Shkenca nuk mund të jetë e anshme”. Kjo është ajo çka theksohet në një apel të përbashkët që 250 shkencëtarë dhe këshilltarë shkencorë u kanë drejtuar gazetarëve. “Njohuritë tona nuk mund të jenë një supermarket, në të cilin ne mund të zgjedhim vetëm atë që na përshtatet dhe të lëmë në raft çfarë është në kundërshtim me atë që mendojmë ne”, thuhet në shkrimin e publikuar fillimisht në francezen “L’Opinion” e më pas në “Le Soleil” në Kanada, në Zvicër nga Heidi.news dhe në Belgjikë nga “La Libre”.

Shkencëtarët shprehen të shqetësuar në lidhje me mënyrën si e trajton media informacionin shkencor dhe për vendin që i rezervohet në debatet për shoqërinë. Ata thonë se në kohën kur mungesa e besimit te mediat është rritur, është e domosdoshme që argumentet me karakter shkencor t’i komunikohen publikut pa dëshirën për sensacion dhe pa shtrembërime ideologjike.

Gazetarët në një demokraci kanë një përgjegjësi të madhe sepse cilësia e debatit publik dhe zgjedhjet që rrjedhin varen nga liria që kanë dhe cilësia e informacionit që japin. Metoda shkencore, nga ana e saj, lejon të prodhojë njohuri të besueshme që mund të shërbejnë si bazë për reflektim për politikat publike që merren me çështje komplekse siç janë ushqimi, shëndeti publik ose ekologjia”, thuhet në apelin e shkencëtarëve.

Lexo po ashtu:  Brexit: Çfarë do të ndryshojë nga dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Europa dhe çfarë jo

“Është e qartë se komuniteti shkencor dhe gazetarët duhet të punojnë krah për krah; i pari nuk duhet të izolojë veten nga mediat për shkak të frikës se puna e tij do të shtrembërohet, ndërsa të dytët nuk mund të maskojnë punën e komunitetit shkencor, as faktet. Është në këtë pikë të fundit që ne duam të paralajmërojmë mediat. Sot po dëshmojmë një shpërdorim gjithnjë e më të madh të punës së shkencëtarëve. Rezultatet e tyre shpesh paraqiten vetëm nëse ato përforcojnë mendimet ekzistuese”, thuhet më tej.

Shkencëtarët thonë se bien dakord mes tyre për disa çështje si:

Shëndeti

Raporti risqe-përfitim i vaksinave është është padyshim në favor të vaksinimit. Nuk ka dëshmi për efikasitetin e produkteve homeopatike.

Agrikulturë

– Në ekspozimet aktuale profesionale dhe ushqimore, autoritetet e ndryshme përgjegjëse për vlerësimin e rrezikut që lidhen me përdorimin e glifosatit e konsiderojnë të pamundur të paraqesin një rrezik kancerogjen ndaj njerëzve.

– Fakti që një organizëm është i modifikuar gjenetikisht (OMGJ) nuk përbën në vetvete një rrezik shëndetësor.

Lexo po ashtu:  Gjermania rihap kufijtë?! – Dhe e nis në mënyrë simbolike nga ura e Shengenit

Ndryshimi i klimës

– Ndryshimi i klimës është i vërtetë dhe me origjinë kryesisht nga dora e njeriut.

– Energjia bërthamore është një teknologji me karbon të ulët dhe mund të kontribuojë në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Këto pika nuk janë mendime të thjeshta. Këto janë konkluzionet e nxjerra nga literatura shkencore dhe mbështetur nga institucione të besueshme shkencore, si OBSH, Akademia Evropiane e Shkencave, Akademia Kombëtare e Mjekësisë, Akademia e Bujqësisë ose Paneli Ndërqeveritar për Ekspertë Klimatikë (IPCC ).

Natyrisht, shkenca nuk ka përgjigje për gjithçka. Ka çështje që nuk kanë çuar në një konsensus të qartë apo janë ende pa përgjigje. Prandaj është krejtësisht e ligjshme që mediat të paraqesin dhe të shpjegojnë debatin në vazhdim. Por nëse ka një konsensus, gazetari duhet të jetë në gjendje ta identifikojë atë, të përpiqet ta kuptojë dhe të raportojë mbi të. Nuk është e përshtatshme t’i japësh aq shumë peshë një fakti shkencor të vendosur siç duhet për mohimin e saj. Do të ishte e paimagjinueshme, për shembull, nëse pas pesëmbëdhjetë minutave të lajmeve në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, gjithashtu t’u do kishim dhënë pesëmbëdhjetë minuta edhe ndjekësve të Tokës së sheshtë (një teori e përhapur gjerësisht në internet, mbështetësit të të cilës mendojnë se Toka është e sheshtë).

Lexo po ashtu:  Arkitekti që garon për deputet përballë PS, PD dhe LSI në Gjirokastër

Përfundimisht, ne duam të theksojmë dallimin midis shkallëve kohore shkencore dhe medias. Interpretimi entuziast apo i ekzagjeruar i rezultateve paraprake dhe progresi i vogël, i kundërshtuar ose i paqartë, e errëson mesazhin drejtuar publikut. Nëse është e ligjshme që të përpiqemi të informojmë sa më shpejt që është e mundur, ky reaktivitet mund të jetë kundërproduktiv, sidomos pa çelësat për të kuptuar lajmet shkencore.

Është urgjente të shqyrtohet vendi që informacioni shkencor ka në media dhe në debatin publik, për të shmangur zgjerimin e hendekut midis shkencëtarëve dhe gazetarëve. Le të mendojmë se si t’i japim shkencës vendin që meriton. Për një debat të qetë dhe racional publik, për të mirën e jetës sonë politike, për bashkëqytetarët tanë.

Shkenca nuk ka atdhe“, thotë Louis Pasteur. E gjejmë me vend të shtojmë se nuk duhet të ketë as paragjykime ideologjike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *