Shaban Murati
Revanshi serb për shkatërrimin e shtetësisë së shtetit të pavarur të Kosovës vazhdon i shfrenuar. Në 28 tetor në tekstin e betimit të qeverisë së re serbe, të kryesuar nga Ana Bernabiç, deklarohet se qeveria betohet se do të ruajë me përkushtim Kosovën si pjesë e Serbisë. Të njejtin betim anti Kosovë bëri edhe presidenti serb Vuçiç, kur u zgjodh president në 2017. Qeveria e re serbe e bëri këtë betim kolonialist për aneksimin e Kosovës pas rifillimit të bisedimeve Kosovë-Serbi në Bruksel me ndërmjetësimin e BE dhe një ditë para raundit të ri të bisedimeve në Bruksel në 29 tetor.

Qeveria e Kosovës, në vend që në shenjë proteste të anullonte këtë raund bisedimesh me Serbinë, dhe në vend që në kanale diplomatike të ngrinte në këmbë kryeqytetet perëndimore për këtë rrugë të rrezikshme, ku Serbia po e fut dialogun, mjaftohet me një reagim në facebook të një zyrtari të saj.
Diplomacia kërkon protesta zyrtare në Bruksel, ku duhet të shkundet BE për qendrimet recidiviste koloniale të Serbisë dhe për qendrimet e papranueshme proserbe, që po manifeston hapur i dërguari i posaçëm i BE, Lajçak. Diplomacia e BE nuk lexon facebook-un e babës së vet dhe jo të lexojë atë të zyrtarëve të dorës së dytë në Prishtinë.

Lexo po ashtu:  Tradhëtarët – Poezi nga Naim Frashëri

Qeveria dhe diplomacia e Kosovës duhet të përplasin këmbët në Bruksel, në Uashington, në Berlin, në Paris dhe kudo, që të dëgjohet zëri dhe protesta e saj për çdo akt dhe hap të Serbisë kundër shtetit të pavarur të Kosovës. Nëse politikanët e Prishtinës në vend që të mbrojnë Kosovën e rrezikuar, po angazhohen më shumë për ndarjen e kolltuqeve të ardhshme, nuk bëjnë gjë tjetër veçse inkurajojnë Vuçiçin dhe Bernabiçin të legalizojne ambicjet e tyre kolonialiste ndaj Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *