Autor: Dr. John GroholPërktheu: Ardian Batusha

Në disa fusha të psikologjisë (sidomos në teorinë e pskodinamikës), psikologët flasin për ‘mekanizmat mbrojtës’, apo ndryshe, për mënyrat e sjelljes dhe të menduarit tonë, në shërbim të mbrojtjes së vetvetes. Mekanizmat mbrojtës, thënë ndryshe, janë mënyra se si njerëzit e distancojnë vetveten nga mendimet, ndjenjat apo sjellejet e pakëndshme.

Psikologët i kanë kategorizuar mekanizmat mbrojtës varësisht se sa janë primitiv. Sa më shumë primitiv që është një mekanizëm mbrojtës, aq më pak është efektiv në periudha afatgjata.

Përkundrazi, sa më shumë primitiv që është mekanizmi mbrojtës, aq më shumë efekte ka në periudha afatshkurta, dhe si pasojë, janë më të theksuar tek njerëzit, sidomos tek fëmijët (kur mekanizmat tashmë janë shfaqur tek fëmija). Edhe adoleshentët, nëse nuk do të gjejnë rrugë për ta përballuar stresin apo ngjarjet traumatike në jetët e tyre, shpesh herë do të gjejnë strehim tek mekanizmat mbrojtës.

Shumica e mekanizmave mbrojtës janë të pavetëdishme. Kjo do të thotë se, ne as që e kemi idenë se jemi duke i përdorur ato, në momente të caktuara. Disa lloje të psikoterapisë mund të ndihmojnë në vetëdisimin e individit se cilët mekanizma mbrojtës po i përdorë, sa janë efektiv, dhe si ti përdorin mekanizmat më pak primitiv dhe më efikas në të ardhmen.

Mekanizmat mbrojtës primitiv

1. Mohimi

“Mohimi”(refuzimi) është refuzimi për të pranuar realitetin apo një fakt objektiv, duke vepruar në atë mënyrë, a thua se dhimbja, mendimi apo ndjenja e caktuar nuk ekzistojnë fare. Konsiderohet si mekanizmi më primitiv sepse është karakteristikë për fëmijërinë e hershme.

Shumë njerëz e përdorin ‘mohimin’ në përditshmëri për të shmangur dhimbjet apo ato pjesë të jetës së tyre të cilat ata nuk dëshirojnë ti pranojnë. Ta zëmë, një person i alkoolizuar do ta mohoj se ka probleme me alkoolin, duke u munduar të tregojë se sa mirë funksionon në punë dhe marëdhënie me të tjerët.

2. Regresi

“Regresi”(sprapsja) është një lloj i rikthimit në fazat më të hershme të zhvillimit, për shkak të ndonjë mendimi apo impulsi të papranueshëm. Për shembull, një adoleshent që është i mbushur me frikë, zemërim dhe impulse seksuale në rritje, mund të bëhet i varur apo tu ekspozohet sjelljeve nga fëmijëria e hershme të cilat ai tashmë i ka tejkalur, sikurse është urinimi i pavetëdishëm në krevat. Një adoleshent sprapset apo është në regres, kur në një situatë të rënduar nga stresi, refuzon të ngrihet nga krevati dhe të vazhdojë normalisht me aktivitetet e ditës.

3. Acting out

“Acting Out”, është një formë ekstreme e sjelljes, e cila ndodh kur personi nuk është në gjendje ti shpreh ndjenjat e tij ndryshe. Në vend se të thotë, “jam i zemëruar me ty”, personi në fjalë të godet me ndonjë libër apo e hap ndonjë vrimë në mur. Ky veprim ka për qëllim clirimin nga presioni, dhe i ndihmon personit ta kthejë qetësinë dhe paqen.

Për shembull, tek fëmijët ajo që njihet si “temper tantrum” (të qarat, të bërtiturat, hudhja e gjërave, etj) është një formë e “acting out”, që aktivizohet kur fëmija nuk pajtohet me prindët. Lëndimi i vetes poashtu mund të jetë një formë e “acting out”. Kjo ndodh kur fëmija në pamundësi për ta pëballuar gjendjen apo lëndimin emocional, e kanalizon atë në lëndim fizik.

Lexo po ashtu:  5 recetat më të mira të malësorëve të veriut

4. Shkëputja apo largimi

Shkëputja ndodh kur një person e humb kontaktin me kohën apo personin tjetër, dhe gjen një mënyrë tjetër për ta reprezentuar (kuptuar) veten, me qëllim që të vazhdoj të jetoj normalisht. Një person që shkëputet, zakonisht humb sensin e kohës apo vetes, dhe poashtu edhe kontaktin me mendimet e zakonshme apo memorien. Zakonisht këtë lloj mekanizmi e hasim tek personat që kanë kaluar një fëmijëri të rënduar nga abuzimet.

Në raste ekstreme, “shkëputja” mund të manifestohet edhe me ndjenjën se personi i caktuar ka dy lloj personalitetesh (multiple personality disorder). Njerëzit që e përdorin “shkëputjen” si mekanizëm mbrojtës, shpesh nuk kanë pamje të qartë për veten e tyre në botë. Koha dhe imazhi i tyre për veten mund të mos rjedh sikur ndodh rëndom me njerëzit.

Në këtë mënyrë, njeriu që është në “shkëputje”, mund të largohet nga bota reale për një periudhë kohore, dhe të jetojë në një botë tjetër e cila nuk është e mbushur me mendime, ndjenja apo kujtime që janë të papërballueshme për të.

5. Ndarja

“Ndarja” është formë më e lehtë e “shkëputjes” apo (dissocation). Kjo ndodh kur disa pjesë të vetes janë shkëputura nga pjesët tjera të vetëdijëshme dhe personi sillet sikur të ketë vlera të ndara apo disa lloje vlerash. Shembull për këtë mund të jetë kur, një njeri i sinqertë, mashtron me taksat nga të ardhurat e tij, dhe kështu, në njëfar forme, ai e mban të ndarë dhe të pa integruar moralin e tij 2 vleror(sinqeriteti dhe mashtrimi), dhe në të njejtën kohë mbetet i pavetëdishëm mbi këtë ndarje.

6. Projektimi

“Projektimi” është keq atribuimi i ndjenjave, mendimeve apo impulseve të pa dëshiruara të një personi, ndaj një personi tjetër, ku ky i fundit nuk ka mendime, ndenja apo impulse të tilla. Projektimi ndodh kur personi e konsideron të papranueshme që mendime të caktuara ti shpreh, apo kur ndjehet keq nëse i ka ato. Për shembull, partneri mund të jetë i zemëruar me partnerin tjetër, për shkak se mendon se tjetri nuk po e dëgjon, kur në fakt është partneri i nevrikosur ai apo ajo që nuk dëgjon. Projektimi është mungesë e njohjes dhe reflektimit mbi anën e brendshme, rjedhimisht mungesë e njohjes mbi ndjenjat dhe motivet tona.

7. Reaction Formation

“Reaction formation” është konvertimi (transformimi) i mendimeve, ndjenjave dhe impulseve të padëshiruara, në të kundërtën e tyre. Ta zëmë, një grua e cila është shumë e pakënaqur me punëdhënësin e saj dhe mendon ta lë punën, sillet sikur të jetë shumë e lumtur dhe e kënaqur me punëdhënësin, dhe përkundrazi e shpreh dëshirën për të vazhduar punën. Ajo është e paaftë për ti shprehur emocionet negative, zemërimin dhe mungesën e lumturisë. Dhe në vend të kësaj, ajo publikisht fillon ta demostrojë mungesën e zemërimit dhe jo lumturisë.

Mekanizmat mbrojtës më pak primitiv, dhe më të pjekur

Mekanizmat mbrojtës më pak primitiv janë në një shkallë tjetër nga mekanizmat më primitiv. Shumë njerëz i përvetësojnë këto mekanizma në kohën e adoleshencës. Këto mekanizma për shumë njerëz mund të jenë të pranueshme, megjithatë ato nuk janë rruga ideale për tu ballafaquar me ndjenjat, stresin apo ankthin. Nëse ndodh që ndonjëra prej këtyre mekanizmave tu kujtohet, mos u shqetësoni sepse të gjithve na ndodh që ndonjëherë ti kemi këto mekanizma si pjesë e sjelljes tonë.

Lexo po ashtu:  Efektet e ujit të gazuar për fytyrën

8. Ndrydhja

“Ndrydhja” paraqet bllokimin e pavetëdishëm të mendimeve, ndjenjave apo impulseve të padëshiruara. Esenca e ndrydhjes qëndron në atë se ajo ndodh totalisht në mënyrë të pavetëdishme, dhe personi pothuajse nuk e ka në kontroll atë. “Kujtimet e ndrydhura”, janë kujtimet që në mënyrë të pavetëdishme janë bllokuar dhe nuk njihen. Por pasiqë memoria është elastike dhe në ndryshim të vazhdueshëm, nuk është sikur të kthesh prapa DVD e jetës tënde. DVD në këtë rast, është filtruar dhe pasuruar me përvojën, madje edhe me ato që ke lexuar apo shikuar.

9. Zhvendosja

Zhvendosja është ri-orientimi i ndjenjave, mendimeve, apo impulseve të padëshiruara ndaj një personi, tek një person tjetër apo objekt. Zakonisht njerëzit e përdorin “zhvendosjen” kur janë të zemëruar, ta zëmë me punëdhënësin e tyre. Në pamundësi për t’ia shprehur punëdhënësit zemërimin, për shkak se i frikësohen largimit nga puna, këta persona sapo kthehen në shtëpi, fillojnë të zemërohen me të afërmit, qenin, apo e zhvendosin mllefin e tyre drejt objekteve, duke i shqelmuar ato apo gjëra të ngjashme.

Personi po e zhvendos zemërimin që ka ndaj punëdhënësit, drejt partnerit apo qenit në këtë rast. Ky mekanizëm zakonisht nuk është efikas sepse duke e kanalizuar zemërimin tek personat tjerë pa arsye, mund të shkaktojë shqetësime dhe probleme tjera edhe më madhore.

10. Racionalizimi

“Racionalizimi” është të menduarit e tepruar (overthinking) kur personi ndodhet përballë një impulsi, situate apo sjellje të papranueshme. Në këtë mënyrë, duke mos qenë aspak emocional, personi nuk mund ta kuptoj situatën drejt dhe të përballet me realitetin njerëzor.

Në vend se të pëballet me dhimbjet emocionale, personi në fjalë zgjedh racionalizimin si mjet për tu distancuar nga impulsi, apo sjellja e caktuar. Për shembull, një person i cili sapo është diagnostifikuar me një sëmundje, në vend se të shfaq shqetësimin dhe mërzitjen, fokusoht në procedurat mjekësore të cilat janë krejtësisht të padobishme.

11. Arsyetimi

“Arsyetimi” është një lloj ndryshimi i të perceptuarit, apo kur japim spjegim të ndryshëm për një situatë, sjellje apo realitet të caktuar. Për shembull, një grua e cila është duke u takuar(dating) me një person që me të vërtetë e pëlqen shumë, papritur e braktisë atë pa asnjë arsye. Ajo në mendjen e vet, thotë: “E dija nga fillimi se ishte një dështak”.

12. Kundërveprimi apo c’bërja (Undoing)

“Kundërveprimi” është përpjekja për ta tërhequr pas një sjellje apo mendim të papranueshëm dhe që mund ti lëndoj të tjerët. Për shembull, pasi e kupton se e ke fyer partnerin në mënyrë të pavullnetshme, i kalon orët e ardhshme duke u munduar që ti japësh komplimente mbi bukurinë, sharmin apo intelektin e tyre. Duke e c’bërë veprimin fillestar, personi mundohet që balancojë dëmin që ka shakaktuar.

Mekanizmat mbrojtës më të pjekur

Këto mekanizma janë mekanizmat më konstruktiv dhe të dobishëm, por nevoitet përpjekje e madhe për ti bërë pjesë të rutinës ditore. Përderisa mekanizmat mbrojtës primitiv, i zgjidhin shumë pak problemet, “mekanizmat mbrojtës të pjekurisë” e ndihmojnë personin të jetë më konstruktiv. Njerëzit me mekanizma të tillë, kanë tendencë të jenë më shumë në paqe me veten dhe ata që i rethojnë.

