zotësi të veçantë që e shquan atë nga gruaja shqiptare (përkundrazi!) apo nga burrat tjerë, ata skandinavë për shembull.
Rezultatet janë dëshpëruese; dështimi është marramendës; mospërputhja mes realitetit dhe mburrjes për arritje imagjinare është në përmasa shizofrenike. Me pak ekzagjerim mund të thuhet që ai nuk mëson, nuk gatuan, nuk kujdeset për fëmijët e tij të vegjël sepse i vie turp para burrave tjerë, nuk shfaq në publik dashurinë për gruan e tij sepse kjo e bën të duket joburrëror, nuk e respekton askënd nëse nuk ka ndonjë interes, nuk shpik asgjë, nuk ka ndërtuar shtet ligjor, e kështu me radhë.
Me një fjalë ai turpërohet nga liria e tij dhe si rrjedhojë ai nuk arrinë ta trajtojë tjetrin si të barabartë sepse ai ende nuk e ka pranuar veten si qenie të lirë ngaqë atëherë duhet të bëhet përgjegjës për ekzistencën e vet. Ne jetojmë në dy botë: në botën imagjinare të të vërtetave iluzore për vlerat e mëdha dhe fisnike që kemi dhe botën reale ku dështimin provojmë ta mbulojmë duke mos e pranuar që ekziston, duke krijuar ndonjë mitologji legjendare në të kaluarën tonë të largët apo duke besuar në komplote kundër shqiptarëve; të gjitha këto janë forma të ndryshme të ikjes nga realiteti që për çdo ditë na përkujton dështimin tonë kolektiv.
Duhet t’i provojmë vlerat që kanë çuar shtetet skandinave aty ku janë sot. Investimi më i madh është investimi në njeriun, sepse njeriu krijon pasurinë, mirëqenien, artin dhe teknologjinë. Por ai nuk i krijon vetë ato, por në bashkëpunim me tjetrin. Nuk mund të ketë prosperitet dhe mirëqenie kur kapaciteti intelektual i gjysmës së popullit a priori përjashtohet nga jeta shoqërore dhe as që konsiderohet për përdorim, kurse kjo gjysma tjetër çalon sepse nuk i ka vlerat e duhura e që janë të domosdoshme për përparim dhe mirëqenie kolektive.
07.04.2019
Oslo
Lexo po ashtu:  Fatura e darkës së Nusretit - Kjo është arsyeja që e detyroi gjysmën e qeverisë të zbarkojë në Dubai...

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *