Me siguri, ju keni dëgjuar të paktën një nga këto thënie të “pavdekshme” në një moment gjatë jetës tuaj: “Njohja e vetes, është fillimi i çdo urtësie”; “Asnjë mendje e madhe nuk ka ekzistuar ndonjëherë, pa një prekje çmendurie”; “Lumturia është kuptimi dhe qëllimi i jetës, i gjithë qëllimi dhe fundi i ekzistencës njerëzore”; “Përsosmëria nuk është një aksident. Ajo është gjithmonë rezultat i qëllimit të lartë, përpjekjeve të sinqerta, dhe ekzekutimit inteligjent; ajo përfaqëson zgjedhjen e mençur mes shumë alternativave – zgjedhja, jo rastësia, përcaktojnë fatin tuaj”; si edhe “të arsimuarit ndryshojnë nga të pa-arsimuarit, po aq sa të gjallët ndryshojnë nga të vdekurit”.

E përbashkëta e citateve të mësipërme është se të gjithë kanë dalë nga goja e një prej qenieve më me ndikim që ka njohur njerëzimi: Aristoteli. Së bashku me Sokratin dhe Platonin, Aristoteli është konsideruar gjerësisht një nga filozofët dhe mendimtarët më të mëdhenj që ka jetuar ndonjëherë, dhe ndikimi i tij në shkencë dhe mendimit filozofik vazhdon sot e kësaj dite, pothuajse 2,400 vjet pas vdekjes së tij. Ndoshta nuk i dini disa, ose të gjitha, kështu që lexoni më poshtë një listë me 25 gjëra në lidhje me Aristotelin, dijetarin e parë të historisë:

Aristoteli lindi në vitin 384 pes në Stagira, një qytet i vogël në Maqedoninë e lashtë, në periferinë veriore të Greqisë.

Aristoteli vinte nga një familje e respektuar dhe e pasur. Babai i tij ishte mjeku personal i Amintasit, mbretit të Maqedonisë.

Aristoteli ishte i martuar me Pitian, një prej shumë pak biologeve dhe embriologeve femra të kohës së saj. Ajo i lindi Aristotelit një vajzë, të cilës i vunë gjithashtu emrin Pitia.

Kur gruaja e tij, Pitia vdiq, Aristoteli u lidh me skllaven e saj Herfilinë; me të ai pati një djalë.

Lexo po ashtu:  Pse Tolstoi e përbuzte Shekspirin

Ai e quajti djalin e tij Nikomak, duke i vënë emrin e babait të tij, por për fat të keq Nikomaku vdiq në betejë, kur ishte ende i ri. Etika Nikomakiane, një përmbledhje e shënimeve dhe leksioneve të Aristotelit, është quajtur kështu për nder të tij.

Kur Aristoteli ishte i ri në moshë, Athina ishte qyteti më i pasur dhe qendra më e famshme kulturore e kohës. Ai shkoi në Athinë, kur ishte shtatëmbëdhjetë vjec, dhe ka jetuar atje për pjesën më të madhe të jetës së tij.

Atje u bë nxënës i Platonit në Akademinë e famshme dhe shumë shpejt u bë studenti i tij i preferuar. Vite më vonë, Aristoteli do të krijonte shkollën e tij, Liceun.

Ai do të kthehej më vonë në Maqedoni për dhjetë vjet, nga 345 deri në 335 pes, ku do të bëhej mësuesi i Aleksandrit të Madh.

Aristoteli mund të jetë i njohur për faktin se ka qenë mësues i Aleksandrit të Madh, ndoshta gjenerali më i madh që ka jetuar ndonjëherë, por pak kush e di që ai ishte edhe mësues i Kasandrit dhe Ptolemeut, dy prej të cilëve në fund do të kurorëzoheshin, respektivisht, mbretërit e Mbretërisë së Maqedonisë dhe Egjiptit.

Aleksandri dhe Aristoteli u bënë miq të mëdhenj në një moment të jetës së tyre. Aleksandri e vlerësonte kaq shumë Aristotelin si mik, sa që ai do të mblidhte mostra nga tokat e pushtuara prej tij, për t’ia dërguar ato Aristotelit si trofe.

Shumë historianë besojnë se Aristoteli e donte Aleksandrin si djalin e vet, dhe kjo mund të mos jetë shumë larg të vërtetës. Menjëherë pas vdekjes së Aleksandrit, Aristoteli do të mbyllte shkollën e tij në Athinë dhe do të vdiste brenda një viti pas gjeneralit të famshëm.

Aristoteli krijoi dy lloje veprash: i pari është i destinuar për publikun e gjerë dhe ai ishte shumë më e kuptueshme, ndërsa tjetri ishte menduar për nxënësit dhe mësuesit e filozofisë.

Lexo po ashtu:  Tim Judah, analist për çështjet e Ballkanit: Të gjithë e dinin që s'do të ndodhte kjo në Uashington, pse Hoti e aritikuloi këtë?

Ai shkroi shumë libra dhe mbante shënime për të ndihmuar në mësimin e studentëve të tij. Për fat të keq, shumica kanë humbur dhe vetëm një e treta e shkrimeve të tij kanë mbijetuar.

Ndryshe nga paraardhësit e tij të mëdhenj, Sokrati dhe Platoni, Aristoteli paraqiti një formë të re të filozofisë dhe studimit, ku ai kërkonte për fakte dhe prova.

Aristoteli krijoi një fushë të re të shkencës, të quajtur Shkakësia – një shkencë e hetimit shkakësor në një fushë të caktuar të realitetit.

Ai është konsideruar gjerësisht si dijetari i parë i njohur në histori. Përvec filozofisë, Aristoteli u përqendrua edhe në fushat e shkencës si biologjia, zoologjia, astronomia dhe botanika. Ai madje shkoi me një mikun e tij, Teofrastin në ishullin e Lezbosit, për të studiuar jetën e bimëve dhe kafshëve atje.

Për të patur një ide se sa i rëndësishëm ishte kontributi i tij në botanikë, mbani parasysh se ai ishte i pari që shpjegoi se një bimë lulëzon më mirë në një “vend të favorshëm”, ose si do ta thoshte një ekologjist sot, “në vendin e saj”.

Përveç shkencës, Aristoteli gjithashtu ka kontribuar në fushën e etikës, logjikës, metafizikës, muzikës, poezisë, politikës, dhe teatrit. Për shembull, në një pjesë të librit me titull “Poetika”, ai diskuton tragjedinë dhe poezinë epike.

Aristoteli ishte shumë përpara kohës së tij. Ai besonte fuqimisht se universi është i përjetshëm, se ai nuk kishte as fillim dhe as fund. Edhe pse ai pranonte se gjërat mund të ndryshojnë, në thelb Aristoteli besonte se kushtet e përgjithshme do të mbeten gjithmonë të njëjta.

Aristoteli është konsideruar gjithashtu një pionier në meteorologji. Ai pëlqente shumë studimin dhe vëzhgimin e funksioneve të tokës. Në veprat e tij mbi meteorologjinë, ai ishte një nga të paktët njerëz të lashtësisë, që flisnin për kometat dhe meteorët, si dhe lloje të ndryshme të motit, duke përshkruar ylberët, bubullimat, vetëtimat, dhe erërat. Ai diskutonte gjithashtu tërmetet, të cilat besonte se ishin rezultat i erërave nëntokësore.

Lexo po ashtu:  Huaja e parë që mori shteti shqiptar në 1914! Garancia e 6 shteteve të mëdha për borxhin 75 milionësh dhe kushti për shkrirjen e bankës kombëtare

Një tjetër filozof i madh i lashtësisë, politikani, avokati, oratori, teoricien politik, dhe konstitucionalisti romak, Ciceroni, i referohej stilit letrar të Aristotelit si “një lumë floriri”.

Ajo që shumë perëndimorë nuk e dinë, është se shumica e informacionit që ne kemi rreth Aristotelit u përcoll kryesisht nëpërmjet dijetarëve dhe filozofëve myslimanë, të cilët ruajtën me kujdes shkrimet e tij, kur qytetërimi i lashtë greke u shemb në vende si Persia, Egjipti dhe India. Admirimi i tyre për mësimet e tij ishte aq i madh, saqë ata përcollën shkrimet e tij tek të gjithë dijetarët bashkëkohorë, në Azi dhe Evropë.

Kjo është arsyeja pse filozofia Aristoteliane ka pasur një ndikim të fortë, si tek Krishtërimit, edhe tek Islami.

Aristoteli ishte i pari filozof grek që tregoi një interes të madh për kafshët. Studimi i tij i kujdesshëm, e shtyu t’i klasifikojë ato në grupe dhe lloje të ndryshme. Ai ishte në gjendje që t’i ndante ato në dy grupe themelore: kafshë me gjak të kuq dhe kafshë pa gjak të kuq. Gjetjet e tij korrespondojnë ngushtë me dallimet e njohura mes vertebrorëve dhe jovertebrorëve.

Aristoteli është konsideruar nga shumë historianë dhe studiues, si individi më inteligjent që ka jetuar ndonjëherë. Sipas Panteonit, një projekt nga Macro Connections Group në “MIT Media Lab”, teoritë e Aristotelit kanë ndikuar historinë njerëzore më shumë se çdo personalitet tjetër.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *