Shaban Murati

Ditë e madhe historike, u quajt 15 marsi i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është i drejtë ky përcaktim, siç është e kuptueshme dhe jehona e gjerë, që pati në qarqet politike e diplomatike serioze.

Mund të quhet historike edhe për vetë historinë e kombit tonë. Për rëndësinë dhe kohën, që u ndërmuar ajo, mund e duhet të jetë vërtetë e tillë për tërë historinë dhe fatet tona në prag të mijëvjeçarit të ri. Evropa dhe tërë bota, diku më shumë e diku më pak, po jetojnë një periudhë transformimesh me të vërtet tronditëse këto dy vitet e fundit.

Evropa dhe bota po jetojnë e po kalojnë një periudhë tranzicioni, siç është e tillë çdo fazë kalimi nga një gjendje në tjetrën e që për fat është sot kalim në një fazë më të lartë e në një shoqëri njerëzore më njerëzore. Në një periudhë tranzicioni ndodhet edhe Shqipëria me proceset dhe përpjekjet për demokratizim, pra me përpjekjet për të qenë në një nivel me civilizimin evropian e për të shkuar me të në dekadat që po vijnë.

Periudha e tranzicionit, që të mos jetë më e gjatë se e vendeve të tjera, kërkon një rivlerësim të vlerave themelore, një përshtatje sa më adekuate me kohrat, që jetojmë dhe sidomos me kohën, që troket. Asgjë nuk mund të jetë më siç ka qenë më parë. Gjithçka e njohur ka ikur. As koncepti për sovranitetin e pavarësinë, e le pastaj për marrëdhëniet midis kombeve e shteteve, nuk mund të jenë ato të një shekulli apo gjysëm shekulli më parë.

Një rivlerësim i tillë kërkon të rishikojmë disa nga prioritetet tona strategjike në fushën e politikës së jashtme. Rishikimet i kërkon gjendja aktuale, kushtet kombëtare e ndërkombëtare, dhe sidomos e kërkojnë disa nga ato momente kyçe, të cilat quhen shanse historike për politikën e jashtme të një shteti, për marrëdhëniet ndërkombëtare të një kombi.

E tillë është rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai është një nga ato shanset , që në politikën e jashtme të vendeve të vogla nuk janë aq të shpeshta sa mund t’i humbësh. Ndaj treni duhet kapur me kohë.

Është e njohur që në përcaktimin e prioriteteve strategjike të politikës së jashtme të një shteti ndikojnë madhësitë e fuqisë dhe të pozicionit gjeografik, përveç shumë të tjerave. Me transformimet e ndodhura në Evropë dhe në tërësi në marrëdhëniet ndërkombëtare dy vitet e fundit, janë thyer shumë skena klasike e metafizike, e bashkë me to edhe ato të përcaktimit të prioriteteve. I vetmi, që mbetet bazë është interesi kombëtar, i cili padyshim dëmtohet apo ndihmohet nga përcaktimi i drejtë ose jo i prioriteteve të politikës së jashtme.

Lexo po ashtu:  Anomalitë që e karakterizuan arsimin në komunën e Gjakovës

Në jetën dhe historinë e popujve dhe vendeve të vegjël rëndësia dhe pasojat e një zgjedhjeje të tillë janë më të mëdha se sa roli, që këto vende kanë në strukturën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Prognozofikimi i drejtë shkencor i politikës së jashtme të shtetit shqiptar nuk mund të bëhet pa përcaktuar, po në të njejtën mënyrë, dhe prioritetet tona strategjike në këtë fushë.

Diskutimi dhe vendosja e prioriteteve strategjike të politikës sonë të jashtme më tepër se kurrë duhet të jetë objekt i diskutimit publik, mbipartiak e mbiideologjik, përderisa ka të bëjë me fatet e kombit e të popullit shqiptar. Duke rishikuar këto prioritete e duke kapur shansin historik, që ofron rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, nuk mund të mos shkosh, pas një analize të kujdesshme e gjakftohtë të të tërë faktorëve dhe alternativave, tek ngritja e këtyre marrëdhënieve në një prioritet strategjik të politikës së jashtme të shtetit tonë, shkruan Shaban Murati per gazeten DITA.

Këtu të çon përvoja e hidhur historike, këtu të çon përllogaritja e gjithë hapësirës së problemeve të mëdha të sotme dhe e të panjohurave të ardhme në të cilat noton vendi ynë.

Proceset pozitive të thella, që ndodhën dy vitet e fundit e që janë ende në zhvillim në Evropë, shpesh janë parë në korelacion me perestrojkën. Duke vëzhguar tej sipërfaqes, këto procese demokratizuese dhe vetë perestrojka nuk mund të mendoheshin e as të mendohen pa rolin protagonist pozitiv të Shteteve të Bashkuara. Pesha, roli e ndikimi i Amerikës në transformimet evropiane, çuan gjithashtu në një zgjerim të përgjegjësisë së saj në çështjet botërore.

Evropa dhe bota janë tani në ndërtim e sipër të një sistemi të ri të sigurimit ndërkombëtar, pas ezaurimit të atij, që u vendos pas Luftës së Dytë Botërore. Atëherë as na pyetën e as kishim mundësinë të ndikonim se ku do të dislokohej vendi ynë në këtë sistem. Sot është krejt tjetër dhe zgjedhjet e gabuara nuk do ishin më vetëm gabime. Rezultati kryesor i ndërtimit të sistemit të ri të sigurimit evropian e ndërkombëtar është prishja e skemës bipolare të drejtimit të strukturës së marrëdhënieve ndërkombëtare.

Njeri pol, perandoria sovjetike, u dezintegrua dhe, megjithë peshën ushtarake, që vazhdon të ruajë, nuk ka më ndikimin, që pretendonte dhjetë, ose pesë vjet më parë. Polet e tjera të fuqisë botërore janë në krijim e sipër, por kjo nuk është një gjë, që bëhet brenda ditës. Në këto kushte poli tjetër, dhe sot për sot i vetëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dolën më të fortë dhe më me sukses në betejën për kapërximin e ekuilibrave të vjetra dhe kërkimin e atyre të reja. Perandoritë që shkatërrohen janë si shtëpitë e vjetra, që të lëshojnë çatinë mbi krye, nëse nuk largohesh.

Lexo po ashtu:  Kryeministri shqiptar çon vendin drejt konfliktit civil!

Ne duam të hyjmë në Evropë, por pjesa më e rëndësishme dhe jashtëzakonisht vendimtare në kuptimin politik, ekonomik e ushtarak e kësaj Evrope janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ato janë bashkë me Kanadanë, anëtare të Konferencës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, pikërisht për shkak të lidhjeve dhe peshës, që kanë në punët evropiane.

E parë në këtë prizëm, është e kuptueshme që marrëdhëniet tona me Amerikën mund të kenë dhe do të kenë një ndikim shumë të madh edhe në marrëdhëniet e vendit tonë me vendet e tjera evropiane, në Perëndim dhe në Lindje të saj.

Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka një histori lidhjesh edhe çështja jonë kombëtare. Është vendi këtu të kujtojmë përkrahjen, që Amerika i ka dhënë shtetit të ri shqiptar pas Pavarësisë më 1912 dhe angazhimin personal të presidentit amerikan Uillson në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 në mbrojtje të tërësisë tokësore të shtetit tonë kundër lakmive shoviniste fqinje. Ne shkojmë në shekullin e ri me çështjen shqiptare të pazgjidhur. Çështje të ngjashme ka njohur historia e re e marrëdhënieve ndërkombëtare me problemin gjerman.

Kemi thënë që historia e bëri të vetën dhe Gjermania u bashkua. Kemi thënë edhe faktin se ishte Gorbaçovi, që dha pëlqimin. Veç nuk duhet harruar se pa vullnetin e Amerikës nuk do të ishte bërë as njëra e as tjetra. Zgjidhja e problemit gjerman në rrugë paqësore është një shembull historik dhe përvojë që zanafillën e ka në Amerikë.

Është një përvojë që, në mënyrë paqësore, mund të çojë, në kohë të përshtatshme, në shlyerjen e padrejtësive historike, që i janë bërë popullit shqiptar. Përkrahja që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë shprehur të drejtave kombëtare demokratike e njerëzore të popullit shqiptar të Kosovës, me deklaratat e personaliteteve të tyre të lartë politike, me rezolutat e shumta të Kongresit amerikan kundër represionit e politikës brutale të Serbisë në Kosovë, përkrahja politike dhe propagandistike për çështjen e Kosovës, është një element tepër i rëndësishëm, që duhet mbajtur parasysh.

Lexo po ashtu:  Pas grushteve në Kuvend/ Deputetët e Kosovës votojnë pro rritjes së pagës minimale

Duke diskutuar për problemet e prioritetit strategjik të marrëdhënieve tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e qartë se i kam parasysh edhe tezat e <> dhe të retoristëve <>. Bota e shekullit 21 nuk i jep më vlerën e shekullit të 19-të afërsisë gjeografike. Aq më tepër që përvoja historike shumëshekullore e popullit dhe e atdheut tonë, gjysmat e trojeve të të cilit na i kanë grabitur fqinjët e veriut dhe të jugut, nuk të jep shumë bazë për këtë lloj retorike.

Padyshim, ne jemi e duhet të jemi për fqinjësinë e mirë, por kjo nuk duhet kuptuar sikur ne e kemi harruar historinë dhe duhet të paguajmë haraçe kombëtare. Si shtet i pavarur dhe sovran, që don ta ndërtojë në paqe jetën e vet, ne duam qetësinë në kufijtë tanë, por kjo duhet të jetë qetësi në të dy anët e kufijve.

Sa për raportin midis sigurisë dhe afërsisë gjeografike, kjo tashmë ka kuptime të tjera, dhe shembulli i Kuvajtit, që u sulmua e u pushtua nga <> Iraku, dhe u çlirua nga një koalicion aleat ,që vinte nga shumë larg, është domethënës për të bërë llogari më të ftohta.

Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me popullin amerikan ne kemi një histori të gjatë lidhjesh. Populli shqiptar nuk mund të harrojë dhe i është shumë mirënjohës populli amerikan, i cili gjatë një shekulli ka pritur me bujari dhe ka mbajtur në gjirin e vet valët e mëdha të kurbetit nga Shqipëria para Luftës së Dytë Botërore dhe valën e emigracionit nga Kosova pas asaj lufte. Komuniteti shqiptar në Amerikë, integrimi dhe veprimtaria e tij e shquar atje, janë provë e afinitetit, që ekziston dhe që duhet të forcohet midis popujve tanë.

Është e rëndësishme që rivendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Amerikës u bë në një moment të rëndësishëm kthese në jetën e popullit tonë, në prag të zgjedhjeve të 31 marsit dhe kur interesi kombëtar po zë gjithnjë e më shumë vendin e tij të merituar si yll polar i politikës së jashtme të shtetit tonë. Duke pasur këtë yll do të gjejmë prioritete të drejta strategjike në politikën e jashtme dhe do të jemi më të sigurt për ekzistencën tonë si komb, për vendin dhe bashkëjetesën tonë me kombet e qytetëruara të Evropës edhe botës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *