Trupat e Esatit po sfiliteshin nga uria. Nga mesi i prillit, në Tarabosh, Bërdicë dhe Bardhajn e Vogël kishin nisur rebelimet e shqiptarëve. Në Bërdicë Esati nuk arriti të vendosë menjëherë qetësinë, prandaj dha urdhër të pushkatoheshin 50 nga të pabindurit. Ai mendonte se kalaja mund të mbahej. As vetë malazezët nuk besonin se Shkodra mund të merrej me forcë. Gazetari Guelfo Civinini, i cili më 20 prill arriti në kampin malazez të Muriqanit, e përshkruante kështu atmosferën në shtab: “Ishte përhapur bindja se pushtimi i Shkodrës nga Mali i Zi qe bërë thuajse i pamundur. Prandaj, mbreti Nikollë kishte vendosur që me një përpjekje të fundit ta merrte me çdo kusht Taraboshin dhe t’i detyronte Fuqitë që t’i jepnin Malit të Zi krejt bregun e djathtë të Bunës, duke përfshirë Taraboshin. Si përgatitje për sulmin, artileria malazeze, me këshillën e majorit italian Cattagani, shkatërroi urën mbi Bunë, duke i izoluar pozicionet turke të asaj ane.”

Një mbrëmje, Seadin beu, oficer i lartë turk dhe mik i Esatit, i shkoi në shtëpi pashait për të biseduar. Esati, i mërzitur në kulm, ecte me çape të mëdha nëpër sallon. I tha Seadinit:

– Unë po bëj çfarë mundem për çështjen shqiptare, por janë ushtarët shqiptarë që më dalin kundër. Janë ata që më presin krahët. Kështu si po shkojnë punët nuk besoj se do t’ia dalim dot.

Esati vazhdonte të ecte, duke u menduar dhe duke shprishur me gishta flokët e kuqërremtë. Një çast u qetësua dhe u përpoq të ndreqë atë që sapo kishte nxjerrë goje: – Nuk duhet harruar, – tha, – se këta fshatarë të ngratë, trima e bujarë kanë dhënë gjithçka që mund të jepnin. Kanë shtatë muaj që flenë nëpër llogore, janë vrarë e sakatuar në luftë, kanë hequr shumë nga uria, nga të ftohtët e nga shiu dhe nuk kanë bëzajtur. Kaq shumë vuajtje njerëzore asnjë ushtri tjetër nuk do ta kishte përballuar dot. Fajtorët janë tjetërkund dhe unë e di se cilët janë. Kur këtu bëhet gjithë kjo sakrificë, janë ca të tjerë që nuk e kanë mendjen të na ndihmojnë, por duan si e si të përvetësojnë frytin e sakrificës sonë.

-Seadin, – vazhdoi Esati. – Nuk mund t’i quajmë vëllezër ata që e presin lirinë t’u vijë si lëmoshë, ata që kurdisin plane për të patur një princ francez, austriak, anglez apo italian të zgjedhur shpejt e shpejt, sikur të kërkonin një padron. Fatet e Shqipërisë janë më të larta. Unë e shkatërroj Shqipërinë nëse ajo e ul veten aq poshtë. Hiç nuk do të ngurroja.

Pashai bëri një pushim të shkurtër dhe tha:

– Seadin, e kam marrë vendimin. Nuk kthehem më prapa. Rebelimet nuk po ndaleshin. Duke u gdhirë e shtuna, 19 prill, qindra vullnetarë braktisën llogoret dhe hynë në qytet. Shqiptarëve të rebeluar u ishin bashkuar tani edhe trupat e rregullta turke. Një batalion i Taraboshit kishte hedhur armët në llogore, pasi ishte marrë vesh se mishi që u ishte shpërndarë kishte qenë kërmë.

Atë ditë, Esati thirri në kala shefin e shtabit Abdurrahman Nafiz dhe të dy shëtitën pranë vendit ku sot është kapiteneria. Esati i tha:

– Bukë nuk kemi më dhe uria sa vjen e po rëndohet. Shkodra do të bjerë, por nëse ajo bie, kjo do të ishte fatkeqësia më e madhe për mua dhe për ty personalisht. Armiqtë e mi politikë do të përfitojnë, populli do të ngrihet kundër meje dhe vuajtja ime nuk do të ketë fund. Ç’mendon?

Nafizi u përgjigj:

– Nuk e përfytyroj dot se si mund ta dorëzojmë Shkodrën. Por e vërteta është se ushqim nuk kemi dhe populli po vuan. Nëse ky është fundi, atëherë le ta mbyllim me nder. Të çajmë rrethimin dhe kush të shpëtojë të shpëtojë, kush të vdesë të vdesë.

Esati nuk foli, por një ditë më vonë thirri komandantët. Mbledhja u bë në kala, në sallën e armëve, dhe u shqyrtua ajo pjesë e rregullores ushtarake, ku flitej se në ç’kushte mund të jepeshin fortesat. Pas një diskutimi të gjatë, u vendos dorëzimi për shkak të urisë. Shtatmadhoria paraqiti një justifikim me shkrim ku renditeshin arsyet: mungesa e ushqimit, rebelimet mes rezervistëve shqiptarë, pamundësia për të çarë frontin armik dhe rreziku i asgjësimit të ushtrisë, në qoftë se përpjekja dështonte. Komandantët nënshkruan me radhë. Esati vendosi të dërgojë oficerët e shtabit, Nafizin dhe Qeramudinin në Mal të Zi me një letër për Princin Danillo. Në fillim Nafizi nuk pranoi, sepse nuk donte që në letër të përmendej fjala dorëzim. Pas diskutimeve me Esatin ai u bind dhe ndërkaq fjala poshtëruese u hoq nga teksti.

Lexo po ashtu:  25 vjet nga beteja e përgjakshme në Likoshan dhe Qirez

Ishte 20 prill, e diel pasdite, kur dy oficerët u nisën me anijen e blinduar Mesudije që ndodhej e ankoruar përpara doganës. Anija mbante flamurin e Turqisë dhe një tjetër të bardhë. Kur oficerët arritën në Zogaj, një kapiten malazez shtatmadh u lidhi sytë të ardhurve dhe i përcolli për në shtabin e gjeneralit Janko Vukotiç. Me t’u njoftuar me telegraf, princi Danillo u nis nga Cetina dhe rreth orës 10 të mbrëmjes erdhi në Zogaj me një anije të vogël. Pastaj kërkoi që dy oficerët turq ta takonin në bord.

Letra që këta kishin sjellë ishte në turqisht dhe pak a shumë në të thuhej: “Nisur nga gjendja e tanishme, gjykoj se vazhdimi i mbrojtjes së kalasë është një gjakderdhje e kotë nga të dyja anët. Meqenëse edhe ju mendoni njëlloj, ju lutem të dërgoni në Shkodër njerëzit tuaj për të negociuar së bashku kushtet e nevojshme. Pranoni nderimet e mia. Valiu dhe komandanti i korpusit të Shkodrës, Esat.”
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Princi tha se me shprehjen “kushtet e nevojshme” ai kuptonte dorëzimin, por dy oficerët u përgjigjën se nuk kishin ardhur të bisedonin për këtë dhe se nuk mund të bënin interpretimin e asaj që ishte shkruar në letër. Siç shihet nga këto veprime të oficerëve, ndonëse thelbi i vizitës ishte dorëzimi i Shkodrës, në librin e tyre ata përpiqen të tregojnë se në këtë pikë nuk mbajnë asnjë përgjegjësi. Danilloja ngarkoi gjeneralin Vukotiç për të biseduar me Esatin dhe oficerët turq u kthyen në Shkodër po atë mbrëmje. Mali i Zi bllokoi menjëherë shërbimin postar. Mbreti Nikollë dha urdhër që asnjë letër apo telegram të mos dilte nga Mali i Zi pa përfunduar bisedimet. Askush jashtë mbretërisë së vogël nuk duhej të dinte se Esati kishte ndërmend të dorëzohej. Të hënën, më 21 prill, në orën 9 të mëngjesit, Vukotiçi arriti në doganën e Shkodrës në shoqërinë e Pllamenacit dhe një adjutanti të princit.

Të ardhurit u pritën nga Esat Pasha, Nafizi dhe Qeramudini dhe u ftuan në një dhomë të rregulluar për miq në katin e dytë të ndërtesës. Pa u ulur mirë, Vukotiçi, ky malazez trupmadh e përherë i vrenjtur, iu drejtua Esatit:

– Shkëlqesë, ja ku kemi ardhur me kërkesën tuaj. Jemi ushtarë dhe ndodhemi ende në luftë. Le të hyjmë drejt e në temë, nuk kemi përse zgjatemi.

Esat Pasha zbërtheu dy kopsa të xhaketës, pastaj nxori ngadalë nga xhepi një copë letër të palosur dhe e vuri mbi tryezë.

– Shkëlqesë, – tha ai, – mbrojtja e mëtejshme e kalasë nuk është e mundur. Prandaj, pardje në mëngjes thirra gjithë komandantët për të biseduar dhe vendosëm ta dorëzojmë. Shikoni! – tha Esati dhe tregoi tekstin e letrës me nënshkrimet.

– Ky është vendimi ynë. Dhe këto janë firmat e të gjithë komandantëve që kanë të drejtën e votës për çdo vendim. Mbi bazën e kësaj zgjidhjeje, i dërgova edhe princit Danillo letrën për mbretin. Por, në kohën që njerëzit e mi ndodheshin tek ju, gjërat morën një kthesë të papritur, sepse në pozicionet tona në Bërdicë erdhën disa përfaqësues serbë me flamur të bardhë. Njerëzit e mi i pritën, por serbët filluan të bërtasin me sa kishin në kokë: Lufta mbaroi! Tani jemi në paqe! Jemi miq! Atje na dhanë edhe këtë, – tha Esati dhe i dorëzoi Vukotiçit një letër, të cilën ky ia kaloi Pllamenacit.

– Serbët, – vazhdoi Esati, – na kërkuan leje për të hyrë në qytet. Pasi u informova me telefon për gjithçka, i lejova të hyjnë. Ata shëtitën gjatë në Shkodër. Blenë bizhuteri dhe biseduan me njerëzit në rrugë, të cilëve u thane hapur se lufta kishte mbaruar, se ushtria e tyre do të largohej nga Shkodra, se flota europiane ndodhej në ujërat malazeze dhe se e kishte bllokuar Malin e Zi.

Fjalët e tyre u përhapën si rrufe kudo në Shkodër dhe në të gjitha pozicionet. Njerëzit tani ishin të gëzuar se nuk do t’u dorëzoheshin malazezëve, duke shpresuar se ushtritë europiane do të vinin t’i shpëtonin. Komandantët nga të gjitha pozicionet në Shkodër më uruan me telegram që e mbajta kalanë. Ja, shikoni, -tha Esati dhe i tregoi gjeneralit malazez një vandak me telegrame. -Pas kësaj i trajtova përfaqësuesit serbë si miq dhe i lashë të shkonin për të pare robërit e tyre e për të biseduar me ta. Për të gjitha këto, Shkëlqesë, konsideroj se lufta ka mbaruar dhe me këtë ka marrë fund edhe çështja e Shkodrës. Vukotiçi u kthye nga Pllamenaci dhe e pyeti:

– Petre, ç’është ajo letër?

– Çudi, – u përgjigj Pllamenaci. – Komandanti i një farë garnizoni serb, paska sjellë një telegram nga Veziri i Madh i Turqisë drejtuar komandantit të Shkodrës. E pabesueshme!

Lexo po ashtu:  ‘Ishim të sigurtë se të gjithë do të vdisnim’, rrëfimi për masakrën serbe të Reçakut në gazetën franceze

Telegrami ishte në frëngjisht dhe aty thuhej: “Komandantit të Shkodrës. Nën trysninë e forcave europiane, ushtria serbe do të largohet nga Shqipëria. Mos i ndiqni. Veziri i Madh.”

Vukotiçi iu drejtua Esatit:
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

– Shkëlqesë, nuk është e vërtetë që është vendosur paqja. Para se ne ta marrim Shkodrën nuk do të ketë paqe. Sepse ne malazezët, nga mbreti e deri te ushtari i fundit, do të vdesim në kala nëse nuk e marrim qytetin. Sidoqoftë, na lejoni të ikim nga erdhëm. Dhe kur të kthehem te garnizoni im, ju dhe shkodranët do të shihni nëse është vendosur apo jo paqja.

Kur Vukotiçi po matej t’i jepte dorën Esatit, ky i kërkoi të rrinte edhe ca dhe të vazhdonin bisedën. Gjenerali malazez i tha:

– Nuk ka ç’të flasim më, veç nëse ju e dorëzoni Shkodrën menjëherë.

Përndryshe unë iki.

Gjithnjë sipas rrëfimit të Vukotiçit, Esati u përgjigj:

– Unë personalisht nuk mundem dhe nuk kam të drejtë të nënshkruaj marrëveshje për tërheqjen nga kalaja, prandaj duhet që përsëri të thërras këshillin ushtarak dhe këtë do ta bëj sot. Nëse janë dakord, ata do të vënë firmat dhe çdo gjë do të jetë në rregull. Nëse jo, ju jap fjalën e nderit se ushtarët, që u binden urdhrave të mia dhe që janë gati gjysma, do të dorëzohen te ju.

Unë vetë do të vij të jetoj në Mal të Zi dhe ju mund të më bëni ç’të doni. Ishte e qartë se Esati po përpiqej t’i hiqte zvarrë bisedimet, pasi tani ai kishte mësuar diçka të re: se ushtria serbe ishte tërhequr, se flota ndërkombëtare kishte bllokuar bregdetin e Malit të Zi dhe se Fuqitë kishin marrë një vendim për Shkodrën. U ra dakord që, të nesërmen, më 22 prill, njerëzit e Esatit të shkonin përsëri në kampin malazez.

Me t’u kthyer Vukotiçi në shtabin e tij, mbi Shkodrën dhe mbi pozicionet rreth saj u hap zjarr me të gjitha armët. Predhat binin si breshër. Bombardohej sidomos Bërdica, e cila kishte qenë objekt i topave të ushtrisë serbe. I gjithë ky zjarr, që dukej sikur do t’i çante më dysh tokën dhe ujërat e Shkodrës, kishte një qëllim të vetëm: t’u tregonte mbrojtësve se nuk bëhej fjalë për paqe dhe se ushtria malazeze nuk ishte dobësuar si pasojë e tërheqjes së serbëve.186 Ferri i natës zgjati deri në orën 9 të mëngjesit, kur në horizont u dukën të dërguarit e Esatit, Nafiz dhe Qeramudin, të cilët u pritën nga Princi Danillo në anijen e tij. Të ardhurit i dorëzuan princit një tjetër letër nga Esati, i cili shkruante se do të largohej nga kalaja, por me dinjitet, pra kërkonte që ushtarët të lejoheshin të iknin bashkë me armët, duke përfshirë çdo gjë: topat, anijet dhe armatimet e tjera.

Kjo nuk i pëlqeu Danillos. Në letrën e parë topat nuk përmendeshin, ndërsa tani Esati kërkonte t’i merrte me vete dhe këtë princi nuk mund ta lejonte, sepse kishte dobësi për topat e shpejtë të turqve. Vukotiçi u përpoq t’i mbushte mendjen. I tha se kur Esat Pasha shkroi letrën e parë, ai nuk e dinte se ushtria serbe po ikte dhe se forcat europiane po e shtrëngonin Malin e Zi të hiqte rrethimin e Shkodrës. Tani gjërat kishin ndryshuar. Prandaj le t’i merrte topat Esati.

U vendos që Vukotiçi të shkonte prapë për të biseduar me pashain. Gjenerali malazez dhe shoqëruesit arritën në doganën e Shkodrës në orën 11 paradite. Bisedimet u hapën me çështjen e topave. Pllamenaci nguli këmbë që e gjithë artileria turke t’i mbetej Malit të Zi dhe menjëherë pas kësaj filloi grindja. Atëherë foli Vukotiçi, i cili propozoi që Pllamenaci dhe Qeramudini të hidhnin në letër pikat kryesore të ujdisë, pra që ushtria e Esatit të tërhiqej dhe të merrte me vete pajisjet dhe armatimet. Ishte e martë pasdite. Esati urdhëroi që konsujve në Shkodër t’u shpërndahej një komunikatë, në të cilën thuhej se ushtria kishte rezistuar gjashtë muaj pa asnjë ndihmë, duke përballuar të gjitha shkatërrimet dhe privimet. U bë e qartë se dorëzimi ishte punë e kryer.

Mirëpo në doganë negociatat nuk kishin mbaruar, sepse shumë hollësi nuk ishin sqaruar. Kur u shtrua pyetja se në ç’kohë dhe në ç’mënyrë do të largohej nga Shkodra ushtria mbrojtëse, Vukotiçi propozoi që kjo të bëhej të nesërmen në orën 6 të mëngjesit. Me të dëgjuar këtë, Esati brofi në këmbë, vetullat iu ngritën përpjetë dhe tha se kjo nuk ishte e mundur, sepse i duhej kohë të përgatiste ushtarët për marshimin, për më tepër trupat nuk mund ta kalonin dot Drinin për të dalë nga Shkodra, sepse ura e Bahçallëkut ishte prishur dhe duheshin tri-katër ditë për ta ndrequr. Vukotiçi propozoi që trupat e Esatit të linin pozicionet herët në mëngjesin e 23 prillit dhe të grumbulloheshin në qendër të Shkodrës. “Pas kësaj, -tha ai, – trupat tona do të marrin pozicionet dhe ju keni kohë sa të doni për t’u përgatitur.” Por Esati u përgjigj se kjo do të ishte e rrezikshme, pasi dy ushtritë do ta gjenin veten përballë njëra-tjetrës dhe malazezët mund të hakmerreshin.

Lexo po ashtu:  Koloneli anglez në 1943: Vetëm bashkimi mban gjallë Shqipërinë, e kam si atdhe të dytë

Sipas kujtimeve të Vukotiçit, gjatë diskutimit që vazhdoi deri në mesnatë, ai disa herë i kërkoi Esat Pashës të shënonte kohën dhe mënyrën se si do të largohej nga secili pozicion dhe pastaj të nënshkruante marrëveshjen. “Nëse nuk pranon, – i tha, – më mirë më lër të iki dhe le të fillojnë përsëri luftimet.”189 “Esati, – kujton Vukotiçi, – herë-herë dilte nga dhoma për të biseduar me parinë e Shkodrës dhe, çdo herë që kthehej, na kërkonte të prisnim edhe dy-tri ditë para se të dorëzonte pozicionet.”
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Siç duket, bisedat e tij me parinë nuk ishin të lehta. Esati u shpjegonte atyre gjendjen dhe vendimin për të braktisur qytetin, duke u thënë se kush dëshironte mund të largohej bashkë me ushtrinë. Mes tij dhe parisë u shkëmbyen fjalë të ashpra. Siç tregon Gino Berri, gjashtë të krishterët e pranishëm, ndonëse dukeshin të brengosur për rënien e qytetit dhe të gatshëm për të bërë sakrifica, thanë se komuniteti i tyre ishte në kushte tepër të trishtueshme dhe se numri i të vdekurve nga uria rritej çdo ditë. Shumica e myslimanëve thanë se as ata nuk mund të jepnin ndonjë ndihmë me vlerë për t’i rezistuar rrethimit. Megjithatë, disa propozuan që të bëhej edhe një përpjekje, për ta shtyrë edhe ca ditë. Njëri prej tyre, Sulçe beu, i ofroi valiut njëqind lopë dhe tha se këtyre do t’u shtoheshin së shpejti po aq të tjera. Por Esati e ndërpreu me një gjest zemërimi:

– Nëse ke vetëm kaq për të thënë, më mirë kurseji fjalët! Është qesharake të ofrosh dyqind a treqind lopë për njëzet mijë njerëz që ushqehen keq prej një muaji. Është cinike të bësh këtë ofertë tani që i kam helmuar ushtarët e mi me kërmat e kuajve.

Esati tha se askush nuk mund ta mësonte se si ta kryente detyrën e tij.

– Kur them që dorëzimi është i domosdoshëm, – vazhdoi ai, – kjo do të thotë se kam pritur deri në çastin e fundit, përtej të cilit nuk mund të vazhdohej më pa cenuar dinjitetin dhe nderin tonë. Shihni si janë katandisur ushtarët. Nuk na ka mbetur asnjë thes miell. Racioni për sonte ishte një gjysmë peksimadhe dhe një grusht stafidhe. Kam dymijë të sëmurë dhe të plagosur nëpër spitale. Municionet e topave thuajse janë shteruar dhe një sulmi malazez nuk i përgjigjem dot më gjatë se 15 minuta me artileri. Nuk ju ka lezet të bëni patriotizëm në orën e fundit.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Esati heshti pak dhe nisi të flasë me një ton më të butë:

– Harroni për një çast se jeni tregtarë. Ajo që ndodhi ndoshta ishte e pashmangshme. Por nuk e di nëse e keni ndërgjegjen të qetë. Në qoftë se Turqia po humbet një krahinë, kujdes se mos humbisni atdheun tuaj. Unë do të iki bashkë me ata që mbetën gjallë nga ky rrethim i lavdishëm, por po ju lë atë që është më e shtrenjtë: të vdekurit.

Ndërkaq, gjatë gjithë kohës që brenda doganës vazhdonte kjo betejë e fundit, ku njëra palë ishte në agoni dhe në ankth, ndërsa tjetra mezi ç’priste ta shtrëngonte fort në dorë fitoren, malazezët nuk e ndalën demonstrimin e forcës. Ata e goditën qytetin me mbi 300 predha.

“Pasi kaloi mesnata, – tregon Vukotiçi, – u ngrita dhe i thashë prerë Esat Pashës: ose të vëmë firmat, ose unë dhe njerëzit e mi ikim nga Shkodra. Esati tha: a mund të prisni edhe një çast? Dhe doli. Nuk kishin kaluar as pesë minuta, kur ai u kthye, u ul në tryezë, nxori vulën, e vendosi mbi marrëveshje, pastaj mbi kopjen e saj dhe i nënshkroi të dyja. Në këto e sipër, ai shante nëpër dhëmbë parinë e Shkodrës: Sojsëza! Ju që nuk deshët të më jepnit as njëqind lopë për ushtrinë, më kërkoni tani të mbroj qytetin!” Ishte data 23 prill, pak pas mesnate…

(Libri “Esat pashë Toptani. Njeriu, Lufta, Pushteti”)
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *