Edita Mekuli

Babi vdiq. Pa e përjetuar drejtësinë. Pa e pa shtëpinë. Është plakur nana. Axha me familie poashtu. Pa shtëpi janë; të dërmuar, të poshtëruar dhe të zhgënjyer.

Unë nuk pajtohem, që edhe nana të vdes me të njëjtën padrejtësi e dhimbje në zemër si babi.

Në vitin 2007, dorëzuam një padi kundër kompanisë ndërtimore «Durante Group», me pronar Bujar Goranin. Ai që në vitin 2003 na kishte premtuar banesa, të ardhmen tonë, në tokën tonë, në zemër të Mitrovicës, në një ndërtesë që nuk e përfundoi kurrë. Në tokën kur dikur kishte qëndruar shtëpia jonë e fëmijërisë, e djegur nga kriminelët sërb gjatë luftës së vitit 1999.

Nuk ishim të vetmit, që humbëm shtëpinë në luftë. Disa rindërtuan shtëpitë e tyre. Disa u larguan për gjithmonë nga Mitrovica. Ndërsa ne besuam në një premtim dhe nënshkruam një kontratë me investitorin Bujar Goranin për të rindërtuar shtëpinë tonë.

Sipas kontratës, përfundimi i ndërtesës ishte parashikuar brenda 20 muajve. Kaluan 20 muaj. Asgjë. Kaluan katër vite. Asgjë.  Sot kaluan 22 vite nga nënshkrimi i kontratës. Ende asgjë…

Lexo po ashtu:  Pse fiksohemi më shumë pas atyre që nuk na duan? Ja si e shpjegon shkenca

Ajo që duhej të bëhej shtëpia jonë, u kthye në një jetë plot pritje, vuajtje dhe pasiguri.

Kur nuk patëm më rrugë tjetër, në vitin 2007 paditëm investitorin Bujar Goranin Gjykatën Themelore të Mitrovicës; kjo padi ndodhi katër vite pas mospërmbushjes së kontratës.

Ishte vetë Bujar Gorani, që insistoi që çështja të transferohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Çuditërisht ky institucion nuk e trajtoi këtë rast deri në vitin 2021. Pra, Gjykatës Themelore iu deshën plot 14 vite, që të «mirret» me çështjen tonë. Sot kanë kaluar plot 18 vite dhe ne ende jemi në fillim, pa asnjë zgjidhje konkrete.

Disa nga fëmijët tanë nuk ishin as të lindur kur kjo histori filloi. Sot, disa prej tyre janë të martuar dhe kanë fëmijë. Disa janë adoleshentë, ende duke jetuar bashkë me prindërit. Por të gjithë jetojnë, sikurse gjyshërit e stërgjyshërit e tyre, nën hijen e një procesi gjyqësor që s’po përfundon kurrë.

Katër breza janë dëshmitarë të kësaj padrejtësie juridike dhe ende qëndrojmë këtu, të lodhur, të varrosur në pritje.

Lexo po ashtu:  SHBA tërheq mbështetjen për luftën e Arabisë Saudite në Jemen

Në fillim të vitit 2021, me gjyqtarin Hysni Bardheci, pati pak përparim. Thirreshim rregullisht në seanca. Por, pas largimit të tij, gjithçka u shua. Tani kalojnë katër deri pesë muaj, madje edhe një vit mes një seance dhe tjetrës. Edhe pse të gjitha dokumentet, ekspertizat dhe provat janë dorëzuar, çështja jonë duket se është harruar diku në raftet e gjykatës. Pa prioritet. Pa urgjencë. Pa përgjegjësi!

Pse? Është thjeshtë neglizhencë? Është paaftësi? Apo ndoshta shumë më keq… një lojë e pistë mbi fatin e njerëzve të zakonshëm? Apo është krim i organizuar, që i ka rrënjët thellë në heshtjen dhe harresën e qëllimshme?

Ndërkohë, babi ndërroi jetë pa e përjetuar drejtësinë. Axha jetonte në një ndërtesë të papërfunduar, në kushte të tmerrshme. Nana sot është plakë. I shikoj të dy çdo ditë dhe pyes vetën: Sa vite të tjera duhet të kalojnë që kjo gjykatë të kujtohet se ekzistojmë? A do të duhet të vdes edhe nana, ashtu si babi, pa e pa kurrë drejtësinë?

Kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me familjen time. Kjo është historia e një sistemi gjyqësor që i ka braktisur qytetarët e vet. Një sistem që u jep kohën investitorëve si armën më të fuqishme, për të lodhur, për të heshtur, për të varrosur fatet e njerëzve të zakonshëm.

Lexo po ashtu:  WhatsApp nuk do të funksionojë më në miliona telefona këtë javë – A është modeli i smartphone-it tuaj në listë?

Por sa të tjerë si ne ka? Sa familie të tjera presin e shpresojnë kot? Sa të tjerë janë harruar në raftet e pluhurosura të gjykatave? Me qëllim? Apo pa qëllim?

Unë sot po e ngre zërin, jo vetëm për vetën time, por për çdo qytetar të ndershëm, që është lënë pas dore, është harruar, është nëpërkëmbur nga gjykatat tona, nga padrejtësia.

Sepse kemi nevojë për drejtësi. Sepse qytetarët meritojnë drejtësi, transparencë dhe barazi!

Prandaj edhe nëse ti, lexues, e sheh veten në këtë histori, ngrite zërin! Mos hesht! Kërko të drejtën tënde! Trego historinë tënde! Shpërdaje këtë apel! Bashkohuni që të mos mbetin më njerëzit viktima të heshtjes dhe padrejtësisë.

Një gjë është e sigurt: Beteja për drejtësi vazhdon! Dhe ne nuk do të heshtim.