Projektligji i ri i Ministrisë së Shëndetësisë ndalon jo vetëm shitjen e duhanit në dyqane dhe supermarkete, por edhe cigaret elektronike. Ndryshimi i ligjit për “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” nuk lejon gjithashtu përdorimin e cigareve elektronike në mjediset publike, pasi e konsideron njëlloj të dëmshme si duhani.
Po në një kohë kur Shqipëria ngre barriera për përdoruesit e cigares elektronike, në shumë vende të botës kjo alternative promovohet fuqishëm me argumentin se, ndihmon përdoruesit të heqin dorë nga duhani. Së fundmi, deputetët britanikë kanë kërkuar që në Mbretërinë e Bashkuar të ulen taksat për cigaren elektronike si dhe të lejohen reklamat që promovojnë përdorimin e saj.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress
Ata e bazuan argumentin e tyre në një kërkim shkencor të bërë nga Agjencia e Shëndetit Publik në Angli, sipas të cilit, cigaret elektronike janë “rreth 95 për qind më të sigurta” se cigaret tradicionale. I njëjti institucion propozon se pajisjet e cigareve elektronike duhet të vihen në dispozicion përmes recetës nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar.
Rreth 2.9 milionë persona në Angli janë përdorues të cigares elektronike, ndërsa 7.4 milionë duhanpirës sipas Shëndetit Publik, e vlerësojnë atë si një alternativë të suksesshme për të lënë duhanin.
Sipas një anketë të INSTAT të zhvilluar më 2018, në Shqipëri, ndonëse numri i duhanpirësve është ulur me 7% , pirja e duhanit është e zakonshme në moshën 30-34 vjeç, meshkujt (44%) dhe femrat (7%). Rreth 23% e duhanpirëseve meshkuj të moshës 15-49 vjeç raportojnë se pinë më shumë se 25 cigare në ditë.
/MekuliPress.com/
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress