Kristoforidhi lindi në Elbasan, ishte përkthyes i Biblës, studiues i gjuhës shqipe dhe njëri ndër personat më me ndikim në periudhën e Rilindjes Kombëtare.

Vepra themelore e Kostandin Kristoforidhit, për të cilën punoi gjithë jetën, është Fjalori i gjuhës shqipe me 11.675 leksema, i përpiluar në toskërishte me alfabet të mbështetur në shkronja greke dhe i botuar më 1904 në Athinë.

Ky fjalor është fryt i një pune njëzetvjeçare. Në të janë përjashtuar shumica e huazimeve, veçanërisht e orientalizmave dhe greqizmave dhe bëhen përpjekje për të shpjeguar etimologjinë e fjalëve.

Kristoforidhi gjithashtu ka lënë tregimin e parë prozaik origjinal në gjuhën shqipe e njëkohësisht tregimin e parë për fëmijë, Gjahu i Malësorëvet (Hieja e Tomorrit) në të dy kryedialektet. Shkruar më 1884 dhe botuar për herë të parë më 1902 nga “Albania” e Konicës në Londër.

Paraqiti disa nga idetë e rilindësve për njësinë e Shqipërisë autonome, për lashtësinë e virtytet e shqiptarëve, si edhe gjendjen e arsimit e të dialekteve të shqipes në punimin Shënime mbi Shqipërinë, gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta (1860). U vendos mësues në Tunis deri më 1865, kur hyri në marrëdhënie me përfaqësuesin e Shoqërisë Biblike të Londrës në Stamboll. Botoi më 1866 përkthimin e parë gegërisht “Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve” dhe vijoi për shumë vjet përkthimet: Psallmet (1868 toskërisht, 1869 gegërisht), Dhiata e re (gegërisht 1869, toskërisht 1879), Të bërët dhe të dalët (toskërisht 1880), Bleni i dytë (toskërisht 1882) Fjalët e urta të Solomonit dhe Bibla e Isaisë (toskërisht 1884).

Lexo po ashtu:  Tani ju mund të aktivizoni Dark Mode në WhatsApp

Ka lënë dorëshkrim Krijesa dhe të dalët gegërisht, si edhe disa shkrime të tjera që nuk janë gjetur. Udhëtoi disa herë nëpër Shqipëri që nga viti 1870 për të mbledhur fjalë e shprehje nga goja e popullit, për të përhapur librat e vet dhe për t’u mësuar bashkatdhetarëve shqipen letrare. Shoqëria Biblike i ndërpreu marrëdhëniet me të më 1874 pa paralajmërim, sepse u vërtetua që ai nuk besonte në frymëzimin hyjnor të Biblës.

U detyrua të shiste dru e qymyr e të hapte një pijetore në Tiranë, por jepte fshehurazi mësime të shqipes. Në vitin 1884 u vendos në Elbasan, ku vijoi të jepte shqipen fshehurazi derisa vdiq.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *