Nga Gëzim Mekuli
/Njohës i shkencave të mediave dhe retorikës/

Nga këndvështrimi i filozofisë postkoloniale të Edward Said, është tejet shqetësuese kur zëra nga jashtë, shpesh të pozicionuar në privilegjin akademik e politik, marrin përsipër të definojnë identitetin e popujve të tjerë, veçanërisht atyre të vegjël, që historikisht janë përballur me pushtime, gjenocide, kolonializëm, shfarosje kulturore e gjuhësore dhe me përpjekje të vazhdueshme për t’u përçarë.

Historiani austriak Oliver Schmitt, në një deklaratë të fundit në një podcast politik, ngre një tezë rrezikshme, propaganduese dhe të rreme: se ekzistojnë “shqiptarë” dhe “kosovarë” si identitete të ndara dhe të ndryshme. Kjo nuk është vetëm një pasaktësi historike; është një akt i imponimit epistemik (që do të thotë kur një grup më i fuqishëm politikisht, ekonomikisht apo akademikisht, i imponon një grupi tjetër mënyrën e vet të të menduarit, kuptuarit apo të interpretuarit të botës) mbi një popull që e ka dëshmuar veten përmes sakrificës, gjakut, gjuhës, dhe një kulture të përbashkët që i ka qëndruar kohës, dhunës dhe përçarjeve të jashtme.

𝐈𝐝𝐞𝐧𝐭𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐢 𝐩𝐚𝐧𝐝𝐚𝐬𝐡𝐞̈𝐦
S’pari, është e domosdoshme të theksohet se shqiptarët, qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës apo diasporë, janë një popull me një identitet të përbashkët, të rrënjosur në histori, gjuhë, zakone, kod moral e ligjor (Kanuni, fatkeqësisht), dhe një memorie kolektive që i kapërcen kufijtë artificialë të vendosur me dhunë dhe me imponime.

Lexo po ashtu:  Presidenti i Malit të Zi: Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht, ne nuk bëjmë hapa pas

Të thuash se ekzistojnë dy identitete shqiptare është njësoj sikur të thuash se gjermanët në Gjermaninë Perëndimore dhe Lindore pas Luftës së Dytë Botërore kishin identitete kombëtare të ndryshme, një absurditet që historia e rrëzoi me bashkimin e tyre. Apo që koreanët në Jug dhe Veri janë dy popuj të ndryshëm, apo serbët e Bosnjës dhe të Serbisë, ndërkohë që historia dhe etnia i lidhë, pavarësisht ndarjes politike.

𝐓𝐞𝐳𝐚 𝐞 𝐧𝐝𝐚𝐫𝐣𝐞𝐬 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐩𝐫𝐨𝐣𝐞𝐤𝐭 𝐢 𝐦𝐨𝐜̧𝐞̈𝐦 𝐩𝐞̈𝐫𝐜̧𝐚𝐫𝐞̈𝐬
Kjo ndarje identitare është produkt i një përpjekjeje të gjatë e të organizuar për të shuar ndërgjegjen kombëtare shqiptare në ish-Jugosllavi. Që nga Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, që filloi me zhvendosje të dhunshme të shqiptarëve dhe kolonizimin e territoreve etnike shqiptare nga sllavët, e deri te aparati shtypës i Jugosllavisë së Titos, shqiptarët u përballën me ndarje administrative, me ndalimin e flamurit, gjuhës dhe shkollimit në shqip, me përpjekje për t’i etiketuar si “𝐭𝐮𝐫𝐪”, “𝐤𝐨𝐬𝐨𝐯𝐚𝐫𝐞̈”, “𝐦𝐮𝐬𝐥𝐢𝐦𝐚𝐧𝐞̈” si identitete të veçanta nga shqiptaria.

Në fakt, edhe regjimi i Millosheviqit i quante shqiptarët në Kosovë si “𝐒̌𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫𝐢”, një term racist e përçmues, ndërsa shqiptarët në Shqipëri si “𝐀𝐥𝐛𝐚𝐧𝐜𝐢”. Kjo nuk ishte gjë tjetër veçse një strategji për të mohuar unitetin kombëtar shqiptar dhe për të legjitimuar trajtimin e tyre si të huaj në tokën e vet.

Lexo po ashtu:  Ne shqiptarët e sotëm, të 100 vjetëve të fundit, nuk meritojmë dy gjëra: gjuhën shqipe dhe Skënderbeun.

Për më tepër, edhe pas luftës së Kosovës, nën administrimin e UNMIK-ut, vazhduan përpjekjet për të kultivuar një “identitet të ri kosovar”, të shkëputur nga rrënjët e tij shqiptare. Kjo është një formë e sofistikuar e neokolonializmit kulturor, ku fuqitë ndërkombëtare përpiqen të dizajnojnë identitete sipas interesave të tyre gjeopolitike, duke u hequr popujve të drejtën e vetëpërcaktimit historik dhe kulturor.

𝐑𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐡𝐢𝐬𝐭𝐨𝐫𝐢𝐤 𝐝𝐡𝐞 𝐤𝐮𝐥𝐭𝐮𝐫𝐨𝐫 𝐧𝐮𝐤 𝐧𝐝𝐫𝐲𝐬𝐡𝐨𝐡𝐞𝐭 𝐧𝐠𝐚 𝐤𝐮𝐟𝐢𝐣𝐭𝐞̈ 𝐞 𝐢𝐦𝐩𝐨𝐧𝐮𝐚𝐫 𝐦𝐞 𝐳𝐨𝐫
Nuk mund të fshihet fakti se shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë kanë kaluar përvoja të ndryshme politike gjatë shekullit të 20-të. Por këto përvoja nuk kanë krijuar dy popuj, kanë prodhuar vetëm variacione të përkohshme në stilin e jetesës dhe administrimit. Në thelb, gjuha është e njëjtë, kodi kulturor është i njëjtë, ndjenja kombëtare është e njëjtë, dhe mbi të gjitha, aspirata për bashkim kulturor, shpirtëror dhe politik është një nga dëshirat më të mëdha të të dyja palëve.

𝐍𝐞 (𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫𝐞̈𝐭) 𝐞 𝐝𝐢𝐦𝐞̈ 𝐤𝐮𝐬𝐡 𝐣𝐞𝐦𝐢, 𝐧𝐮𝐤 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐞𝐯𝐨𝐣𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐢𝐧𝐭𝐞𝐫𝐩𝐫𝐞𝐭𝐢𝐦𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐣𝐚𝐬𝐡𝐭𝐦𝐞

Edward Said, në veprën e tij “Orientalizmi”, paralajmëronte se si Perëndimi shpesh e shikon Lindjen (dhe popujt më të vegjël) si objekte për interpretim, jo si subjekte që flasin për veten. Schmitt bie pikërisht në këtë kurthë: ai flet për shqiptarët si një eksperiment shoqëror, si një laborator identitetesh. Por shqiptarët nuk janë një projekt eksperimental për të ushqyer karrierat e akademikëve. Ata janë një popull me histori mijëvjeçare, me gjuhën më të vjetër në Ballkan dhe një nga kombet më të vjetër në Evropë. Ne e dimë kush jemi, dhe nuk kemi nevojë që dikush tjetër, në këtë rast Schmitt, të na përkufizojë.

Lexo po ashtu:  ÇFARË NDODHI PAS TIJ ME TROJET SHQIPTARE? Kongresi i Berlinit, punimet që shembën Shqipërinë

𝐊𝐨𝐡𝐚 𝐞 𝐩𝐫𝐨𝐩𝐚𝐠𝐚𝐧𝐝𝐞̈𝐬 𝐬𝐞̈ 𝐦𝐨𝐜̧𝐦𝐞 𝐩𝐞̈𝐫𝐜̧𝐚𝐫𝐞̈𝐬𝐞 𝐤𝐚 𝐩𝐞̈𝐫𝐟𝐮𝐧𝐝𝐮𝐚𝐫
Çdo tentativë për të ndarë shqiptarët në “shqiptarë” dhe “kosovarë” është një përpjekje për të mohuar unitetin kombëtar shqiptar, një unitet që i ka mbijetuar perandorive, luftrave, diktaturave dhe genocidit kulturor.

Sot, në shekullin XXI, është koha të refuzojmë me forcë çdo retorikë përçarëse, sado e maskuar të jetë ajo pas një titulli akademik apo një mikrofon podcasti. Është koha të ndërtojmë bashkësinë shqiptare në të gjitha anët e globit mbi bazën e gjuhës së përbashkët, historisë së përbashkët dhe një kulture që s’ka njohur ndarje, veç bashkim.

Nëse duam një Ballkan të qetë, të barabartë e pa përplasje, nuk e ndërtojmë atë duke ndarë popujt që janë tashmë të bashkuar në vetëdijen e tyre. Përkundrazi, ne duhet ta pranojmë realitetin: një komb, një gjuhë, një kulturë; shqiptarët, kudo që janë.