Kadrush Radogoshi

Sot e 31 vjet më parë , më 28 mars 1989 u arrestuam pa vendim gjykate mbi 237 shqiptarë (kryesisht intelektualë), të cilëve pushteti serb në Kosovë na konsideronte “të rrezikshëm për rendin dhe sigurinë publike” dhe u dërguam në izolim e u torturuam barbarisht nëpër burgjet serbe në Leskovc, Prokuple, Vranjë, Beograd etj. Në mesin e tyre isha edhe unë. Poezinë që po e publikoj më poshtë i dedikohet kësaj ngjarjeje.

IZOLIM

Në burgun e Prokuples
Jam i izoluar…

I izoluar jam
nga bari i rritur nëpër bazamente përmendoresh
nga yjtë rojtarë të shikimeve ëndërrimtare
nga ballkonet e vendlindjes të kthyera nga JUGU
nga dritaret e shtëpisë së fëmijërisë
nga logjika e luleve, nga vallëzimet e fluturave
jam i izoluar…

I izoluar jam
nga fjalët e nënës, nga ofshamat e saj
nga rrëfimet e babait për ndërrimin e shtatë qeverive
gjatë jetës së tij…

Në mes meje e botës
mure bizantine
hapësira ime jetësore me dimensione miniaturale 3 x 2 m
zë shumë dhembje, shumë halucinacione
dhe tridhjetë e gjashtë figura të deformuara murale…

Mes meje dhe fëmijëve të mi
rrjeta e hekurt
në mes të përqafimeve
hekurat dhe vaji i fëmijëve…

Lexo po ashtu:  E vërtetuar shkencërisht: GRATË janë më të zgjuara se meshkujt, ndaj duhet të flenë më gjatë

Jam i izoluar
i izoluar jam…

Evropë, të duhet apo s’të duhet
përralla për izolimin
dhe mesjetën e ringjallur?!…

(1989)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *