Nga Gëzim Mekuli

/Studiues i shkencave të mediave dhe retorikës/

Nuk është hera e parë në histori që gjuha e urrejtjes kthehet në armë politike. Por është gjithmonë tragjike kur ajo ndodh nën petkun e “gazetarisë”. Komenti i fundit i Berat Buzhalës, ku qytetarët e këtij vendi quhen “qena” dhe “morra” që duhen “shkelur në fyt”, nuk është më thjesht vulgaritet personal; është fashizëm verbal që kërkon të nxisë urrejtje në popull, përçarje shoqërore dhe dehumanizim të votuesve.

Kushdo që ka lexuar historinë, nuk mund të mos ndjejë një tronditje të thellë:

Adolf Hitleri i quante hebrenjtë “insekte”, “parazitë”, “morra”; për t’i përgatitur turmat drejt dehumanizimit të tyre, pra për t’i vrarë.

Joseph Goebbels-i, propagandisti famëkeq nazist, përdorte mediat për ta nxitur urrejtjen dhe urdhëruar shfarosjen.

Sot, një “gazetar” në Kosovë, në zemër të Evropës, në vitin 2025, e quan popullin “morra që duhen shkelur”.

Dhe AGK heshtë!

A do të heshtim, të dashur lexues?

Kjo nuk është më satirë, as mendim personal. Është rrezik publik. Është thirrje për dhunë. Është sulm ndaj dinjitetit njerëzor. Dhe si e tillë, kërkon përgjigje nga institucionet e rendit dhe drejtësisë.

Lexo po ashtu:  Emigranti xhepgrisur që i mësoi botës gazetarinë

Ku është Prokuroria e Shtetit? Ku është Policia e Kosovës? Kush është AGK-ja? Ku janë KPM-ja dhe organet e vetërregullimit të mediave?

A ka ndonjë kufi në këtë vend që nuk duhet kaluar?

Ky person duhet të izolohet nga sfera publike, jo të citohet si analist. Mediat që i japin hapësirë, bëhen bashkëfajtore në përhapjen e urrejtjes.

Kjo gjuhë është shpërfytyrimi i demokracisë. Kush e sheh si “koment”, nuk e kupton sa lehtë gjërat rrëshqasin kur fillon dehumanizimi i kundërshtarit. Nuk po flasim për një debat politik, po flasim për nxitje të hapur për “shtypje” të një numri të madh qytetarësh që kanë ushtruar të drejtën e tyre demokratike për të votuar.

Sot janë “morra”, e morrat duhet të vriten, apo jo? Nesër mund të jenë “armiq”, pasnesër, kush e di? Historia na e ka mësuar se çdo gjenocid ka filluar me një fjali të ngjashme.

Kosova shqiptare ka vuajtur nga përjashtimi, nga shtypja serbe, nga urrejtja. Nuk kemi luksin të heshtim përballë këtyre shenjave.

Lexo po ashtu:  VETËVENDOSJE! nis të prezantojë kandidatët/ Merxhani: “Lëvizja VETËVENDOSJE! një organizatë jo qeveritare politike. Pushteti ka një agresivitet ndaj forcave të reja

Kërkojmë distancim të menjëhershëm nga institucionet mediatike, nga shoqatat e gazetarëve, nga shoqëria civile, nga çdo institucion që ka përgjegjësi morale dhe ligjore.

Mos u bëni Goebbels-ët e rinj të Ballkanit. Mos lejoni që Buzhala të bëhet “zëri i shumicës”.

#mekulipress