13. Sublimimi

Sublimimi është thjesht kanalizimi i disa impulseve, mendimeve apo emocioneve të papranueshme, në mendime, emocione apo impulse më të pranueshme. Per shembull, kur një person ka impulse seksuale, ai nuk dëshiron të reagojë direkt dhe menjëherë, por në vend të kësaj bën disa ushtrime rigoroze. Duke e ri-fokusuar këtë energji nga një formë e papranueshme në një formë më produktive, e ndihmon personin që energjinë në fjalë ta kanalizojë dhe të mos e humb atë në forma që do ti shkaktonin atij më shumë ankth.

Lexo po ashtu:  Aloe vera, bima e mrekullive

Sublimimi mund të bëhet edhe me humor apo fantazi. Humori kur përdoret si mekanizëm mbrojtës e bën kanalizimin e mendimeve, impulseve apo ndjenjave të papranueshme në shaka. Humori e redukton intensitetin e një situate të caktuar, dhe e vendos një lloj mburoje mes personit dhe impulseve. Të njejtin rrol e luan edhe fantazia. Për shembull, kur dikush fillon ti mendoj qëllimet madhore në karierë, e ndihmon personin ta tejkaloj një moment dobësie që mund ta ketë në punën akademike. Të dyja, si humori dhe fantazia i ndihmojnë njeriut ti shikoj gjërat nga një perspektivë ndryshe apo të fokusohen në një dimension të pa eksploruar më parë.

14. Kompenzimi

“Kompenzimi” është një proces psikologjik i cili shërben për ta balancuar dobësinë, me një anë të fortë të personit. Duke u fokusuar në anët e forta, personi e thekson se nuk mund të jetë i mirë në të gjitha fushat e jetës. Për shembull, kur një person thotë se: Unë nuk mund të gatuaj, por mund të laj enët”, ai po mundohet që ta kompenzojë mungesën e aftësive në fushën e gatimit, permes aftësive në të pastruar. Kur ky mekanizëm përdoret në formë të kontrolluar dhe nuk tenton të mbi-kompenzoj, ai mund të shërbejë si një mënyrë efikase për ta shtuar vetbesimin dhe përmisuar imazhin e vetes.

15. Këmbëngulja

“Këmbëngulja” paraqet të shprehurit të mendimeve dhe nevojave në një mënyrë që është respektuese, direkte dhe e vendosur. Komunikimi rëndom ndodh prej pasives në agresive, me këmbënguljen që qëndron në mes tyre. Njerëzit që janë pasiv dhe komunikojnë në mënyrë pasive, janë dëgjues të mirë por rrallë herë flasin për nevojat dhe mendimet e tyre. Njerëzit që janë agresivë dhe komunikojnë në mënyrë agresive, kanë tendenca të jenë liderë të mirë por në të njejtën kohë duke mos qenë dëgjues empatik ndaj ideve dhe nevojave të tjerëve. Njerëzit që janë këmbëngulës arrijnë një balancë kur flasin për veten e tyre, i shprehin opinionet apo nevojat e tyre në mënyrë të respektuar por edhe të vendosur, dhe dëgjojnë kur ju flasin. Të qenurit këmbëngulës është njëra nga mënyrat më të dëshiruara për të komunikuar, dhe një mekanizëm mbrojtës shumë i nevojshëm, të cilën plot njerëz do të dëshironin ta mësonin.

—–

Përfundim

Mbani mend, mekanizmat mbrojtës në të shumtën e rasteve janë sjellje të mësuara, kryesisht përgjatë fëmijërisë. Kjo është një gjë e mirë sepse si i rritur ti mund të mësosh disa sjellje apo mekanizma mbrojtës që mund të jenë më pozitive dhe në shërbim të jetës tënde. Shumë psikoterapistë do tu ndihmojnë nëse keni nevojë në këto raste. Por edhe nëse ju vetë arrini të jeni më të vetëdishëm, në rastet kur jeni duke i përdorur mekanizmat më primitiv, mund të zgjedhni sjellje të reja apo ti reduktoni disa sjellje të caktuara që ju bëjnë të ndiheni keq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *